Lajme

Osmani për modelet evropiane për pakicat: Më i miri ai që ka aktualisht Kosova

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se modeli i respektimit të të drejtave të pakicave në Kosovë, është më i mirë se të gjitha modelet që janë përmendur nga emisari i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi. Osmani ka thënë se Kosova është e gatshme t’i diskutojë elementet evropiane, por jo që shkelin Kushtetutën e vendit.

Në një deklarim për media, pas diskutimit “Barazia, Barabarësia dhe Drejtësia” në kuadër të Javës së Gruas të martën, Osmani ka thënë se nuk pret që Serbia të ndryshojë në dialogun me Kosovën. Sipas saj, Serbia kontribut të vetëm në këtë proces e ka pasur vënien e pengesave. Ajo ka thënë se pret që faktori ndërkombëtar të bëjë presion mbi Serbinë, që ta bindë që “takimi i Ohrit është jashtëzakonisht i rëndësishëm e që nëpërmjet kësaj marrëveshje të zgjidhen shumë çështje që hapin rrugë drejt njohjes reciproke”.

“Sa i përket modeleve evropiane që janë prezantuar, të 15-at s’kanë të bëjnë me asociacione. Janë modele të drejtash për pakicat. Në disa jepen më shumë të drejta, e në disa më pak sesa që tashmë u jep Kosova komuniteteve joshumicë. I kemi analizuar të gjitha dhe ka elemente që mund të merren prej secilës prej tyre, por do të thosha që modeli më i mirë, shumë më i mirë se të gjitha ato 15, është ai që ka aktualisht Kosova. Jemi për të diskutuar elemente të tilla, në mënyrë që në Kosovë të kemi gjithëpërfshirje, diversitet e multietniciteti të jetë vlera jonë kushtetuese”, ka thënë Osmani, duke shtuar se Kosova “refuzon diçka që rrezikon mënyrën e funksionimit të sistemit tonë demokratik”.

Lexo më shumë  Pesë vjet nga tërmeti në Shqipëri ku humbën jetën 51 persona

Për dakordimin e Kosovës dhe Serbisë më 27 shkurt për përmbajtjen e Planit evropian, Osmani ka thënë se neni 7 i saj është “koncesioni që ka pranuar Kosova”.


Çka thotë neni 7 i këtij plani?

Neni 7

Të dyja palët përkushtohen për arritjen e aranzhimeve specifike, në përputhje me instrumentet relevante të Këshillit të Evropës dhe duke përdorur përvojat ekzistuese evropiane, për të siguruar një nivel të përshtatshëm të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe mundësinë për provizione të shërbimeve në disa fusha specifike, përfshirë edhe mundësinë e asistencës financiare nga Serbia dhe kanale të komunikimit direkt të komunitetit serb me Qeverinë e Kosovës.

Palët do të formalizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe të ofrojnë nivel të lartë të mbrojtjes së trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, në përputhje me modelet ekzistuese evropiane.


Megjithatë, sipas Osmanit, e gjithë përmbajtja do të sqarohet pas pajtimit për aneksin e zbatimit.

Lexo më shumë  Kryeministri Kurti: Qeveria e Kosovës po harton ligj të ri për mbrojtjen nga diskriminimi

“Siç e dini, ditën që është diskutuar dhe dakorduar kjo marrëveshje më 27 shkurt, jam deklaruar që Kosova ka pranuar po ashtu koncesione dhe që një prej çështjeve që përbën koncesion është pikërisht neni 7. Mos harroni se s’është përmbyllur faza e diskutimit dhe sqarimit të dispozitave të kësaj marrëveshjeje bazë për normalizim. Do të zbërthehet në aneksin e zbatimit. A është rrezik a jo, varet nga ne. Varet se si zbërthehen obligimet që dalin nga neni 7. Angazhimi ynë është që neni 7 t’u ofrojë komuniteteve pakicë të drejtat që ua ofrojnë edhe instrumentet e Këshillit të Evropës dhe standardet më të larta të Bashkimit Evropian. Ato tashmë ekzistojnë në Kushtetutën e Kosovës, por jemi të gatshëm të diskutojmë përbrenda modeleve të avancimit të të drejtave të pakicave, por pa rrezikuar kushtetutshmërinë e vendit tonë, parimin e sistemit unitar dhe funksionalitetin e brendshëm e integritetin territorial e sovranitetin. Parime që as nuk i shkel e as s’do t’i shkelë askush. Parime të betonuara në Kushtetutën tonë, mos e shihni nenin 7 vetëm si lexohet ashtu sepse bashkë me të gjitha nenet tjera janë në diskutim e sipër e do të diskutohen edhe në Ohër që plani i zbatimit t’i zbërthejë”, ka deklaruar Osmani.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *