KryesoreOpinion/Aktualitet

BE nuk po bën dot antiruse Hungarinë, si do të bëka Serbinë?

Nga Shaban Murati

Megjithë ekzaltimin e papërputhshëm me përvojën diplomatike dhe me moshën në deklaratën pas takimit trepalësh me Kurtin dhe Vuçiçin në Bruksel në 27 shkurt, shefi i diplomacisë së BE Joseph Borrell nuk e mbuloi dot pafuqinë diplomatike gjenetike të BE.

Gjithë ajo BE nuk qe në gjendje t’i marrë presidentit të Serbisë as siglën, pa le më firmën e plotë, për propozimin e BE të normalizimit të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës, propozim i  miratuar në nivelin më të lartë nga krerët e shteteve dhe të qeverive të të gjitha vendeve anëtare të  BE.

Kur gjithë ajo BE, që pretendon të jetë fuqi globale dhe lojtar botëror, nuk qe në gjendje t’i marrë një sigël dhe të detyrojë presidentin e vogël serb t’i bindet zërit dhe vendimmarrjes europiane, vetvetiu lind pyetja tragjike hamletiane: Si do të arrika kjo BE që ta shndrrojë presidentin serb dhe Serbinë nga instrumente filorusë në filoBE?

Prapa kuintave, në tavolinat diplomatike, diplomacia e BE e justifikon këtë dëshmi diskredituese pafuqie dhe lëshimi të madh ndaj Serbisë, e cila refuzoi të verë madje siglën në marrëveshjen europiane të normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, me strategjinë e madhe diplomatike të shkëputjes së Serbisë nga aleanca me Rusinë dhe për ta vënë në varësi të BE.

Shefi i diplomacisë së BE Borrell nuk ka qenë, kur u nënshkrua në 19 prill 2013 Marrëveshja e parë e normalizimit midis Serbisë dhe Kosovës, por atëhere të paktën diplomacia e BE arriti të marrë firmat kryeministrave të të dy vendeve. Tani kemi një zbythje të diplomacisë së BE dhe një konfirmin të dobësisë së saj klasike në Ballkan, sepse pas 10 vitesh nga marrëveshja e parë nuk është në gjendje as t’i  marrë siglën presidentit të Serbisë.

Me të drejtë në disa qarqe serioze diplomatike shtrohet pyetja se sa marrëveshje të tjera normalizimi Serbi-Kosovë do të prodhojë si filma serialë BE që të arrijë rezultatin e SHBA në Dejton, që e detyruan Millosheviçin dhe Serbinë të njihte shtetet e pavarura, që dolën nga ish-Jugosllavia?

Nga pikëpamja diplomatike kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, veproi drejt që e pranoi propozimin e ri europian të normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovs dhe Serbisë  dhe që shprehu gatishmërinë ta nënshkruante atë.

Por përfaqësuesit e diplomacisë së BE, Borrell dhe Lajçak, nuk gjetën dot fjalë lavdërimi të veçonin aktin specifik pozitiv të kryeministrit të Kosovës. A e imagjinoni dot se çfarë do të kishin bërë dy ndërmjetësit diplomatikë të BE, nëse Vuçiç do të kishte pranuar të nënshkruante dhe Kurti të kishte refuzuar?

Natyrisht justifikimi i diplomacisë së BE se me lëshimet dhe miklimet po i bëhen Serbisë nga Brukseli synohet ta shkëpusin nga aleanca me Rusinë, është shou për naivët,  por nuk kalon dot te njohësit e punëve në Serbi dhe në Ballkan që nga viti 1991 i shembjes së federatës komuniste jugosllave.

Në qarqet diplomatke dhe analitike shtrohet si çeshtje kardinale nëse ka fuqi dhe nëse don vërtet BE e sotme që ta shkëpusë Serbinë nga aleanca  strategjike me Rusinë. Të shumtë janë ata që e venë në dyshim këtë objektiv jo bindës të BE, duke pasur parasysh gjithë historinë e mosefektivitetit dhe të performancës diplomatike europiane qysh nga hapja e bisedimeve Serbi-Kosovë në Bruksel me ndërmjetësimin e BE, 12 vjet më parë.

Është vërtetë paradoksale se si diplomacia e BE shpreson të bëjë antiruse Serbinë, kur BE nuk po arrin dot të bëjë antiruse Hungarinë, që është anëtare e BE dhe e NATO-s, që s’ka lidhje as me gjuhën e as me racën, as me fenë e as me historinë e Rusisë, që u pushtua nga trupat ruse në 1945 edhe u ripushtua nga trupat ruse në 1956, kur tanket ruse masakruan me mijra hungarezë nëpër rrugët e Budapestit në kryengritjen antikomuniste të tetorit 1956.

Jo larg por në 27 shkurt kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, në fjalën e mbajtur në hapjen e sesionit pranveror të parlamentit hungarez, ndërmori një provokacion të hapur prorus dhe antieuropian e antiatlantik me deklaratën se disa shtete të BE mund të çojnë trupa në Ukrainë. Orban deklaroi: “Gjithë Europa po rrëshqet në luftë. Nëse gjërat do të vazhdojnë kështu do të ketë nga ata shtete, që mund të çojnë trupa në Ukrainë. Ata dëshirojnë që të na tërheqin ne në këtë lufte”.

