Ndoshta ndërkombëtarët nuk po duan të koordinohen me këtë Qeveri që do ta shtrijë shtetin ligjor edhe në 4 komunat veriore të Kosovës
Nga Donik Sallova
Kur jemi tek Koordinimi…
Ndoshta ndërkombëtarët nuk po duan të koordinohen me këtë Qeveri që do ta shtrijë shtetin ligjor edhe në 4 komunat veriore të Kosovës. Ndoshta ndërkombëtarët po duan tjetër koordinim me partnerë të tjerë në Kosovë për t’i lënë këto komuna nën kontrollin e Serbisë përmes një autonomie formale siç ishte paraparë në marrëveshjen antikushtetuese të Asociacionit të çifteve negociatore Thaçi-Mustafa & Daçiq-Vuçiq (2013-2015). A ka në Kosovë më politikanë që do pranonin që t’i paguanin haraç Serbisë pavarësisht çmimit që kemi pagu për çlirim?
Pra, duhet analizuar pse ky insistim i ndërkombëtarëve për ta suspenduar shtetin ligjor dhe demokracinë kundrejt kërkesave të Serbisë që shteti dhe ligji i Kosovës mos të shtrihet në veri? A e kanë frikë ndërkombëtarët Serbinë dhe nuk janë më në gjendje t’i dalin zot Marrëveshjes Tekniko-Ushtarake të Kumanovës të qershorit 1999? Apo ndërkombëtarët i kanë premtuar Serbisë autonominë e veriut për hesape të tjera?
Është e padrejtë që sot Kosova të shantazhohet në këtë mënyrë, që nëse insiston në shtrirjen e ligjshmërisë edhe në Veri, po rrezikoka invadim të veriut nga Serbia. Kosova është privuar nga ndërkombëtarët që të ndërtojë kapacitete të mirëfillta ushtarake mbrojtëse dhe në një farë mënyre është marrë nën garancë nga NATO se do t’ia sigurojë integritetin territorial kundrejt Serbisë derisa të realizohen gradualisht kapacitetet ushtarake mbrojtëse. Nëse sot ky premtim përdoret si instrument shantazhi, atëherë kjo është një padrejtësi e tyre kundrejt popullit të Kosovës.
Pavarësia e Kosovës është kompromisi i bërë nga shqiptarët si komb dhe prekja e saj pa dyshim që do ta destabilizonte rajonin. Pavarësia e Kosovës ka qenë çelësi i sigurisë rajonale, sepse është minimumi i dinjitetit që iu njoh shqiptarëve pas një shekulli braktisjeje nën pushtimin serb. Për shqiptarët dhe për Kosovën historia kurrë më nuk do të mund të kthehet mbrapshtë!
Rruga Press