Ushtarët rusë me video-mesazh për Putinin: Po përdorim armë të viteve të 40-ta
Ushtarët e mobilizuar rusë që luftojnë në Ukrainë, kanë regjistruar një video mesazh për presidentin rus Vladimir Putin, në të cilin ankohen për pajisjet e vjetra dhe mungesën e një zinxhiri komandues efektiv.
Që nga fillimi i luftës, ka pasur shumë raporte për moral të ulët midis ushtarëve rusë dhe mungesë trajnimi dhe pajisjesh, veçanërisht për ata të rekrutuar si pjesë e mobilizimit të shpallur në fund të shtatorit.
Një video e postuar në Twitter tregon një grup ushtarësh rusë në një vend të panjohur.
“I bëjmë thirrje komandantit suprem Vladimir Putin”, thotë një ushtar që flet për pjesën tjetër të grupit.
Ai pretendon se ata janë rekrutuar nga rajonet ruse të Kaliningradit, Murmanskut dhe Arkhangelsk, dhe se ata shërbejnë në Brigadën e 5-të të Motorizuar.
Ai ankohet se regjimentit të tij nuk iu dha asnjë strategji apo taktikë. Ai shton se ata janë dërguar në sulme pa bashkëpunim me komandantët, pa mbështetje zjarri dhe pa aftësi për të kryer vëzhgim ditën dhe natën.
“Ne na mungojnë mjetet e blinduara dhe mbështetja e artilerisë para sulmit”, theksoi ai.
Ushtari rus tha se në operacionet ushtarake “përdornin armë nga vitet e 40-ta, duke përfshirë mortaja dhe topa”.
Ai thotë se nuk kishte asnjë zbulim ajror, nuk kishte urdhër luftarakë të shkruar dhe se grupi ishte i përgatitur për mbrojtje territoriale, jo si njësi sulmi.
Gjithashtu shprehet se gjatë detyrës së parë janë vrarë gjashtë pjesëtarë të regjimentit në një istikam.
“Ju kërkojmë t’i kushtoni vëmendje përgatitjes së sulmit të brigadës”, vazhdon ai.
I lutet liderit rus të veprojë urgjentisht sepse thekson se ndaj tyre tashmë po përgatiten “masa ndëshkuese të destinuara për rebelët”, duke përfshirë edhe burgosjen në bodrume.
“Ne nuk jemi keqbërës. Ky është mendimi i çdo individi. Jemi të gjithë 30 deri në 40 vjeç, kemi familje, fëmijë dhe jemi me arsim të lartë”, thotë ushtari.
Një tjetër burrë në grup ankohet për mjetet e vjetra luftarake.
“Njerëzit vdesin për asgjë, dërgohen në sulme frontale, dërgohen në një fushë të zbrazët në shekullin e 21-të. Nuk mund të luftojmë kështu dhe nuk do të arrijmë fitoren me humbje më të vogla”, tha ushtari i paidentifikuar.
Ata akuzojnë udhëheqjen ushtarake ruse se ka shpërdoruar automjete dhe artileri në fronte të tjera për të shpëtuar jetën e ushtarëve, ndërsa “këtu po ndodh krejt e kundërta”.
“Nuk jemi mish për top, jemi gati të luftojmë me dinjitet” , përfundojnë mesazhin e tyre ushtarët.
Analistët perëndimorë kanë thënë muajt e fundit se forcat ruse po mbështeten në pajisje gjithnjë e më të vjetra, për shkak të humbjeve të mëdha të pajisjeve të reja.
Rruga Press