Veprat për të cilat dyshohet “Llune”, i arrestuari në veri
Milun Milenkoviq, i njohur si “Llune”, që u arrestua të martën në veri të vendit, dyshohet për disa vepra kriminale. Sipas burimeve të KOHËS brenda institucioneve të sigurisë, “Llune” është një nga udhëheqësit kryesorë të formacionit ilegal “Mbrojtja Civile”.
“Llune” dyshohet se në grup me të dyshuar të tjerë pati organizuar sulmet ndaj objekteve të Komisioneve Komunale Zgjedhore me granata dore, sulmet ndaj zyrtarëve të KQZ-së dhe pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.
Ai po ashtu dyshohet se ka sulmuar në disa raste të mitur, fëmijë shqiptarë, që jetojnë në Mitrovicën e Veriut.
Ai besohet të ketë pasur rol aktiv dhe ka qenë udhëheqës në organizimin e barrikadave në shtator të vitit 2021, gjatë tensioneve për reciprocitetin e targave.
Ndërkaq së fundmi, siç konfirmoi edhe ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, “Llune” dyshohet se organizoi sulmet ndaj objekteve komunale, specifikisht në Zveçan, dhe sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, që përfunduan me 30 ushtarë të plagosur.
Arrestimi i Milenkoviqit të martën në veri u përcoll me lëshim të alarmit. Gjatë aksionit për arrestimin e tij u lënduan lehtë tre policë të Kosovës.
Rruga Press