Rifat Jashari nderohet me “Urdhrin e Lirisë”, krerët shtetërorë e quajnë Prekazin kryeqytet i kryengritjes shqiptare
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani i ka ndarë përfaqësuesit të familjes Jashari, Rifat Jasharit “Urdhrin e Lirisë”.
Këtë dekoratë Osmani ia ndau gjatë vizitës që pati në shtëpinë e Jasharajve me rastin e 25 vjetorit të Epopesë së UÇK-së.
Osmani ka thënë se këto data janë mundësi e mirë që çdo qytetar të tregojë përkujtimin e tij për gratë dhe fëmijët e familjes Jashari.
“Ata nuk i kurseu regjimi gjenocidal i Serbisë. Siç e dini në mesin e të vrarëve kishte edhe fëmijë 5-vjeçar dhe kujtimi për ta do të jetë i përjetshëm”, ka thënë Osmani.
Kryeministri Albin Kurti, e quajti Prekazin kryeqytet i kryengritjes shqiptare, ndërsa familja Jashari, tha se kujtohet me mall dhe me krenari.
“Para 25 vjetëve, 3 breza të Jasharajve luftuan 3 ditë rresht me mijëra forca policore të Serbisë që e kishin rrethuar kullën e Jasharajve, në mënyrë të shumëfishtë. Ranë gjithsej 59 veta. Ne kthehemi e rikthehemi në kryeqytetin e kryengritjes shqiptare për ta kujtuar e përkujtuar epopenë e UÇK-së, që i dha hov dhe mundësoi çlirimin dhe lirinë e vendit tonë”, tha Kurti.
Kryeparlamentari, Glauk Konjufca ka thënë se rrënjët e vërteta të UÇK-së janë në luftën heroike e të lavdishme të Jasharajve.
“Përveç kësaj edhe Bashkësia Ndërkombëtare lëvizi dhe e kuptoi luftën tonë mbrojtës. Për popullin e Kosovës kjo mbetet një ndër ngjarjet më të rëndësishme”, ka thënë ai.
Rruga Press