Rusia dhe Serbia gjejnë “heroin”, BE gjen armikun imagjinar
Shkruan Shaban Murati
Shënim nga blloku diplomatik
Ndërsa diplomacia e BE i është vërsulur armikut imagjinar në mullarin me kashtë në formën e Kosovës, Rusia dhe Serbia qetësisht reabilitojnë dhe glorifikojnë zyrtarisht kriminelin më të madh ndërkombëtar të pas luftës së dytë botërore, presidentin serb Sllobodan Millosheviç, që vdiq në qelitë e Gjykatës së Hagës.
Mediat ballkanike njoftuan në 14 qershor se në Moskë doli në skenë djali i Sllobodan Millosheviçit në ceremoninë e inagurimit të shtatores së babait kriminel ndërkombëtar, që kreu krime makabre kundër njerëzimit në Kosovë, në Bosnje-Hercegovinë dhe në Kroaci.
Inagurimin e drejtoi bashkëpunëtori i ngushtë dhe miku i afërt i presidentit rus Vladimir Putin, dhe udhëheqës i bandave militariste motoçikliste të shërbimit sekret ushtarak rus, që njihen me emrin “Ujqit e natës”, Aleksandër Zalldastanov.
Siç njofton me entusiazëm media ruse “balkanist.ru”, shtatorja u vendos ne rajonin ekskluziv Sollosllovo të Moskës, rajon i elitës politike ruse dhe pranë rezidencës zyrtare të presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, i cili me sa duket e ka idhull Millosheviçin dhe pa lejen e të cilit as mund të mendohej vendosja e shtatores së kriminelit serb.
Ndaj dhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Rusisë ngarkoi një anëtar të saj skulptor për ta bërë shtatoren.
Shtatorja pati edhe përkrahjen e qeverisë së Serbisë, ministria e kulturës e së cilës përgatiti të gjithë dokumentacionin shoqërues zyrtar dhe financoi dërgimin nga fonderia në Serbi në sheshin e vendosjes në Moskë.
Nderimi i Moskës për kriminelin më të madh ndërkombëtar të pas luftës në Europë vjen pas nderimit zyrtar, që i organizoi atij ish-ministri i kabinetit millosheviçian në kohën e kryerjes së krimeve, dhe sot president i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili deklaroi publikisht se “Millosheviçi është i pafajshëm”.
Kurse krahu i djathtë i Vuçiçit, Aleksandër Vulin, anëtar i qeverisë së Serbisë dhe tani shef i agjencisë serbe të spiunazhit, i cili ka qenë zëdhënës i bashkëpunëtores në krim dhe bashkëshorte e Millosheviçit, e shpalli publikisht kriminelin ndërkombëtar Millosheviç “luftëtar të lirisë”.
Diplomacia e BE me Borellët, Lajçakët dhe Stanot, nuk e kanë parë dhe as e kanë ndjerë këtë glorifikim të kryekriminelit ndërkombëtar Millosheviç. Dhe natyrisht nuk kanë folur, sepse po ndërtojnë një narrativë revizioniste për Serbinë agresore dhe imazh paqësor për presidentin fashist Vuçiç.
Po kërkojnë qiqra në hell për të ndërtuar me kashtë figurën e “armikut ndërkombëtar” në formën e Kosovës.
Rusia dhe Serbia tallen me diplmatët e BE, sepse e konsiderojnë fushatën artificiale të diplomacisë europiane për armikun e popullit ndërkombëtar te Prishtina, si një alibi të re për krimet, gjenocidin dhe agresionet e përgjakëshme të Serbisë kundër popujve jo-serbë në fundin e shekullit të kaluar. Rusia dhe Serbia e kanë gjetur “heroin” e tyre serb. /Gazeta Dita/
Rruga Press