Sveçla: Serbët po detyrohen të nënshkruhen për pjesëmarrje në protestë
Ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla ka thënë se protestuesit serbë po detyrohen të nënshkruajnë për pjesëmarrje në protestë.
Sipas tij serbët e Kosovës në vazhdimësi janë nën trysni dhe kërcënime që të kryejnë veprime jashtë vullnetit të tyre.
“Pas kushtëzimeve për të marrë pjesë në protesta e organizime të drejtuara nga Lista Serbe, protestuesit sot po detyrohen të nënshkruajnë në lista pjesëmarrjen e tyre në protestë. Haptazi ky është një mjet për të ndërmarrë veprime të mëvonshme ndaj atyre që nuk kanë qenë prezent në protestë. Kjo mund të nënkuptojë kërcënime dhe dhunë fizike ndaj tyre dhe familjarëve, largime nga puna si dhe dëmtim të pronave të atyre personave”, ka shkruar Sveçla në Facebook.
Sipas tij Qeveria e Republikës së Kosovës dhe të gjitha institucionet e sigurisë qëndrojnë të angazhuara e përkushtuara maksimalisht në shërbim të të gjithë qytetarëve të vendit pa dallim.
“Dënojmë ashpër veprimet e vazhdueshme të Listës Serbe dhe bandave kriminale të drejtuara nga ta, me porosi të Beogradit. Këto taktika duhet të ndalen që qytetarët serbë të Kosovës të jetojnë pa presione e kërcënime”, ka shkruar Sveçla.
Ai ka shpërndarë edhe fotografi në të cilat shihen protestues duke u nënshkruar në disa lista.
Rruga Press