Me kë ngjajnë qëndrimet e Ramës për Kosovën
Mund të ketë disa këndvështrime për qëndrimin e barazlarguar të Kryeministrit të Shqipërisë ndaj tensioneve në veriun e Kosovës. Disa e shohin si pozitivë për të luajtur rolin e ndërmjetësit, disa e shohin si të favorshëm për Serbinë, kur lideri kryesor i shqiptarëve i quan fajtore të dyja palët, disa e shohin si qëndrim që nuk lidhet me ndonjërën palë, por vetëm me Perëndimin, nuk lidhet me marrëdhëniet personale me dy liderët, por me interesin personal për të qenë i preferuari i Perëndimit.
Në fakt duket se të gjitha kënvështrimet janë të lidhur me njëri-tjetrin. Ai bën rolin e ndërmjetësit pa patur mandat, i jep Vuçiqit perçarjen e faktorit shqiptar si argument dhe pastaj ndan me publikun qëndrimet e Borrellit dhe del në CNN për të sharë Kurtin, me pretekstin e liderit rajonal që qetëson mendjet e nxehta, e shqiptarit të ftohtë qe e sheh qartësisht të ardhmen e rajonit tek pajtimi i shqiptarëve me serbët.
Ka disa fakte që e kompromentojnë pretendimin e Kryeministrit Rama, se ky është qëndrimi që i shërben më shumë kombit. Më shumë se intervista në CNN, ku ai doli kundër Kurtit për të fituar zemrën e Blinkenit, janë postimet dhe deklaratat e mëparshme dhe të mëvonshme.
Pak më parë ai bëri share për herë të dytë qëndrimin e Borellit, që i kërkon Qeverisë së Kosovës të lëshojë godinat e Komunave në duart e protestuesve të organizuar nga Beogradi. Kjo është më e pakta, pasi parmbrëmë mbështeti një plan të Borrell me 3 pika, ku pika e tretë ishte miratimi sa më shpejt i asosacionit të Komunave me shumicë serbe.
Po në mbrëmjen e së enjtes, përpara këtij qëndrimi të pashpjegueshëm në Twitter, Kryeministri Rama, në një intervistë për Blendi Fevziun deklaroi se i takoi Presidenten dhe Kryeministrin e Kosovës, por nuk diskutoi me ta situatën në Veri, pasi ata nuk ia kërkuan.
Kushtetuta e Shqipërisë e detyron Qeverinë, Parlamentin dhe Presidentin të jenë aktiv në çështjet që i takojnë Kosovës, por argumenti i Ramës ishte se nuk mund të sillet si babai i Kosovës. Ndërsa kur takoi Vuçiqin, në praninë e Presidentes së Komisionit Europian, Von der Leyen e pa të arsyeshme të sillej si babai i kombit dhe të negocionte pa mandat një zgjidhje, që më së shumti i shërbente vetëm interesave personale, të shndërrimit në faktorin e paqes në rajon.
Liderët shqiptarë kudo në Rajon e kanë kritikuar Kurtin nisur nga pikëpamja diolomatike, nga domosdoshmëria jetike e Kosovës për të ruajtur marrëdhënie të shkëlqyera me Perëndimin në përgjithësi dhe SHBA në veçanti. Kryeministri i Shqipërisë është i vetmi lider shqiptar që e ka kontestuar qëndrimin e Kryeministrit të Kosovës edhe nga pikëpamja ligjore, njësoj si Vuçiqi dhe mbështetësit huliganë të tij.
Rruga Press