Kur diplomacia bie në kurthin e vet
Nga Sadri Ramabaja
Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak, në një bashkëbisedim me “Atlantic Council” ka folur për zhvillimet gjatë takimit të 27 shkurtit në Bruksel.
Diplomati sllovak me këtë rast, duket qartë, bën përpjekje të sforcuar që të mbulojë pozicionimin proserb që pati dyshja europiane gjatë takimit Kurti-Vuçiq.
Siç dihet tashmë, presidenti serb megjithëse në parim u dakordua me draftin e marrëveshjes, ai nuk pranoi ta nënshkruante. Ky akt do të duhej të pasonte me sanksione nga pala europiane. Vetëm mund të supozojmë po të kishte këtë qëndrim pala kosovare.
“Reagimi ynë ishte që kjo do të ishte e parakohshme. Kjo marrëveshje nuk është gjë e vogël, por pa pjesën e implementimit është më shumë një deklaratë politike se sa një marrëveshje ligjërisht obligative kështu që thamë le të presim me nënshkrim derisa të kemi një kuptim të plote dhe marrëveshje të plotë se si do ta implementojmë”, ka thënë Lajçak në Atlantic Council.
Kjo deklaratë e emisarit Lajçak ndërkohë ka për objektiv arsyetimin e shmangies së sanksioneve ndaj palës serbe që de fakto reuzoi nënshkrimin e marrëveshjes.
Lajçak sikur harron se edhe deklarata e prillit 2013 ishte politike, por si e tillë ishte nënshkruar për t’i hapur rrugë marrëveshjes së parimeve të 2015-ës.
Përmes qëndrimeve të dyshes së BE-së në raport me Kosovën po vihet në pikëpyetje përfaqësimi serioz e legjitim dhe vet roli i BE-së në përmbushjen e objektivit diplomatik konform rezolutës së OKB-së të vitit 2010 që obligon Brukselin si palë ndërmjetësuese e dialogut për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Lajçak me këtë rast e vë në pikëpyetje faktin se kë përfaqëson: Brukselin apo interesat e dikujt tjetër. Si ish student i Moskës, ai ka parasysh peshën e tensioneve ndërmjet ndjeshmërisë individuale dhe kërkesave shtetërore, të cilat mund të përdoren pa dëmtuar Kosovën.
Borreli dhe Lajçaku e kanë të qartë se dokumenti i propozuar dhe tashmë i shndërruar në marrëveshje obligative ka mbështetjen e fuqishme edhe nga amerikanët dhe nga vendet evropiane që nuk janë anëtarë të BE-së, si Britania e Madhe, Zvicra, Norvegjia. Deklaratat e Lajçakut prandaj duhet të jenë konform frymës së diplomacisë së BE-së dhe interesave të këtyre shteteve mbështetëse të procesit të normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Ky impenjim i perendimit si tërësi, ka në konsideratë balancin e ri gjeopolitik dhe rrjedhimisht edhe balancimin e interesave që lejojnë qeveritë të veprojnë ende si shtete sovrane pa braktisur parimet e demokracisë përfaqësuese, por duke përfshirë ndikimin dhe potencialin e aktorëve të tjerë.
Diplomatët e kujdesshëm e perceptojnë se kur identiteti dhe emocionet takohen, publiku gjithsesi bëhet entitet pjesëmarrës me ndikim në rrjedhën e ndryshimeve të vazhdueshme.
Paragjykimi që duket se kishte dyshja europiane, kishte të njejtin burim informacioni si edhe ai i Vuçiqit. Ata paraprakisht ishin informuar se marrëveshja do të refuzohet nga pala kosovare, prandaj diplomatët e Brukselit që më së paku përfaqësojnë Brukeslin, tok me Vuçiqin, ranë në kurthin që ia kishin pregaditur kryeminsitrit tonë, Albin Kurti.
Dyshja e diplomacisë europiane besoj se e kanë të qartë konceptin e Edward Luttwak mbi autizmin në diplomaci. Në librin e tij Ngritja e Kinës kundër Logjikës së Strategjisë, Luttwak flet për faktin kur fuqitë janë pre e pikëpamjeve të thjeshtuara të ngritura mbi bazamentin e realitetit mashtrues. Në këtë kurth të “autizmit strategjik” BE-ja nuk ua kishte për borxh as Borellit e as Lajçakut që ta sillnin diplomacinë perendimore.
Rruga Press