Lajme

E vërteta e shitjes së Top Channel për 9 milionë euro (faktet)

Këtë fundjavë shumë tituj mediash njoftuan shitjen e televizionit më të madh në vend për një shifër prej 9 milionë Euro, nga trashigimtarët e Dritan Hoxhës drejt një kompanie të panjohur të quajtur “Western Media Conglomerate Investments LTD”. CNA, që botoi edhe dokuemente të këtij transaksioni, paraqiti faksimilen sipas së cilës të pesë trashigimtarëst e familjes Hoxha,  Vjollca Hoxha, Lorela Hoxha, Sara Hoxha, Itan Hoxha dhe Redia Hoxha, i kishin shitur, secili nga 20% të aksioneve që dispononin, për ti kaluar tek kompania e regjistruar në një parajsë fiskale si ishujt Belize. 

Ky transaksion që në pamje të parë dukej si një mardhënie e pastër financiare mori këtë të premte një ngjyrim të fortë politik, kur kreu i opozitës Sali Berisha, akuzoi drejtpërdrejt Edi Ramën se fshihet pas këtij pazari.   

“Ky është një veprim i pashembullt, asgjësimi i një televizioni kombëtar, me licencë kombëtare, tjetërsimi i tij në kundërshtim me çdo rregull, përbën një veprim të tmerrshëm mafioz, personalisht të Edi Ramës dhe klanit të tij. Një televizion kombëtar ka marrë një valë dhe frekuencë kombëtare. Këto janë pasuri publike. Ato nuk privatizohen. Asnjë televizion nuk mund të përfundojë në Belizë të Edi Ramës, Erion Veliajt, të këtyre mafiozëve që nuk kanë ligj, moral dhe asgjë tjetër” deklaroi kryedemokrati gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët. Berisha tregoi me gishtë të venë e Dritan Hoxhës, Vjollca Hoxha se kishte përdorur kritikat e një periudhe ndaj qeverisë për ta detyruar Ramën dhe Veliajn hedhin paratë për blerejen e ekranit më të madh kombëtar në vend.

Në pamje të parë kryedemokrati ka të drejtë. Linja editoriale e Top Channel u bë gazi i botës duke filluar për disa javë me sulme të fuqishme ndaj kryeministrit, për tu kthyer më pas, sa hap e mbyll sytë, në mbështetëse të politikave të tij. Në mes të vjeshtës që shkoi, pasi largoi nga drejtimi i lajmeve ish drejtorin Sokol Balla, Topi u bë papritmas kritik. Në ekran filluan të shfaqen kronika tejet të ashpra ndaj qeverisë. Kulmi arriti kur vendi u shpall se po shkonte drejt autokracisë (foto poshtë), njësoj siç pretendojnë kundërshtarët më të paepur të Edi Ramës.

Lexo më shumë  FSK shënon sot Ditën e Forcës

Pikërisht kjo fushatë e detyroi shefin e qeverisë të reagonte edhe publikisht. Duke reshtuar në një Twitter të gjitha titujt e lajmeve që pati dhënë ekrani më i madh në vend, kryeministri e akuzoi atë drejtpërdrejt se kërkonte favore të paligjshme. Pra se po e përdorte median për shantazh.

Por fortuna nuk zgjati shumë. I njëjti ekran që pati shpallur se vendin kishte marrë tatepjetën drejt autokracisë u bë i denjë për meme që e kalojnë edhe çudinë e Big Brother kur transmetoi një kronikë se “Demokracia kishte bërë përparim”.

Paranteza kritike përfundoi dhe Topi u kthye në brazdën e përhershme të militantizmin alla metVeli.

Pra, në pikpamje logjike, lidhja mes këtyre piruetave dhe një transaksioni financiar të dirigjuar nga Rama, ashtu sikurse pretendon Berisha, nuk ngjan e paarsyeshme.

Por në fakt, versioni i liderit demokrat ka pak gjasa të jetë i vërtetë. Sipas investigimit që Lapsi.al ka bërë brenda Top Channel, ai drejtohet gjithmonë nga familja Hoxha, me të vetmin ndryshim se frenat e komandës kanë kaluar nga e ëma, Vjollca, që fëmijët e kanë mënjanuar, tek Lori Hoxha, që ka marë komandën e plotë jo vetëm mbi spektaklin, por edhe mbi lajmet dhe emisionin politik të Grida Dumës. Pra nuk ka asnjë indicie që pronësia e Top Channel të ketë ndryshuar realisht, ashtu siç pretendohet në dokumentin e shitjes të bërë publik dy ditë më parë. Një arsye më shumë që e mbështet këtë version është edhe çmimi. Sipas auditeve që janë bërë televizioni kombëtar vlen disa fish më shumë sesa 9 milionë eurot që pretendohet se është shitur.

Ka shumë mundësi që transaksioni i botuar në media dhe i komentuar nga lideri demokrat të jetë thjesht fiktiv dhe ato 9 milionë euro për ndryshimin e pronësisë të mos jenë paguar kurrë.

Lexo më shumë  Sulmohet stacioni policor në Zveçan, hidhen dy granata dore

Po pse do duhej të bëhej kjo shitje fiktive në një kompani që nuk i njihen pronarët, të regjistruar në një parajsë fiskale? Më shumë për këtë enigmë mund të mësohet po të shikohet me vëmendje data e kontratës së shtjes. Ajo shënon 14 janar. Por çfarë përfaqëson kjo datë?

Ajo gjendet vetëm katër ditë përpara se në Gjykatën e Lartë të zhvillohej procesi i famshëm lidhur me pronësinë e Topit ku ish aksionerët, Albert Sino dhe Aurel Baçi, partnerë të Dritan Hoxhës, pretendonin 60 % të aksioneve. Kjo histori daton që prej 9 majit 2016, kur familja Hoxha humbi gjyqin lidhur me aksionet e kompanisë. Këto të fundit, pas ndarjes së parakohshme nga jeta të Dritan Hoxhës, si pasojë e një aksidenti automobilistik, i përkisnin 40% trashëgimtarëve të tij dhe 60% ish miqeve të Dritan Hoxhës, të cilëve ai u’a kishte kaluar aksionet në vitin 2007, pasi ligji për mediat audiovizive të asaj kohe nuk lejonte një pronar të vetëm me më shumë se 40% të një mediaje kombëtare. Në këtë konflikt, në dy shkallët e gjykimit, një herë pati fituar familja Hoxha dhe një herë tjetër ata që pretendonin 60 % të kompanisë. Në datën 18 janar çështja do të gjykohej në gjykatën e lartë. Dhe me siguri shitja fiktive prej 9 milionë eurosh është bërë si një siguresë e fundit nëse trashigimtarët e Dritan Hoxhës e humbisnin procesin.

Kjo nuk ndodhi. Gjykata e Lartë vendosi përfundimisht në favor të tyre e këtu nuk përjashtohet të ketë qenë edhe ndërhyrja e fortë e pushtetit. Një fakt është i pamohueshëm. Linja editoriale ndryshoi menjëherë pas vendimit të Gjykatës së lartë. Por, më tej hipotezat që bën Berisha për blerjen e ekranit kombëtar nga Rama dhe Veliaj me shumë gjasë janë fantazi. Top Chanel i përket ende familjes Hoxha. Pinjollët e saj janë në drejtimin e TV-së dhe transaksioni në Belize, sipas çdo gjase, është bërë thjesht për ti shpëtuar ndonjë vendimi të papritur të drejtësisë. /lapsi.al/

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *