Lajme

Shqiprim Pula: BE-ja që 12 vjet duket që ka qenë një lloj fasade, po shpërfaqet e vërteta reale mbi gjithë atë proces të dialogimit

Analisti Shqiprim Pula, ka konsideruar se përsëritja e zgjedhjeve lokale në katër komunat veriore të Kosovës nuk janë opsion i mirë, ashtu siç sipas tij, nuk do të ishte as tërheqja e kryetarëve të rinj zgjedhur nga institucionet atje.

I ftuar të martën në “60 Minuta” të KTV-së, Pula ka thënë se disa prej përfaqësuesve të Bashkimit Evropian kanë befasuar me deklarimet e tyre sa i përket situatës në të cilën po gjendet aktualisht veriu i vendit.

Sipas tij, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka arritur ta bindë faktorin ndërkombëtar që të ketë një çasje të cilën e ka sot.

“Disa prej përfaqësuesve të BE-së na befasuan me deklarimet e tyre që nuk janë në frymën e Kushtetutës së vendit, nuk janë në frymën e demokracisë, nuk ka parime universale që ata po i respektojnë në këtë drejtim. Vuçiqi ka arritur ta bind faktorin ndërkombëtar për të pasur një qasje çfarë ata po e deklarojnë. Kjo situatë na ka befasuar të gjithëve dhe duhet të gjendet një rrugëzgjidhje që do të bëjë një trysni kundrejt Beogradit zyrtar. Jo vetëm se nuk janë opsion zgjedhjet, por nuk është opsion i mirë as tërheqja nga institucionet atje. Vendosja e flamurit shtetëror për herë të parë ndodh në Kosovën e paspavarësisë”, është shprehur ai.

Lexo më shumë  Sveçla: Filloi punën grupi punues që do të hartojë Strategjinë Nacionale kundër krimit të organizuar

Pula ka shtuar se zyrtarët e BE-së po e deklarojnë të kundërtën e asaj se çfarë kanë kultivuar brenda shteteve të tyre me fqinjët e tyre.

“BE-ja është e ndërtuar mbi bazën e kultivimit të fqinjësisë së mirë dhe po kjo BE, po këta zyrtarë evropianë sot janë para një momentumi ku deklarojnë të kundërtën e asaj se çfarë ata brenda shteteve të tyre kanë kultivuar me fqinjët e tyre. Kemi situatë shumë befasuese në kuptim të deklarimeve të tyre dhe qasjes që po e përdorin kundrejt Kosovës, prandaj i gjithë dëmi po bëhet në kurriz të shtetit të Kosovës dhe gjithë kritika po adresohet te Qeveria jonë. Qeveria po tenton përmes këtyre veprimeve të shtrijë sovranitetin shtetëror e territorial duke respektuar nenin 2 të Kushtetutës. BE-ja tash e 12 vjet, që nga marsi i 2011-ës kur kemi filluar me procesin e dialogut me Serbinë, duket që ka qenë një lloj fasade, po shpërfaqet e vërteta reale mbi gjithë atë proces të dialogimit”, ka theksuar ai.

Lexo më shumë  Konjufca priti në takim Kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi

Për protestat e dhunshme që po ndodhin në tri komunat veriore, Pula ka thënë se përgjegjëse është Serbia zyrtare dhe jo qytetarët e rëndomtë.

“Përgjegjëse për gjithë këtë skenar është Serbia zyrtare, nuk janë qytetarët e rëndomtë. Qytetarët e rëndomtë nuk mund të jenë të organizuar ashtu siç i pamë organizimet e atyre grupeve. Prandaj është për keqardhje kjo gjendje, por natyrisht që adresa e kritikës dhe sanksionimit do të duhej të ishte Serbia”, ka thënë ai.

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *