Lajme

Qeveria e Kosovës tregon detaje nga takimi i Brukselit: Serbia s’ishte e gatshme ta nënshkruajë propozimin e BE-së

Një ditë pas takimeve në Bruksel, Qeveria e Kosovës në një komunikatë për media ka dhënë detaje nga diskutimet me palën serbe dhe ndërmjetësit. Sipas komunikatës së Qeverisë, Kosova është treguar e gatshme të nënshkruajë “Marrëveshjen Bazë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, por se nënshkrimi është refuzuar nga Serbia.

Njoftimi thekson se është arritur dakordimi që teksti i propozimit të BE-së, mbështetur nga Gjermania, Franca, Italia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të mos ndryshojë. Aty thuhet po ashtu se edhe pse Serbia nuk është treguar e gatshme ta nënshkruajë propozimin, palët do të nisin bisedimet për planin e zbatimit.

“Kryeministri Kurti shprehu gatishmërinë për nënshkrimin e Marrëveshjes Bazë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ashtu siç është propozuar nga Bashkimi Evropian dhe mbështetur nga Gjermania, Franca, Italia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Mirëpo, pala serbe e refuzoi nënshkrimin. Në takimin trilateral, u dakordua që teksti i Propozimit të BE-së të mbetet i pandryshuar, edhe pse Serbia ende nuk është treguar e gatshme për ta nënshkruar. Palët do të fillojnë bisedimet për planin e zbatimit. Ky plan duhet të përmbajë detaje konkrete dhe të jetë gjithëpërfshirës, të ofrojë efektivitet në zbatim dhe të jetë i sekuencuar në mënyrë të balancuar”, thuhet në njoftim.

Lexo më shumë  Miq me benefite/ Buxheti i shtetit paguan 3.1 milionë euro çdo muaj për kompaninë e mikut të kryeministrit

Sipas Qeverisë, teksti i dakorduar është “mes palëve që e njohin njëra-tjetrën si të barabarta, dhe është arritur mbi bazën e respektimit të barazisë sovrane të shteteve, respektimit të pavarësisë, autonomisë dhe integritetit territorial të tyre”.

“Marrëveshja, mes tjerash siguron edhe njohjen e ndërsjellë të dokumenteve dhe simboleve shtetërore mes Kosovës dhe Serbisë, vendosjen e misioneve të përhershme si dhe garanton se asnjëra palë nuk e përfaqëson apo vepron në emrin e tjetrës në sferën ndërkombëtare. Me këtë marrëveshje, Serbia po ashtu obligohet të mos pengojë apo kundërshtojë anëtarësimin e Republikës së Kosovës në cilëndo organizatë ndërkombëtare”, thuhet në njoftim.

Lexo më shumë  Nis marshimi nga sheshi “Skënderbej” drejt Kryeministrisë! Diaspora shqiptare bashkohet masivisht në protestën kundër Ramës, shpaloset flamuri gjigant kuq e zi

Takimi i radhës i nivelit të lartë politik pritet të mbahet gjatë muajit mars.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *