KryesoreLajme

Kurti: Mua më ka zgjedhur populli, s’jam emëruar nga ambasadori

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se në veri po shfrytëzohet si pretekst çështja e kryetarëve të rinj për të nxitur tensione “nga ata që s’e pranojnë shekullin 21 e Kosovën e pavarur”.

Në emisionin “Konfront” të KTV-së ai ka thënë se në veri të Kosovës shkalla e rrezikshmërisë është e lartë përreth ndërtesave të komunave, por jo edhe në vendbanimet tjera.

Protestat e dhunshme i ka cilësuar si “turma të shovinizmit serb”.

“Shkalla e rrezikshmërisë mund të thuhet që është e lartë rrotull ndërtesave të komunave. Ndërkaq, për vendbanimet e tjera në veri të Kosovës nuk ka diçka të pazakonshme. Kjo në fakt tregon që populli atje nuk është duke i bërë këto protesta, se populli bën protesta paqësore, por këto protesta janë protesta prej lart e jo prej poshtë. Duke qenë të dirigjuara e të dhunshme, në fakt nuk janë fare protesta, bëhet fjalë për turma të nacio-shovinizmit serb, të ekstremit të djathtë të cilët dëshirojnë pushtet e sovranitet që do të nënkuptonte asgjë më pak sesa nënshtrime dhe dorëzimin e Republikës demokratike”, ka thënë ai.

Sipas tij, aksioni i policisë nuk ka qenë nga dëshira por nga obligimi. Ai ka shtuar se obligimi ka ardhur pas thirrjeve për dhunë nga serbët.

“Përderisa ka turma të dhunshme e kriminale jashtë, përderisa vijnë njerëz me maska, bëjnë grafite kryqi me katër ‘S’-ja, e ‘Z’-ja e invazionit rus në Ukrainë, përderisa bërtasin për vëllazërinë e popullit serb dhe rus, përderisa kemi njerëz që hapur adhurojnë edhe Millosheviqin, edhe Putinin, natyrisht se njësia speciale duhet të jetë në ndërtesë të Komunës. Është papërgjegjësi nëse ne nuk do ta kishim njësinë speciale aty, prandaj edhe ne jemi të obliguar të bëjmë këtë që po bëjmë në një kurs të veprimeve ku pas mbajtjes së zgjedhjeve, pranimit të procesit, njohjes së rezultatit, betimit shumë të vakët pa kurrfarë triumfalizmi, fillon puna ku tjetër përveç se në objekte zyrtare publike të komunave përkatëse”, ka thënë ai.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se dy kryetarët e komunave në veri, e që vijnë nga radhët e partisë së tij, nuk i kanë shkuar në takim ambasadorit amerikan Jeffrey Hovenier ditë më parë, “sepse takimi u organizua në kohën e orarit të punës”.

Për faktin se dy kryetarët tjerë, nga radhët e PDK-së i shkuan dhe nuk iu bindën qëndrimeve të Qeverisë, Kurti ka thënë se aty nuk janë përfaqësuar partitë.

“Nuk bën të kemi parti më të rëndësishme sesa shteti për asnjë anëtar partie apo qytetarë të Republikës. Vendi i punës së kryetarit është në ndërtesë të Komunës. Atyre është duke iu ecë rroga, ata janë në marrëdhënie pune, unë e di që dalja ka qenë e ulët, legjitimiteti nuk është çfarë do të duhej, mirëpo deri sa të mbahen zgjedhjet e reja i kemi katër kryetarë çfarë i kemi. Dy janë të LVV-së, dy të PDK-së, por këta nuk përfaqësojnë partitë e tyre aty. Këta janë kryetarët të komunës të cilët duhet të punojnë për të gjithë qytetarët pa dallim. Instruksioni që kam dhënë është që të shkojnë jo vetëm të punojnë në ndërtesë, por kabinetet e tyre qeveritare, lokale, të jenë multi-etnike, multi-kulturore, multi-fetare dhe multi-partiake. Pra, partitë të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën. Asnjëri prej tyre nuk e përfaqëson as Vetëvendosjen, as Partinë Demokratike, por duhet t’ju shërbejnë edhe serbëve. E unë do të thosha, në veçanti serbëve, sepse janë megjithatë shumicë në ato komuna”, ka thënë Kurti.

