Lajme

Një dolli me nëntë shëndete në ditën e lirisë së medias!

Nga Lutfi Dervishi

Në ditën e lirisë së medias është mbase rasti ideal për të ngritur dolli për të gjithë ministrat, kryeministrin, liderat e opozitës apo zyrtarët e tjerë që raportojnë aq bukur për vetveten dhe nuk lodhin gazetarët me informacione a dokumente, me intervista a konferenca shtypi.

Pa këtë punë kaq të pa lodhur dhe kaq të pa paguar të tyre, gazetarët dhe redaktoret, sot në kulmin e fushatës elektorale nuk do të ishin thjesht kalikulatorë të minutazheve televizive për llogari të KQZ-së, por do të ishin duke u djersirë për të skanuar premtimet e vjetra dhe të reja, do të ishin duke ndjekur takimet e kandidatëve dhe duke analizuar programet dhe faturat e tyre.

Shëndeti tjetër shkon për lajmet e mrekullueshme dhe pozitive që përcjellin te njerëzit.

Tek to shohim vetëm kantiere ku punohet pa pushim, rritje rrogash dhe inspektime për herë të disatë, aq sa na është asfaltuar ekrani i telefonit dhe na duket sikur i kemi gishtërinjtë me zift.

Lexo më shumë  "Opozitë si pulë pa kry", Pozhari: Thonë se është korrupsion publik në prag të zgjedhjeve e për vete ndanë dhjetëra miliona për oligarkët në prag të zgjedhjeve

Një shëndet tjetër edhe për zgjedhjet!

Zgjedhjet nga Festivali i demokracisë i

kanë kthyer në një aheng të vërtetë me valle dhe dorovitje parash e favoresh ku tani s’ka garë për program, por garë për batuta.

Një shëndet edhe për Kryeministrin që gjen kohë jo vetëm për piktura, vizatime, skica, valle dhe basketball, por edhe për podcaste. Dhe të imagjinosh që i kërkohet edhe të qeverisë!

Një shëndet edhe për të gjithë zyrtarët që nuk e zbatojnë ligjin 119/2014 për të drejtën e informimit të publikut me dokumenta zyrtare e që paturpësia i është shndërruar në pikën më të fortë të CV.

E drejtë, nuk ka fare kuptim që dokumentet t’i marrë gazetari sepse prej tyre çështja mund të perfundojë në prokurori e ndoshta në gjykatë.

Pak ngarkesë kanë gjykatat sot, dhe çeshtjet e gazetarëve kemi mangut!

Një shëndet edhe për mungesën e debateve në televizion.

Është provuar tashmë që nga debatet mbase mund të dalë edhe ndonjë e vërtetë.

E vërteta dihet që shpesh është e hidhur, ndaj ku ka si ëmbëlsia e gënjeshtrës.

Lexo më shumë  “Duam paratë tona”, gjermanët dhe italianët e mashtruar nga Forex hapin gjyqe në Shqipëri

Një jetë ka njeriu, çfarë kuptimi ka t’i kalosh 100 vitet e para të jetës tënde me lajme të hidhura?!

Një shëndet edhe për “gazetarët” të cilët rraskapiten që politikani/zyrtari të dalë sa më mirë në televizion, aq sa furçen e grimit e bëjnë furçë pyetjesh për t’i dhënë pamjen e duhur.

Tek e fundit populli i ka zgjedhur dhe perfaqësuesit e popullit duhet të dalin sa më të mirë, sa më të mençur dhe sa më vizionarë!

Një shëndet edhe për “gazetarët” që shantazhojnë zyrtarët e e korruptuar dhe presin flet-gjoba për ta dhe për biznese.

Tek e fundit nëse zyrtari dhe biznesi nuk është i korruptuar nuk ka se si të shantazhohet apo jo?

Një shëndet edhe për ata gazetarë/analistë që edhe me shpejt se Google gjejnë “argumente” se qeveria/opozita ka gjithmonë të drejtë!

Pa kontributin e të lart përmendurve nuk ka asnjë kuptim të flasësh për lirine e medias!

Gëzuar, rrofshi, qofshi, raportofshi!

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *