Osmani pas takimit me Oscobarin dhe Lajçakun: Ndëshkimi i grupeve kriminale, rruga e vetme për stabilitet
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka pritur sot në takim Përfaqësuesin Special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe përfaqësuesin Special të BE-së për Dialog, Mirosllav Lajçak, pas zhvillimeve të fundit të krijuara në veri të Kosovës.
Zyra e Presidencës përmes një njoftimi ka bërë të ditur se në këtë takim është diskutuar për situatën aktuale të krijuar në veri të Kosovës dhe për zgjedhjet që pritet të mbahen atje.
Siç bëhet e ditur, Osmani ka shprehur përkushtimin e plotë që të punohet së bashku me partnerët ndërkombëtarë në mënyrë që në veri të vendit të sundojë rendi e ligji dhe të ruhet sovraniteti i Republikës së Kosovës.
Sipas Osmanit, ndëshkimi i grupeve kriminale dhe individëve që përdorën dhunë ndaj policisë, gazetarëve, pjesëtarëve të KFOR-it, EULEX-it dhe qytetarëve, është rruga e vetme për stabilitet të qëndrueshëm dhe afatgjatë, shkruan tutje Zeri.info.
“Prandaj, theksoi ajo, presim që institucionet ligjzbatuese ta bëjnë punën e tyre, në përputhje me ligjin, në mënyrë që grupet kriminale përgjegjëse për dhunën të përballen me drejtësinë. Presidentja Osmani ka potencuar se zgjedhjet e reja në komunat në veri të vendit mund të organizohen në përputhje me kornizën aktuale kushtetuese e ligjore dhe në këtë kontekst, ajo shtoi se duhet të sigurohet pjesëmarrje demokratike e qytetarëve që jetojnë në këto katër komuna”, thuhet në njoftim.
Rruga Press