Lexo më shumë  SPAK ‘zbërtheu’ bandën e Suel Çelës! Arrestohen Xhino dhe Marsel Roka, dy vëllezërit e drejtoreshës së Agjencisë së Zhvillimit të Territorit

I pyetur se përse s’shkuan dy kryetarët nga VV-ja, Kurti ka thënë se “ata janë ftuar në një takim që ka qenë në orar të punës”.

Kurti ka arsyetuar mospjesëmarrjen me situatën e tensionuar.

“Ata kanë shkuar në orarin e tyre të punës dhe kjo nuk do të thotë që nuk do të mund ta takojnë sërish ambasadorin amerikan Hovenier me të cilin kemi bashkëpunim tejet të mirë, dhe atë evropian Szczunyog. Mirëpo, ai ka qenë orari i punës dhe në ato momente është vlerësuar që është e rëndësishme të jenë aty. Unë shpresoj që këta ambasadorët së shpejti do t’i vizitojnë edhe atje në ato zyra. Pra është njohur procesi zgjedhor, është njohur rezultati, ne nuk mund të krijojmë struktura paralele të Kosovës në raport me strukturat paralele të Serbisë. Andaj, në ato objekte do të duhej që ambasadorët po ashtu t’i vizitojnë, siç vizitojnë komunat e tjera. Por, natyrisht, nëse ftohen kryetarët tanë nga ambasadorët, edhe këta duhet të shkojnë tek ata. Por, ajo ka qenë një ditë e veçantë, ku prej Leposaviqit të shkohet në Prishtinë me gjithë ato turma rrotull, unë besoj që e ka marrë vendimin e duhur që të qëndrojë në zyrë atë ditë kryetari Lulzim Hetemi. Dhe në këtë mënyrë, kur po sulmohej KFOR-i, NATO-ja, kur po sulmoheshin gazetarët, kur po sulmohej Policia e Kosovës, unë besoj që është dashur të jetë aty, e jo në Prishtinë”, ka deklaruar ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ligji e Kushtetuta e kërkon që në Kosovë të mos ketë individë e banda më të fuqishme se shteti.

Duke folur se a rrezikohen raportet e Kosovës me aleatët pas insistimit që kryetarët e rinj të komunave në veri të ushtrojnë detyrën nga objektet komunale pavarësisht protestave të serbëve, Kurti ka thënë se “çfarëdo bujarie e tolerancë nga nacional-shovinistët shihet si frikë”.

“Aleatët ndërkombëtarë, partnerët tanë të cilëve u jemi pafundësisht, përjetësisht falënderues e mirënjohës, janë shumë të mira, janë intensifikuar në këto dy vjet dhe ata e kanë njohur Republikën e Kosovës me kufijtë që i kemi në hartën në flamur. Dhe ne nuk po bëjmë asgjë më shumë ose më pak, kushtetutshmëria dhe ligjshmëria. Tash, mund të kemi taktika e strategji, mirëpo u dëshmua që karshi bandave nacional-shoviniste, të ekstremit të djathtë, çfarëdo gjeneroziteti, çfarëdo bujarie, çfarëdo sjellje tolerante, keqkuptohet si frikë ose dobësi. Pra, në momentin që kryetari i komunës nuk shkon atje, a mendoni që do të jenë falënderues ata? Ata do të thonë ‘u frikësuan’, ata do të thonë ‘e shihni, janë të dobët’. Republika e Kosovës është e fortë. Nuk ka individë…”, ka thënë Kurti.

Se a po përpiqet të tregojë se Kosova është e fortë, Kurti ka thënë se këtë e kërkon ligji.

“Atë e kërkon ligji, jo e tregoj unë. Ligji kërkon, Kushtetuta kërkon, që në Republikën tonë të mos ketë individë dhe banda më të fuqishme se shteti. Unë jam në këtë zyrë me këtë obligim, ky është obligim”, ka thënë ai.

