Pamje të rënda nga Zveçani: Ushtarët e KFOR-it të plagosur, Policia tentoi t’u ndihmojë
30 pjesëtarë të KFOR-it mbetën të lënduar në Zveçan si pasojë e përleshjeve me protestuesit e dhunshëm serbë. Tre prej tyre pësuan plagosje nga armë zjarri.
KFOR-i tha se 11 nga 30 ushtarët janë nga Kontingjenti italian dhe 19 nga ai hungarez. Lëndimet që pësuan ata përfshinin thyerje e djegie nga mjetet ndezëse shpërthyese.
Në video të publikuara nga Zveçani në afërsi të Komunës ku protesta po zhvillohen tash e tri ditë shihen ushtarë të misionit të shtrirë përtokë, e të tjerë që përpiqen t’u dalin në ndihmë.
Në ndihmë u dalin edhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës.
Pamjet nga aty janë të rënda.
Protestat nisën nga e premtja, 26 maj, me serbët lokalë që kundërshtuan hyrjen e kryetarëve të rinj të Leposaviqit, Zveçanit e Zubin Potokut në objektet komunale. Bashkësia ndërkombëtare dënoi vendimin e Qeverisë që hyrja e kryetarëve në to të bëhej qoftë edhe me ndihmën e Policisë, ashtu siç edhe u bë. Me sulmet kundër KFOR-it, ndërkombëtarët dënuan edhe veprimet e protestuesve të dhunshëm dhe thirrën palët për shtensionim. /koha.net/
Rruga Press