Lexo më shumë  28 Nëntori festohet edhe në Malin e Zi, në “Sheshin Skënderbeu” vendoset monumenti i Gjergj Kastriotit

Pra kemi tezat dhe qendrimet e presidentit rus Putin se BE dhe NATO janë agazhuar direkt në luftë kundër Rusisë në Ukrainë dhe tani pritet të dërgojnë direkt në beteja trupa atlantike. Sipas Kremlinit, kjo ndërhyrje e NATO-s dhe e BE-së përligj agresionin ushtarak rus kundër Ukrainës.

Kryeministri Orban i përket një shteti anëtar të NATO-s dhe të BE-së, i cili e din fare mirë se kush është shkaktari dhe agresori, që po ndërmerr masakra masive kundër popullit ukrainas. Por kryeministri filorus i Hungarisë ka marrë përsipër misionin e mbrojtjes së presidentit rus dhe të agresionit rus dhe në këtë linjë lëshon alarm fals se disa shtete të BE dhe të NATO-s pritet të çojnë trupa në Ukrainë.

As NATO dhe asnjë shtet i NATO-s nuk kanë  ndërmend që të angazhohen direkt me trupa në luftë me Rusinë, sepse kjo do të thonte që të gjithë shtetet anëtare të hynin në luftë, në një kohë që ata nuk kanë asnjë detyrim juridiko-kontratual me Ukrainën, siç kanë për njeri-tjetrin.

Gjithashtu kryeministri hungarez përsëriti qendrimin e tij të njohur se Hungaria është kundër sanksioneve të BE ndaj Rusisë, se është kundër ndihmave ushtarake që BE dhe NATO po i japin popullit të Ukrainës dhe se Budapesti nuk do të dërgojë ndihma ushtarake për Ukrainën.

Si një qendrim i ri antiatlantik i Budapestit është konsideruar në qarqet diplomatike qëndrimi i Hungarisë për të zvarritur ratifikimin në parlament të pranimit të Suedisë dhe të Finlandës në NATO. Hungaria është shteti i vetëm ish-komunist anëtar i NATO-s, që nuk e ka ratifikuar kërkesën e dy shteteve nordike për pranim në NATO. Deputetët e partisë së kryeministrit e kanë penguar dhe bllokuar deri tani procesin parlamentar të ratifimit me pretekste artificiale.

Agjencia “Asoshiejted Press” njoftonte në 23 shkurt se Hungaria do të çojë në Suedi dhe në Finlandë një delegacion parlamentar për të zgjidhur mosmarrëveshjet politike, që kanë ngritur dyshime te deputetët hungarezë. Është një qendrim obstruksionist, që përputhet me interesat e Rusisë, e cila kundërshton anëtarësimin e Suedisë dhe të Finlandës në NATO, sepse dy shtetet nordike e vendosën aplikimin e anëtarësimit në NATO për shkak të agresionit rus kundër Ukrainës dhe të shtimit të rrezikut rus për të dy shtetet nordike.

Përballë këtij realiteti të pafuqisë tronditëse të BE, që nuk është në gjendje që të bindë apo të detyrojë kryeministrin hungarez Orban dhe Hungarinë të shkëputen nga “russian conections”, njerëzit në Ballkan dhe në Europë kanë të drejtë të mendojnë se nuk mund dhe nuk duhet të ketë iluzione në zyrat diplomatike të BE se ata do të arrijnë të shkëpusin presidentin filorus serb dhe qeverinë filoruse serbe nga aleanca strategjike me Rusinë.

Mund të thuhet se agresioni ushtarak rus i vitit 2022, që po vazhdon sot e kësaj dite, ishte një rast i artë për diplomacinë e BE për të ndarë me shpatë lidhjen ombelikale të Serbisë me Rusinë. Duke parë pafuqinë e BE, Serbia vendosi ta sfidojë Brukselin dhe të konfirmojë besnikërinë ndaj protektorit të madh rus. Ajo refuzoi ta dënonte agresionin ushtarak rus në Ukrainë dhe iu sul vendeve të NATO-s dhe të BE për ndërhyrjen e tyre në vitin 1999 kundër agresionit ushtarak serb në Kosovë.

Serbia refuzoi të bashkohej me 35 deklarata politike të BE kundër Rusisë. Serbia refuzoi qysh në fillim të bashkohej me sanksionet antiruse të BE. Presidenti serb Vuçiç nuk e ka dënuar kurrë me emër presidentin rus Putin, që është arkitekti dhe drejtuesi kryesor i agresionit kriminal.

Serbia gjatë një viti të agresionit rus në Ukrainë ka ndihmuar Rusinë të shkelë sanksionet e BE dhe ka lejuar Rusinë të hapë mbi 3.000 firma dhe kompani të reja ruse në Beograd, që nën etiketën serbe të zhvillohet tregëtia ruse me vendet e BE.

Lexo më shumë  Dita e Forcës, Kurti: Kemi shumëfishim të pajisjeve nga Turqia, Gjermania, Kroacia...

