EditorialKryesore

Serbia, vrasëse dhe vetëvrasëse

Shkruan Elvis Hoxha

Nëse ne nuk e themi se Serbia është vendi që vret kryeministrin e vet, evropianët kanë edhe më pak arsye ta kujtojnë e ta thonë. Po nuk folëm ne, ndërkombëtarët do të heshtin dhe do të bëjnë sikur nuk ka ndodhur. Sepse ndërkombëtarët nuk kanë për qëllim ekzistencial të tyre as të ndreqin moralisht Serbinë, e as t’i mbrojnë shqiptarët kur shqiptarët heshtin.

Kudo, në çdo bisedë, në qytetet e Evropës dhe Amerikës, në bisedat me çdo të huaj, duhet të përsërisim se pushtetet serbe janë përzjerje mes krimit gjenocidal ndaj fqinjëve dhe vetëvrasjes së brendshme. Sa më shumë të huaj të takojmë, duhet t’u përmendim:

1. Se toka e Serbisë është e mbjellë me varre masive të etnive të tjera;

2. Se masakrat në BH dhe Kosovë janë programi i akademisë serbe të shkencave dhe jo vetëm marrëzia e Milosheviçit;

3. Se të ndëshkuarit në Hagë janë hiçmosgjë dhe se u fsheh lidhja mes aparatit shtetëror serb dhe gjenocidit në Bosnjë;

4. Se Dick Marti u shpik për të ndërruar vendin e xhelatit me viktimën;

5. Se të zhdukurit shqiptarë janë ende 1600 në numër;

6. Se emrat e Gërvallës, Aganit, Hotit, etj., janë emra që kishin dije perëndimore që serbët nuk mund ta duronin;

7. Se me numrin e shekujve të burgjeve politikë shqiptarët e Kosovës, vetëm 2 milionë në numër, Evropa mund të nxjerrë 2 mijë Mandela, dhe se çmimi Saharov i përket njërit prej tyre, Adem Demaçit;

8. Se protestat e përhershme të Kosovës për Republikë kanë treguar se në Jugosllavinë e dashur për evropianët ekzistonte një popull që duhet të flijohej, dhe këta ishin shqiptarët;

9. Se serbët e kanë në akademi programin e dhunimeve seksuale si pjesë të gjenocidit dhe krimeve të luftës;

Lexo më shumë  Kroacia i merr aeroplanët që Serbia i kërkon nga Franca

10. Se familja Jasharaj është shembull aq i madh sa evropiani dhe amerikani nuk e ka parë ndonjëherë, ndaj dhe duhet ta dijë, ta mendojë, ta imagjinojë sa mundet;

11. Se Dubrava është akti më barbar dhe frikacak i aparatit ushtarak dhe policor serb, sa dhe akti më i madh dhe trim i të burgosurve politikë shqiptarë;

12. Se Vuçiçi është ndjekësi i fashizmit çetnik serbo-sllav, shembulli më i mirë është kur fajëson opozitën e vet se ka liruar 1800 shqiptarë prej burgjeve në 2001-shin;

13. Se në programin e akademisë serbe nuk janë vetëm rrafshimet e fshatrave dhe shpërnguljet masive të shqiptarëve por dhe shkatërrimi i vendeve të kultit të shqiptarëve, për t’u ngritur mbi ta manastiret serbe, gjenocid historik dhe kulturor;

14. Se asociacioni apo Zajednica që kërkon Vuçiçi është një tjetër republikë serbska;

15. Se në komunat shqiptare të Serbisë gjenocidi i heshtur vazhdon me zhdukje të adresave;

16. Se në Maqedoni një popull i madh në numër, shqiptarët, përdoret si garanci e një shteti të shpikur, Maqedonia e Veriut;

17. Se veriu i Mitrovicës është spastruar nga shqiptarët, etj.

Kjo nuk bëhet vetëm nga qeveria. Qeveria takon ndërkombëtarë dhe jo qytetarët evropianë. Qytetarët evropianë nuk e lexojnë historinë tonë po nuk i nxitëm ne. Këto duhet t’i dijnë qytetarët evropianë që paguajnë taksa për pagat e përfaqësuesve të tyre në instirucionet e BE-së. Me qytetarët evropianë duhet të flasim të gjithë ne, me cilindo që njohim dhe në çdo bisedë që kemi me të huajt. Kjo mund të bëhet më lehtë dhe sidomos nga mërgimtarët që kanë kontakt të përditshëm me qytetarët evropianë dhe amerikanë. Përvoja e mërgimtarëe tanë ka qenë e shkëlqyer gjatë luftës. Nmërgata jonë i ka tronditur gjermanët, zviceranët e francezët me patriotizmin e vet. Duhet ta bëjmë sërish këtë punë të lodhshme, por kombëtare.

Lexo më shumë  “Kursi më i vështirë i ushtrisë, stërviten deri në rraskapitje”, oficeri i FSK-së përfundon me sukses trajnimin Ranger në ShBA

Sa herë që i kujtohet Evropës në mënyrë zyrtare nga Kosova se Serbia është shtet tërësisht kriminal, pra një shtet që vret Gjingjiçin dhe Jovanoviçin, shumë komente të orientuar me urdhër thonë se po i qahet halli serbëve të vrarë nga serbët. Kjo është një politikë e dëmshme të cilën merret vesh se e orientojnë grupe të caktuar. Po secili le të punojë për qëllimin që ka zgjedhur. Për sa më takon mua dhe shumë të tjerëve, kemi zgjedhur t’u përsërisim të gjithë evropianëve që njohim se cila është Serbia. Ky argument u duhet evropianëve kur mendojnë politikisht dhe moralisht. Kjo njohje u nevojitet intelektualëve spanjollë që sot po deklarojnë haptas se mosnjohja e Kosovës është një turp për Spanjën sepse e vendos në të njëjtin rend me Serbinë gjenocidale.

Natyrisht që ata që komentojnë kundër kujtimit të vrasjes së kryeministrit serb nuk e kanë hallin se po përmendet Gjingjiqi, por vetëm të godasin kryeministrin në pozitën e tij si përfaqësues i Kosovës në dialogun evropian.

Deviza e kryeministrit para evropianëve, në parlamentin e tyre ka qenë e qartë: “Nuk është Kosova që duhet çliruar nga Serbia, por Serbia që duhet çliruar nga Kosova”.

Nëse secili prej nesh vepron pa u lodhur, evropianët do të dijnë shumë mirë dy sende:

1. Serbia është shteti që e ka mbështetur tërë jetën e vet mbi mitin e vetëvrasjes, ndaj ka lindur dhe është rritur si shtet vrasës gjenocidal. Po nuk e thamë ne, evropianët e tjerë që nuk kanë ndonjë synim moral, por vetem gjeopolitik dhe gjeoekonomik në lidhje me Serbinë, nuk kanë pse ta thonë.

2. Se ne dimë të mos harrojmë, dhe se kërkojmë rehabilitimin në kohën dhe me strategjinë e duhur.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *