Sveçla: Mbështetja e madhe qytetare e këtyre ditëve karshi vendimeve të Qeverisë dhe institucioneve tona, të drejta dhe legjitime
Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka thënë se thirrjet në rrjetet sociale për të protestuar në jug të Mitrovicës janë të panevojshme dhe nuk i ndihmojnë Kosovës.
Reagimi i Sveçlës vjen disa minuta pasi Policia e Kosovës lëshoi një deklaratë të ngjashme, duke thënë që këto thirrje të shpërndara në rrjete sociale mund të jetë qëllimkëqija, në dëm të qytetarëve dhe të interesave të Kosovës
Sipas ministrit të Brendshëm, thirrjet për protesta në jug të Mitrovicës po përhapen nga persona të panjohur dhe profile të dyshimta në rrjetet sociale.
“Thirrjet për protestë në jug të Mitrovicës dhe me synim marshimin drejt veriut të vendit, janë të panevojshme dhe nuk i ndihmojnë Republikës së Kosovës. Përmes këtij organizimi në rrjetet sociale po tentohet të nxiten tubime të panevojshme. Sipas vlerësimeve nga institucionet e sigurisë, kjo thirrje po përhapet nga persona të panjohur dhe profile të dyshimta nëpër rrjetet sociale”, ka shkruar Sveçla në Facebook.
Sveçla ka ftuar qytetarët që të mos i përgjigjen ftesës së këtyre profileve.
“Mbështetja e madhe qytetare e këtyre ditëve karshi vendimeve të Qeverisë dhe institucioneve tona, të drejta dhe legjitime, janë garancë e vendosjes së kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në veri të vendit. I ftoj të gjithë qytetarët që të mos i përgjigjen këtyre thirrjeve të dyshimta dhe organizimeve anonime”, ka shkruar tutje ai.
Rruga Press