Opinion/Aktualitet

Dy ngjarje me interes publik kanë ndodhur dje

Shkruan Shtëpia Botuese Pika Pa Sipërfaqe

Dy ngjarje me interes publik kanë ndodhur dje:

1. Një grup deputetësh, anëtarë të një prej parlamenteve ndofta më të kriminalizuar të historisë së shtetit shqiptar, ka vendosur t’i dyfishojë rrogat vetes, me një vendim pothuajse unanim, pozitë-opozitë bashkë, në komisionin parlamentar përkatës. Një deputet që më parë paguhej 158 mijë lekë (bruto), me hyrjen në fuqi të vendimit do të paguhet 330 mijë lekë. Kjo do t’u kushtojë xhepave tanë qindra miliona lekë për vite e vite në vazhdim.

2. Ministria e Kulturës e Kosovës ka shpallur listën paraprake të botuesve (të shtetit të Kosovës) që do të përfitojnë mbështetje nga fondet publike për botimin e librave në gjuhën shqipe, qofshin këta libra nga autorë shqiptarë, apo përkthime nga gjuhë të huaja. Vetëm për vitin 2023, shteti i Kosovës do t’i mbështetë botuesit e vet me mbi 250 mijë euro për libra, si dhe me një shumë të krahasueshme për botimin e periodikëve në shqip. Nëse shihni listën e botimeve të mbështetura, do të lexoni tituj ndër kryesorët nga filozofia dhe letërsia botërore, si dhe botime të shumta nga autorë shqiptarë.

Lexo më shumë  Një idiotizëm i ri politik: "grusht shteti" i qeverisë kundër opozitës

Si botues, mund të shprehim një përgëzim për këtë vendim të qeverisë së Kosovës, pasojat e të cilit do të ndihen për vite me radhë në hapësirën shqipfolëse. Me këto ritme, mund të themi me bindje se botuesit e Kosovës do ta udhëheqin për një kohë të gjatë sferën kulturore shqipfolëse, me përfitime të paparashikueshme, por gjithsesi shumë të mëdha, për të gjithë kulturën shqiptare.

Na vjen natyrshëm një krahasim me qeverisjen e punëve të kulturës në Republikën e Shqipërisë, e cila jep një fraksion dhjetë herë më të vogël në mbështjetje të botuesve të vet, por shpërdoron shuma të mëdha për ndërtimin e skenografive ku mund të fotografohen ofiqarët e kulturës dhe ministrat e qeverisë (edhe këta me rrogë të sapodyfishuar). Një skenografi e tillë madhështore sapo u montua dhe u çmontua brenda një jave në Panairin e Librit në Torino (nuk po përmendim këtu shpenzime udhëtimi, hoteleri, dieta, etj.). Kemi ndërkaq një Qendër Libri që ka një instalacion permanent ku fotografohen aktivitete të panumërta, në të cilat çohet përpara, diskutim pas diskutimi, fotografi pas fotografie, kultura e vendit tonë.

Lexo më shumë  Kajsiu: Pensionet nxjerrin bllof modelin e qeverisjes Rama

Kontributi kulturor afatgjatë i gjithë kësaj – i këtyre fotografive, i skenografive të shtrenjta të realizuara për to, bashkë me udhëtimet, hotelet, rrogat e gjithë kësaj skuadre të madhe kulturore, paguar qindarkë për qindarkë me paratë tona – pritet të jetë i madh për publikun.

Ndofta do të vijë një ditë kur ndokush nga fotomodelët e kulturës dhe shtetit tonë do të japë llogari për këtë sipërmarrje gjigante. Nëse ndodh, premtojmë se do të vijmë t’i fotografojmë në gjykatë, e mbase edhe në burg.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *