Kandidati i mundshëm i republikanëve për president tha se Ukraina nuk përbën interes kyç amerikan
Guvernatori amerikan që pritet të kandidojë për president ka thënë se mbështetja e Ukrainës nuk është një interes jetik i SHBA-së.
Ron DeSantis, i cili pritet të sfidojë Donald Trumpin për nominimin republikan për t’u përballur me Joe Bidenin në vitin 2024, e quajti pushtimin rus një “mosmarrëveshje territoriale”.
Megjithëse guvernatori i Floridës nuk e ka deklaruar zyrtarisht kandidimin për në Shtëpinë e Bardhë, sondazhet tregojnë se ai është kërcënimi më i madh i Trumpit dhe një fitore e tij kundër Joe Bidenit do të kishte pasoja të mëdha për ushtrinë ukrainase.
“Ndërsa SHBA-ja ka shumë interesa jetike kombëtare… përfshirja e mëtejshme në një mosmarrëveshje territoriale midis Ukrainës dhe Rusisë nuk është një prej tyre”, tha DeSantis në Twitter.
“Financimi i këtij konflikti nga administrata Biden ‘për aq kohë sa duhet’, pa ndonjë objektiv apo llogaridhënie të përcaktuar, largon vëmendjen nga sfidat më urgjente të vendit tonë”.
Vërejtjet e tij janë në kontrast të plotë me qëndrimin e presidentit Biden, administrata e të cilit ka ofruar miliarda mbështetje ushtarake për Ukrainën dhe ka mbledhur partnerë ndërkombëtarë rreth saj.
Trump 2.0/ Shpresa e Putinit, sa i përket pushtimit të Ukrainës dhe ndoshta më pas edhe shteteve të tjerë, qëndron pikërisht te gjasa që pas zgjedhjeve të ardhshme SHBA-ja të ketë një president të cilit ndalimi i pushtimeve të Rusisë nuk i përbën interes amerikan.
Rruga Press