Reagon kryeministrja italiane, Meloni e prerë: Nuk do të tolerojmë më sulme të tjera ndaj KFOR-it
Të paktën 25 ushtarë të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, kanë mbetur të plagosur si pasojë e përleshjeve me qytetarët serbë në komunën e Zveçanit në veri të Kosovës, bëri të ditur misioni përmes një njoftimi për media.
“Duke iu kundërvënë turmës, disa ushtarë të kontingjentit italian dhe hungarez të KFOR-it ishin objekt i sulmeve të paprovokuara dhe plagëve të marra trauma me thyerje dhe djegie nga shpërthimi i mjeteve ndezëse”, thuhet në njoftim.
Sipas KFOR-it, ushtarët janë trajtuar me kohë nga njësitë mjekësore dhe aktualisht janë nën vëzhgim nga personeli mjekësor i cili po vlerëson gjendjen e tyre.
Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, ka reaguar për sulmet e protestuesve serbë ndaj KFOR’it në Veriun e Kosovës. Tre ushtarë të KFOR’it italianë janë në gjendje të rëndë pas trazirave në Zveçan.
Meloni ka thënë se sulmet ndaj KFOR’it nuk do të tolerohen më tej, teksa ka treguar për lëndimet e ushtarëve të KFOR’it në Kosovë. Por ajo ka kërkuar edhe nga Qeveria e Kosovës që të mos ndërmarrin veprime të njëanshme.
”Në emrin tim dhe në emër të Qeverisë shpreh ndjenjat e mia më të sinqerta të afërsisë me ushtarët italianë të plagosur gjatë trazirave në Kosovë. Shpreh gjithashtu dënimin tim më të fortë për sulmin që u bë kundër misionit të KFOR-it, ku përfshiheshin edhe ushtarë nga kombet e tjera. Kjo që po ndodh është absolutisht e papranueshme dhe e papërgjegjshme”, tha ajo.
”Ne nuk do të tolerojmë sulme të mëtejshme ndaj KFOR-it. Është thelbësore që të shmangen veprimet e mëtejshme të njëanshme nga autoritetet kosovare dhe që të gjitha palët e përfshira menjëherë të bëjnë një hap prapa, duke kontribuar në zbutjen e tensioneve. Angazhimi i qeverisë italiane për paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor është maksimal dhe ne do të vazhdojmë të punojmë me aleatët tanë. Konfirmoj afërsinë time me ushtrinë italiane dhe mirënjohjen e fortë të qeverisë për profesionalizmin e jashtëzakonshëm dhe shpirtin e lavdërueshëm të shërbimit që ata tregojnë në të gjitha rrethanat”, ka deklaruar kryeministrja e Italisë.
A nome mio e del Governo, esprimo i miei più sinceri sentimenti di vicinanza ai militari italiani che sono rimasti feriti durante i disordini in Kosovo. Esprimo inoltre la più ferma condanna dell'attacco avvenuto a danno della missione KFOR che ha coinvolto anche militari di…
— Giorgia Meloni (@GiorgiaMeloni) May 29, 2023
Rruga Press