Osmani: Bandat e Vuçiqit duan destabilizim, veprimet e tyre të dënohen
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar të martën me zëvendëssekretarin e Përgjithshëm për Paqe, Siguri dhe Mbrojtje në Shërbimin Evropian të Shërbimit të Jashtëm, Charles Fries, Shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog dhe shefin e EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark.
Ata diskutuan për situatën në verfi, derisa Zyra e Presidencës njoftoi se Osmani i ka dënuar sulmet e strukturave ilegale në veri kundër Policisë, KFOR-it dhe gazetarëve. Në komunikatë u tha se Osmani i ka quajtur këto grupe banda kriminale, që qëllim kanë destabilizimin e Kosovës dhe tërë rajonit. Bandat, sipas presidentes, janë të nxitura nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.
“Presidentja Osmani dhe Zëvendës Sekretari Fries diskutuan edhe për zhvillimet e fundit në veri të Republikës së Kosovës. Presidentja ka përsëritur dënimin e fuqishëm për sulmet e strukturave ilegale serbe të shndërruara në banda kriminale kundër policisë së Kosovës, KFOR-it dhe gazetarëve. Presidentja Osmani ka potencuar se këto banda kriminale, të mbështetura nga Vuçiqi, kanë për qëllim destabilizimin e Kosovës dhe të gjithë rajonit, prandaj veprimet e tyre të rrezikshme duhet të dënohen nga të gjithë”, thuhet në komunikatë.
Rruga Press