Iku koha e pazarit të rrenave
Nga Agim Vuniqi
Kapitulli 35 është “modus vivendi” asgjë më shumë, konflikti përzgjatet paqësisht derisa të pranohet Serbia në BE. Ishin ëndrra të sheqerosua pretendimet e liderkucëve kosovarë, të cilët i kanë bërë koncensione të mëdha Serbisë, duke futur vendin në krizë të pazgjidhur politike, duke treguar egërsinë e pushtetit ndaj opozitës, në njërën anë, ndërsa përuljen servile ndaj Serbisë, në anën tjetër.
Zvarritja e inkuadrimit të Kosovës në mekanizmat evropianë, edhe pse që nga fillimi Evropa ishte në Kosovë, tregonte qartazi që përmes inkuadrimit të përshpejtuar të Serbisë në BE, falë Thacit & Co. do ta vendoste Kosovën para aktit të kryer, të dobësimit të shtyllave të pavarësisë dhe të krijimit të një autonomie të pavarur, sikurse Ishujt Alende, ku Kosova do të kishte guvernatorin, kodin e telefonisë, stemën, flamurin, por do të mbetej territor i kontestuar… (autonomi ndërkombëtarisht e pavarur). Kosova ka nevojë për politikanë anglofolës, të shkolluar jo për politikanë odash, të cilët do e fundosin vendin paturpësisht. Lufta ka përfunduar, nuk është më alibi për politikanët e korruptuar të flasin për të. Ata duhet të përqëndrohen më tepër në rezultatet konkrete të luftës kundër korrupsionit, krimit të organizuar, dmth përmbushjes ekzakte të standardeve të BE-së, jo ulurimës së egër të marrëveshjeve me Serbinë. Le të përzgjaten ato përkohësisht dhe le të zgjidhen më mirë problemet e brendshme. Ishte makutëri, ishte indiferencë, ishte dështim politika e jashtme e Kosovës e viteve të privatizimit primitiv të familjeve patriarkale që përpiqeshin të krijonin imazhin e suksesit. Por cilit sukses?
Suksesit të tregëtimit të rrenave si të vërteta…. Bota po ndërron, Kosova po ngecte prapa. 24 vite izolimi e mashtrimi, pa viza, pa sovranitet të plotë, ku Serbia përmes Listës Serbe caktonte rregullat e lojës, formonte e shkarkonte qeveri. Po të vazhdonte kështu Kosova do të humbte mëvetesinë dhe do të mbetej prapa në zhvillim dhe shtetformim. Eshtë e frikshme dhe jo serioze të thuhet çdo ditë se Amerika themeloi Republikën, pa përmendur gjenocidin serb… Eshtë e panatyrshme, sepse presidenti Bush dhe administrata e tij vendosi ta ndihmojë Kosoven dhe dha vizen për të shpallur pavarësinë, por mos harroni Amerika ndihmoi dikur Evropën ta mposhte nazizmim, duke përfshirë edhe Francën, e cila ia dorëzoi pa luftë pushtetin nazistëve. Gjithashtu Britania ndihmoi Izraelin ta krijojnte shtetin, por ky nuk i falenderohet për çdo ditë Britanisë, sepse e ka paguar çlirimin me jetë njerëzish… Përmendja aq tepër e çlirimit nga Amerika jo vetëm që është më tepër se përulje, por eështë edhe e pasinqertë, sepse qeverite e kaluara e plaçkitën vendin dhe popullin duke gënjyer partnerët gjeostrategjikë. Shteti u krijua sepse u shkel kapitulli I i Aktit Final të Helsinkut. Kosova u bë shtet sepse u shkel rendi botëror, sepse u shkaktua katastrofë humanitare, sepse u vranë dhe u dëbuan qytetarët në baza etnike vetëm se ishin shqiptarë.
Rruga Press