Shefi i Pentagonit: Bakhmuti ka më shumë vlerë simbolike sesa strategjike
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin tha të hënën se nëse trupat ruse arrijnë të marrin kontrollin e qytetit lindor të Ukrainës, Bakhmutit, kjo gjë nuk do të sillte një ndryshim vendimtar në konflikt.
“Mendoj se ka më shumë vlerë simbolike sesa vlerë strategjike dhe operacionale“, u tha Sekretari Austin gazetarëve gjatë një vizite në Jordani.
Prej muajsh Bakhmuti është përfshirë nga luftimeve intensive mes përpjekjeve të Rusisë për të marrë kontrollin e këtij qyteti, që shtrihet në provincën Donetsk të Ukrainës.
Austin tha gjithashtu se një vendim i forcave ukrainase për të dislokuar trupat në perëndim të qytetit, nuk do të përbënte sipas tij një problem strategjik për Kievin.
Por sot ushtria e Ukrainës njoftoi për një raund të ri sulmesh ruse gjatë të cilave u përdorën dronë të prodhuar nga Irani.
Në një njoftim në Twitter, ministria ukrainase e Mbrojtjes shkruante se forcat e saj kishin arritur të rrëzonin 13 prej 15 dronëve të lëshuar.
Moska ka përdorur dronë ‘Shahed’ për të goditur objektivë në të gjithë Ukrainën, përfshirë objekte infrastrukturore.
Po kështu Rusia njoftoi se ministri i Mbrojtjes, Sergei Shoigu vizitoi të hënën ushtarët rusë si dhe një qendër mjekësore në qytetin e Mariupolit, të cilin Rusia e rrafshoi vitin e kaluar. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, Shoigu vizitoi qytetin me qëllimin për të mbikëqyr përpjekjet për rindërtimin e tij, por pa dhënë detaje se kur u zhvillua vizita./VOA
Rruga Press