Opinion/Aktualitet

Jo “Asosacion Komunash”, por “Republikë Shqiptare” në Maqedoni!

Nga Kim Mehmeti

Pa dyshim se keni dëgjuar si partinë shqiptare – të cilën kohë më parë e dëbuan nga koalicioni qeverisës – përnjëherë iu ringjall damari i shqiptarisë dhe ka propozuar që edhe shqiptarët e Maqedonisë të kërkojnë atë që duan të realizojnë serbët e Kosovës – “Asosacion të Komunave Shqiptare”.

Dhe ky nuk është rasti i parë që dëshmon se përderisa janë në pushtet, partitë e shqiptarëve të Maqedonisë, shpërfaqen si shumë properëndimore e proshtetërore – me çka bëhen të largëta për shqiptarët e shumë të përshtatshme për maqedonasit dhe për “miqtë tanë perëndimorë” – e porsa mbeten në ‘rrugë’, u kujtohet se në të vërtet është dashur të jenë vetëm proshqiptare.

Tani shtrohet pyetja e logjikshme: ç’është ajo që partive të këtushme shqiptare ua paralizon nervin kombëtar e proshqiptar përderisa janë në pushtet, e që kur janë në opozitë i bënë aq proshqiptare sa të çojnë të mendosh se – për arsye kombëtare – mbase do ishte më mirë sikur atyre me ligj t’u ndalohej pjesëmarrja në qeveri?!

Lexo më shumë  Shqipëria e filipinasve?! Jo! Eshtë koha e fundit kur vendosim ne dhe jo Rama!

Nuk ka dyshim se ‘tenderokracia’ është ajo që atyre ua ngulfat nervin shqiptarë përderisa janë në pushtet, e të qënurit larg grazhdit të shtetit, atyre ua ringjallë ndjesitë kombëtare.

Sidoqoftë duhet thënë se edhe kur janë në opozitë, pra edhe atëherë kur, si në rastin e lartë përmendur,  vjedhin ide dhe projekte serbe, pra edhe atëherë kur mendërisht shpërfaqen si ‘serb të vonuar’, drejtuesit e partive shqiptare në Maqedoni, nuk e kanë guximin e mjeshtërve të destabilizimit të Ballkanit – të politikanëve serbë.

Dhe duke qenë më frikacakë se ‘mentorët’ e tyre politik, ata edhe kur duan ta ndihmojnë qeverinë e Vetëvendosjes në Kosovë, bëjnë një gabim të pafalshëm: tridhjetë për qind të shqiptarëve të Maqedonisë i barazojnë me një autobus serbësh të Kosovës. Kështu që, në vend se të kërkojnë atë që kanë realizuar serbët e Bosnjës – pra ‘Republikën Shqiptare’ në Maqedoni, ata dalin me kërkesë qesharake për ‘Asosacion Komunash’, gjë që u ka hije shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe atyre të Malit të Zi.

Lexo më shumë  Krasniqi: Kushtëzimi i anëtarësimit në KiE me Asociacionin, sinjal i keq për komunitetet joshumicë

Por sidoqoftë, edhe këtë kërkesë duhet parë nga këndvështrimi i mallit që partitë shqiptare shesin në tregun politik të Maqedonisë edhe atë atëherë kur kanë hallin e mbijetesë politike dhe kur mezi presin të rikthehen atje ku do donin të mbeten përgjithmonë – pjesë e “vëllazërisë tenderokrate”.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *