Sulm me αrmë ndaj Top Channel në mesnatȅ, humb jetën roja, gjendet një makinë e djegur
Një ngjarje e rëndë e ka tronditur Tiranën pak orë pas mesnate.
Pasi u dëgjuan krismat drejtpërdrejtë në transmetimin e një programi televiziv, Polica e Shtetit ka dal me një njoftim të menjëhershëm duke konfirmuar se është qëlluar me një breshëri plumbash ndërtesa e Top Channel.
Me këtë rast është vrarë edhe një person, i cili mësohet të jetë roja e sigurisë.
Më poshtë e keni njoftimin e plotë zyrtar:
“Tiranë/Informacion paraprak
Më datë 27.03.2023, rreth orës 01:00, në Mëzes, në rrethana ende të paqarta, nga persona ende të paidentifikuar, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të ambienteve të Top Channel.
Si pasojë e të shtënave ka humbur jetën roja i sigurisë shtetasi P. K., 60 vjeç (punonjës i një shoqërie për ruajtjen fizike të objekteve).
Është ngritur grupi hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna intensive për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, sekuestrimin e provave që do të shërbejnë për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Shërbimet e Policisë kanë ngritur pikat e kontrolleve dhe vijon puna për identifikimin e kapjen e autorëve”, ka shkruar Policia e Shtetit në Facebook.
Nga raportimet, thuhet se në autostradën e Kavajës tek vendi i quajtur “Përroi i Agait” është gjetur një veturë e djegur e tipit “Range Rover”, i cili dyshohet se u përket autorëve të këtij rasti.
Targat e veturës kanë rezultuar të vjedhura, ndërkaq policia është në vendngjarje dhe grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e rrethanave.
Ende nuk dihet se çfarë motivi mund të fshihet pas këtij sulmi të rëndë ndaj televizionit Top Channel.
Rruga Press