Escobar ende në mjegull: Jemi ende në pritje për më shumë informacione
I dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në një konferencë online për media ka folur lidhur me ngjarjet e fundit në veri të Kosovës, pas kidnapimit të tre policëve kuiftarë të Kosovës nga forcat serbe më 14 qershor.
Lidhur, me kidnapimin e policëve të Kosovës nga forcat e Policisë Serbe ai ka thënë se do të mbajnë një fjalim pasi t’i kenë të gjitha provat dhe të zbardhet i tërë rasti “që të kuptohet se a kanë hyrë policët e Kosovës në Serbi apo kanë qenë trupat serbe ato që kanë hyrë në Kosovë dhe i kanë marrë policët e Kosovës.”
Duke ju referuar vendodhjes së veturës zyrtare të policisë se Kosovës, e gjetur në Bare, Escobar tha që kjo vetëm konfirmon që “Makina nuk ka kaluar në Serbi, jemi ende në pritje për më shumë informacione”- tha ai.
Mirëpo, Escobar theksoi se këta policë duhet të lirohen pa asnjë kusht.
“Është shumë e qartë se këta policë ose janë marrë nga Serbia ose janë dërguar në Serbi dhe duhet të lirohen pa asnjë kusht”-shtoi ai.
Policia e Kosovës më 14 qershor ka konfirmuar se tre zyrtarë policorë kufitarë patrullues janë siç thonë ata kidnapuar nga forcat serbe.
Policia e Kosovës (PK), në këtë rast njësia policore patrulluese e kufirit ka qenë me detyre në pikë statike në vendin e quajtur Tresave/Bare, thellë brenda në territorin e Republikës së Kosovës, për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale, të cilat shfrytëzoheshin nga grupet kriminale për kalim ilegal dhe kontrabandë.
Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se dyshojnë që zyrtarët e Policisë së Kosovës janë rrëmbyer si hakmarrje e Serbisë për arrestimin e Millun Millenkoviq – Lune.
Millun Millenkoviq i njohur si Llune u arrestua të martën (13.06.2023) nga zyrtarët e Njësisë Speciale Intervenuese të Policisë së Kosovës në sheshin ‘Car Llazar’ në Mitrovicën e Veriut.
Tre policëve të Kosovës, të arrestuar nga forcat serbe më 14 qershor, iu shqiptua masa e paraburgimit.
Gjyqtari i procedurës paraprake në Gjykatën e Lartë në Kralevë e mori vendimin pas kërkesës së prokurorit publik të këtij qyteti në jug të Serbisë.
Rruga Press