Lajme

Mbarojnë zgjedhjet/ Euro nis forcimin ndaj Lekut

Euro e ka nisur javën me rimëkëmbje në kursin e këmbimit lekun.

Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, euro të hënën u këmbye me 111.31 lekë, në rritje me 0.49 lekë krahasuar me ditën e premte. Rritja e euros në pikat e këmbimit valutor u theksua veçanërisht në gjysmën e dytë të të premtes, ndërsa ka vijuar më e lehtë edhe këtë të hënë.

Në gjysmën e parë të muajit maj, euro shënoi një rënie të mëtejshme ndaj lekut, duke arritur vlerat më të ulëta historike.

Në datën 11 maj, kursi i këmbimit euro-lek arriti nivelin prej 110.63 lekësh, më i ulëti i regjistruar ndonjëherë. Sipas agjentëve të këmbimit valutor, rënia i detyrohej prurjeve të mëdha të valutës në treg. Rritja e ofertës së euros mund të shpjegohet pjesërisht me theksimin e faktorit sezonal dhe rritjen e turizmit hyrës, por edhe me zgjedhjet lokale.

Lexo më shumë  Aktakuzë ndaj gjashtë serbëve për barrikadat në veri në vitin 2022

Sipas ekspertëve, periudhat parazgjedhore shoqërohen me rritje të flukseve valutore dhe e njëjta gjë duket se ka ndodhur edhe këtë vit, duke e çuar kursin e euros drejt rekordeve të reja në rënie.

Në ditët e fundit, megjithatë, kjo rënie është korrigjuar disi dhe kjo koincidon me përfundimin e fushatës zgjedhore. Sipas agjentëve të këmbimit, në gjysmën e dytë të javës së kaluar u vërejt një rritje e kërkesës për euro në treg.

Rënia e euros në nivelet më të ulëta historike mund të ketë rritur kërkesën për monedhën europiane nga subjektet që kanë nevoja për valutë, të lidhura me biznesin, shlyerjen e kredive në euro, udhëtime jashtë vendit, etj.

Një fenomen i ngjashëm u vërejt edhe në fund të vitit 2022. Pasi kursi i euros preku nivelin më të ulët historik, në ditët e fundit të dhjetorit dhe në fillim të janarit u vërejt një kërkesë e lartë për të dhe ringritje e shpejtë, ndonëse e përkohshme, e kursit euro-lek.

Lexo më shumë  Si po e ndryshon protesta ekonominë e mbrëmjes në Tiranë, të rinjtë heqin dorë edhe nga koncertet

Në atë rast, rritja u nxit edhe nga një injektim shumë i madh i lekut në treg nga qeveria shqiptare, që e shpenzoi të gjithë deficitin e planifikuar në muajin dhjetor, duke e përqendruara sidomos në ditët e fundit të muajit.

Për momentin, kursi i euros është rimëkëmbur disi, por sidoqoftë ngelet ende pranë niveleve minimale historike dhe agjentët bendojnë se në afatin e shkurtër monedha europiane do të qëndrojë në pozita të dobëta, duke pasur parasysh efektin e pritshëm sezonal.

Sidoqoftë, frenimi i rënies së euros iu jep për momentin një lloj frymëmarrjeje sektorëve eksportues të ekonomisë, që po përballen me humbje të konsiderueshme nga forcimi i lekut. Krahasuar me një vit më parë, monedha vendase është mbiçuar me rreth 8% në kursin e këmbimit me euron. /Monitor

Burimi: Banka e Shqipërisë 

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *