Lëvizja Bashkë: Rama ka bërë të paanshmin në një konflikt ku s’mund të mos mbash anën e Kosovës
RRETH SITUATËS NË VERIUN E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Prej ditësh tensioni është rritur ndjeshëm në komunat e veriut të Republikës së Kosovës. Përpjekjet e institucioneve të Republikës së Kosovës për të konstituuar organet e reja të qeverisjes vendore kanë hasur rezistencën e dhunshme të strukturave kriminale dhe shoviniste të dirigjuara nga qeveria e Republikës së Serbisë.
Fatkeqësisht Edi Rama dhe institucionet e tjera të shtetit shqiptar janë orvatur të bëjnë të paanshmin në një konflikt ku nuk mund të mos mbash anën e duhur, atë të integritetit territorial dhe stabilitetit të Republikës së Kosovës.
Duhet thënë haptazi se sot presidenti i Serbisë Vuçiç dhe strukturat shoviniste të atij shteti janë faktori më destabilizues në rajon.
Qeveria dhe institucionet e Republikës së Kosovës duhet të bëjnë maksimumin për të respektuar dhe integruar minoritetin serb në shtetin dhe shoqërinë kosovare. Sikundër duhet t’u qëndrojnë me vendosmëri orvatjeve destabilizuese të Aleksandër Vuçiçit.
Ballkani do të jetë një rajon i qëndrueshëm, i begatë dhe me marrëdhënie miqësore mes shteteve vetëm pasi shteti i Serbisë të pranojë përfundimisht pavarësinë dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës.
Rruga Press