Skandali me Marinën e Vlorës, “Brunes” çmonton Portin dhe merr 50 mijë m2 tokë falas
Nga Klodian Tomorri
Shkoi Berisha për fushatë në Vlorë dhe foli një orë për aferën e Portit të Durrësit. Por Vlora ka port vet, i cili u vodh po me të njëjtën skemë si Porti i Durrësit. Identik.
Porti Tregtar u çmontua. Tokën në të cilën gjendej Porti Tregtar, 50 mijë metër katrorë, qeveria ia fali një kompanie private të quajtur Marina Vlorë, e zotëruar nga Brunes shpk për të ndërtuar aty një marinë dhe po ashtu apartamente dhe hotele, njësoj si në Portin e Durrësit.
Ashtu si në Durrës, edhe në Vlorë, Porti Tregtar që u çmontua po ndërtohet në një vend tjetër me paratë e qytetarëve. Pra porti i mallrave ishte aty, por qeveria e çmontoi se i fali tokën kompanisë private dhe tani qytetarët po paguajnë 60 milionë euro për të ndërtuar portin e ri të mallrave.
Projekti i resortit në tokën e Portit të Vlorës ka marrë dhe status strategjik nga Komiteti i Investimeve Strategjike. Fillimisht pronarë me letra të resortit ishin shoqëritë “MARINA DI VALONA”, “BRUNES” SH.P.K “NDREGJONI” dhe “MARINA PROJECTS” L.T.D.
Këta e morën statusin e investitorit strategjik, por tani pronësia e projektit ka ndryshuar. Ndregjoni dhe Marina Projects u larguan menjëherë. Në projekt ka hyrë kompania Balfin, e cila ka blerë 10 per qind të aksioneve.
Me pak fjalë, Portet u vodhën të treja. Si në Durrës, si në Vlorë si në Sarandë. Për këtë Vlorën është folur më pak se është më i vogël si sipërfaqe. Por një fjalë mund ta thoshte Berisha. Se nuk shkon të jesh në Vlorë dhe të flasësh për Portin e Durrësit.
Rruga Press