Pas kritikave direkte e të ashpra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për insistimin që kryetarët e rinj të komunave në veri të ushtrojnë detyrën nga objektet komunale, kryeministri Albin Kurti ka thënë se “nuk është normale që të pajtohesh çdo herë me gjithçka”.

Lexo më shumë  “Mitrovica pa kryetar”, VV-ja në Mitrovicë shpallë në kërkim Hamzën

Kurti ka thënë se nuk ka vepruar “pas shpinës së ambasadorit”.

Për situatën e tensionuar në veri, Kurti e ka vlerësuar si pikënisje agresivitetin e Serbisë.

Kurti ka thënë se ka vlerësimin më të lartë për ambasadorin Hovenier dhe të tjerët,

“Ata e kanë gjithnjë e më të qartë dhe unë do t’i bindi më kollaj nëse më ndihmoni më shumë (për sjelljet e Serbisë). Por, edhe nëse nuk më ndihmoni, bindja do të ndodhë, sepse Republika e Kosovës është ndërtuar me gjakun e dëshmorëve dhe martirëve. Në anën tjetër Republikën e mban Kushtetuta me ligj dhe institucione. Këtij populli unë duhet t’i dal zot, sepse për këtë më kanë sjellë në këtë karrige. Unë kam vlerësimin dhe respektin më të lartë për ambasadorin Hovenier, mund të them në mënyrë fort të veçantë krahasuar edhe me të gjithë ambasadorët e tjerë, por mua më ka votuar populli, nuk më ka emëruar ambasadori. Duhet ta kuptoni këtë gjë, mua më ka votuar populli i Kosovës, populli i Kosovës të voton, populli edhe të heqë. Nuk është emërim kryeministri, kryeministri është zgjedhje e atij që është burim i sovranitetit”, ka thënë Kurti.

Ai ka thënë se ka bashkëpunim të vazhdueshëm me ambasadorët e QUINT-it e sidomos me atë të SHBA-së.

Më shqetësuese se sanksionet e mundshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pas vendimit për ta përjashtuar Kosovën nga stërvitja ushtarake “Europe Defender 2023”, sipas kryeministrit Albin Kurti është “milicia fashiste në veri”.

“Është shqetësuese (çështja e sanksioneve), është brengosëse, por më shqetësuese dhe më brengosëse janë milicia fashiste në veri. Shpeshherë në politikat qeveritarë, në vendimet ekzekutive nuk ke opsione ideale, e shpeshherë as optimale. Pra, vendimet, opsionet ideale janë luks e nganjëherë madje edhe optimale”, ka thënë Kurti.

Ai ka deklaruar se beson që ka bërë zgjidhjen më të mirë të mundshme duke u arsyetuar se aleatët janë dëgjuar kur është vendosur për t’i shtyrë zgjedhjet e madje edhe për çështjen e betimit të kryetarëve.

“Mirëpo, vend të punës tjetër nuk mund të ketë”, ka thënë Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka refuzuar të paragjykojë nëse Kosova do të mund t’i bënte ballë një agresioni të mundshëm nga Serbia.

Ai ka thënë se nuk bën paragjykime për të ardhmen, por ka refuzuar të thotë se a mund ta përballojë Kosova e vetme sulmin e mundshëm nga Serbia.

“Unë veproj sipas programit tonë qeveritar, ligjit dhe Kushtetutës, nuk mund të bëj parashikime se çfarë do të ndodhë në të ardhmen. Për shembull kur ju thatë më herët që nëse sulmon Serbia, forcat tona nuk i bëjnë ballë, nuk e di a është ashtu. Unë nuk do ta kisha paragjykuar. Natyrisht që mirë është të kesh ndihmë”, ka thënë Kurti.

Kurti ka thënë se nuk e sheh si diçka të re çështjen e ngritjes së alarmit të Serbisë për gatishmëri lufte.

Ai ka thënë se duke ditur kërcënimet nga Serbia, Qeveria e Kosovës ka rritur buxhetin për mbrojtje dhe siguri.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *