Ngërçi i konsumit, të gjitha importet e ushqimeve pësuan rënie në 3-mujorin e parë
Megjithë rritjen e numrit të turistëve në këtë fillim vit importet e grupeve kryesore të ushqimeve ishin më rënie në tremujorin e parë përveç bulmetit dhe mishit, duke treguar ulje të konsumit.
Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT në janar-mars të këtij viti, nga 18 grupet kryesore të produkteve ushqimore, 13 prej tyre ishin me rënie në krahasim me 3-mujorin e parë të vitit 2022.
Në shumicën e grupeve rënia ishte dyshifrore duke treguar një tendence të qëndrueshme që nisi që vitin e kaluar.
Aktorët e tregut pohuan se importet po bien për dy arsye kryesore: E para rënia e konsumit si rrjedhojë e çmimeve të larta pas luftës në Ukrainë; E dyta tkurrja e popullsisë nga niveli i lartë i emigracionit.
Rënien më të madhe të importeve e kanë shënuar sheqernat dhe ëmbëlsirat, pasi në këtë grup sasitë e importuara ishin 43.5% më të ulëta në krahasim me të njëjtën periudhe të një viti më parë. Grupi i dytë më rënien me të madhe ishin drithërat me 42 %, vaji me 41%, produktet e industrisë së blojës me 40.6 %.
Rënia e importeve të sheqernave dhe drithërave i faturohet kryesisht emigracionit të lartë të rinjve gjatë vitit të fundit. Me 2022 kanë kërkuar azil në BE dhe në Britaninë e Madhe rreth 30 mijë persona, shumica mbi 80 për qind të rinj në moshë.
Adi Haxhiymeri, drejtues i Shoqatës Përpunuese të Miellit thotë se tkurrja e popullsisë se re në moshë jep efekte te menjëhershme tek importet e drithërave, pasi sipas tij kjo grup-moshë janë konsumatorët më të mëdhenj të brumërave. Tregtarët në tregjet e pakicës pohojnë gjithashtu se importi i ëmbëlsirave ka rënë nga tkurrja e popullatës së re në moshë.
Rënie të madhe shënoi edhe importi i vajit me 40%, bimët industriale me 21%, frutat dhe arrat e ngrënshme me 20%, peshku me 17.6%, zarzavatet me 17 për qind etj.
Në anën tjetër nga gupet e ushqimeve rritje kanë pësuar vetëm importet që lidhen me produktet nga kafshët, të tilla si bulmeti dhe mishi. Rritja e importeve në këto produkte po vjen si rrjedhojë e krizës që po kalon blegtoria e vendase ku numri i kafshëve po tkurret me shpejtësi në fermat e vogla si rrjedhojë e pakësimit dhe plakjes së popullsisë në zonat rurale. Mungesa e prodhimit vendas ka bërë që çmimet e bulmetit të rriten me ritmet shumë të larta vitin e fundit.
Në tremujorin e parë importet e kafshëve të gjalla u rriten me 22.8%, importet e mishit me 12I dhe importet e bulmetit me 12 për qind.
Disa produkte bulmeti nga importi kanë nisur të bëhen konkurruese me prodhimet vendase jo vetëm në cilësi, por edhe në çmime./Monitor/
Rruga Press