Gabimi i parë i madh i diplomacisë së BE është që nuk vendosi sanksione diplomatike, politike dhe ekonomike ndaj Serbisë për ta detyruar atë që të bashkohej me sanksionet e BE, siç e ka detyrimin e harmonizimit të politikës së jashtëme të saj me atë të BE, sepse është shtet kandidat.

Diplomacia e BE nuk dëgjoi thirrjet e shumta të drejtuara nga Parlamenti Europian që Serbisë t’i pezulloheshin bisedimet e pranimit në BE për shkak të refuzimit të sanksioneve antiruse. Diplomacia e BE zgjodhi qendrimin vetëposhtërues të lutjeve ndaj Serbisë për t’iu bashkuar sanksioneve kundër Rusisë. Natyrisht Serbia dhe presidenti i saj u tallën me lutjet sureale të diplomacisë së BE dhe shkallëzuan lidhjet e ngushta me Rusinë.

Gabimi i dytë i madh i diplomacisë së BE është që në kohën e agresionit ushtarak rus në Ukrainë, në vend që të detyronte Serbinë të njihte Kosovën dhe të bllokonte kështu hovin dhe plasdarmën serbe të Rusisë për ndezjen e tensioneve në Ballkan, zgjodhi rrugën e  kundërt: atë të lëshimeve të reja ndaj Serbisë në dëm të Kosovës.

Kur NATO dhe Perëndimi ishin të shqetësuar nga zjarri i agresionit rus në Ukrainë dhe presidenti serb Vuçiç me porosi të  Moskës katër herë me rradhë gjatë një viti po përpiqej të ndezte flakët e luftës në mes të Ballkanit në kufirin me Kosovën,  diplomacia e BE nuk u ngrit asnjëherë kundër presidentit serb, por u hodh kundër Kosovës, e cila po shkelte supremacinë racore serbe në Veri të Kosovës, sepse kërkonte zbatimin e reciprocitetit për targat e automjeteve, sipas marrëveshjes së nënshkruar me Serbinë qysh në vitin 2016, dhe që Serbia nuk e zbatoi kurrë dhe as BE nuk ia kërkoi kurrrë.

Diplomacia filoserbe e BE harroi dhe nuk e vuri në rendin e ditës dhe as në dokumentat e saj kushtin e vetë BE që Serbia nuk hyn në BE pa e njohur Kosovën. Nuk u fut ky kusht i BE as në propozimin europian të normalizimit të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës të paraqitur palëve në shtator të vitit 2022.

Diplomacia e BE ndoqi rrugën e gabuar dhe të rrezikshme që të joshte Serbinë me lëshime të reja në dëm të interesit shtetëror dhe sovranitetit të Kosovës. Prioritarizimi i befasishëm nga diplomacia e BE e çeshtjes së zajednicës serbe dhe deprioritarizimi i njohjes reciproke si produkt qendror i dialogut, mund të quhet  një impostim skandaloz i diplomacisë së BE në një rreshtim në favor të shtetit agresor kundër Kosovës dhe humbës ndaj NATO-s në vitin 1999.

Nuk duhet harruar se diplomacia e BE edhe në kohën e Millosheviçit u përpoq të ruante Jugosllavinë Federative të sunduar nga Serbia. Ajo nuk njohu as Slloveninë dhe as Kroacinë në vitin 1991 si shtete të pavarura dhe u desh vizioni dhe vendimi largpamës dhe i veçuar i Gjermanisë, që i njohu menjëherë të dy shtetet e pavarura.

Do të duhej vendosmëria e SHBA me Dejtonin amerikan që presidenti serb Millosheviç dhe Serbia të detyrohej me forcë që të njihte gjitha shtetet e pavarura, që dolën nga ish-Jugosllavia. Edhe pas çlirimit të Kosovës nga NATO diplomacia e BE nuk diti të orientohej siç duhet dhe nxorri doktrinën e dëmshme të simetrisë së fajit, ku fajin për luftrat në Jugosllavi ia veshi të gjithëve dhe jo Serbisë.

Simetria e fajit u përdor për të mbuluar anësinë diplomatike në favor të Beogradit, kur u hapën bisedimet në Bruksel midis Serbisë dhe Kosovës me ndërmjetësimin e BE. Nuk është rastësi që përfaqësuesit më të lartë diplomatikë të BE në dialogun Serbi-Kosovë janë të dy nga shtete që nuk e njohin Kosovën.

Ndaj është mision i pamundur objektivi që ka shpallur diplomacia e BE për të shkëputur presidentin serb Vuçiç dhe Serbinë nga Rusia.  Dipolomacia e BE e ka edhe gurin, edhe arrën, që të detyrojë Serbinë edhe për t’u  bashkuar me sanksionet antiruse, edhe për të njohur Kosovën. E vërteta e hidhur është se ajo nuk ka predispozicionin për ta bërë këtë gjë.

Duke mos zgjidhur dot problemet në oborrin e saj BE provon kështu se nuk mund të arrijë dot të bëhet fuqi globale dhe aktor botëror. /gazeta dita/

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *