Duhen 17.5 vite punë për të blerë shtëpi në Tiranë; Ndërtuesit: Çmimet s’do bien nën 950 euro/ m²
Çmimet e larta të apartamenteve dhe të ardhurat e ulëta të shqiptarëve vijojnë ta rendisin Tiranën ndër qytetet më të shtrenjta të Europës për përballueshmërinë e blerjes së një prone.
Për të blerë një apartament në Tiranë nevojiten 17,5 vite, ndërsa në qytetin më të shtrenjtë të Europës, Parisi, një familje për t’u bërë pronare prone i nevojiten 20.2 vite.
Në renditjen e Numbeo-s për 332 shteteve në botë për indeksin e përballueshmërisë së blerjes së një apartamenti për vitin 2023 (llogaritet si raport i çmimeve mesatare të apartamenteve me të ardhurat mesatare të disponueshme familjare, të shprehura si vite të ardhurave) Tirana renditet ndër shtetet europiane për apartamentet më të shtrenjta.
Indeksi i përballueshmërisë së blerjes së pronës për Tiranën ka qenë i lartë edhe në indeksin e vitit 2021 përkatësisht me 16.2 vite dhe në 2022 me 15.7 vite.
Për 2023, qyteti më i shtrenjtë në Europë është Parisi me 20.2 vite, që ndiqet nga Lisbona, me 19.6 vite, Dubrovniku dhe Praga me 19.3 vite dhe Milano me 19 vite. Pas Milanos për apartamentet më të shtrenjta në Europë është Tirana.
Në renditjen botërore të Numbeo-s Tirana pozicionohet në vendin e 51, para Mynihut ku një familje për t’u bërë pronare në këtë qytet i nevojiten 16.1 vite, në Vjenë 11.5 vite, në Nju York, 10.2 vite, në Bruksel, 6.7 vite apo në Majami, 5.8 vite.
Në qytetet më shtrenjta në rajon është Beogradi i Serbisë ku duhen 19.6 vite të bëhesh pronar shtëpie. Në rajon, qyteti ku familjeve u duhet më pak vite të ardhura për të blerë një apartament është Sarajeva, me 11.8 vite. Në Shkup ky tregues dhe në Athinë është 15.3, ndërsa në Podgoricë 12 vite.
Qyteti më i shtrenjtë në botë për të blerë një apartament është Shangai në Kinë ku duhen 46.6 vite për të blerë një apartament. Më pas qyteti i dytë më i shtrenjtë në botë është Beijing i Kinës me 45.8 vite vite dhe Hong Kongu me 44.9 vite.
Në Shqipëri për 2023 çmimet e apartamenteve nuk do të ulen
Ndërtuesit paralajmërojnë se në Shqipëri nuk do të ketë rënie të çmimeve të apartamenteve. Aktualisht sipas një vëzhgimi të “Monitor”, çmimet e apartamenteve në shumë zona të kryeqytetit nuk kanë ndryshuar krahasuar me vjeshtën e vitit të kaluar.
Ndërtimet e reja në fillim të zonës së “Komunës së Parisit” edhe këtë vit po shiten që në nisje të investimit me çmime 2,100 deri në 2,200 euro për metër katror.
Ndërtuesi Hajredin Frateri pohon për “Monitor” se çmimet minimale të apartamenteve në zonat larg qendrës apo periferitë nuk pritet të bien nën 750 euro për metër katror, ndërsa çmimi maksimale do të vijojë të jetë deri 950 euro për metër katror.
“Shumë familje të reja po kërkojnë të blejnë shtëpi ndërmjet kreditimit të tyre nga bankat, pavarësisht se interesat e kredive janë rritur. Është e nevojshme që nga bankat e nivelit të dytë pronat ekonomike të kreditohen 100%”.
Fratari parashikon rënie të çmimeve në pronat luksoze, kryesisht të kullave për shkak të çmimit të tyre të lartë.
Ndërtimet e reja, sidomos në Tiranë, janë luksoze dhe kanë si target blerës me të ardhura shumë të larta. Këto të ardhura që përdoren për blerjen e pronave shpesh nuk justifikohen nga burimet zyrtare.
Sektori i ndërtimit ishte një nga tipologjitë kryesore për pastrimin e parave nga Organizatat e krimit të Organizuar për vitin 2020 sipas raportit të Drejtorisë për Parandalimin e Pastrimit të Parave.
Aktorë të tregut të shitjes së pronave të patundshme thanë se në rast se nga qeveria do të miratohet amnistia fiskale, çmimet e apartamenteve do të rriten, pasi do të shtohen flukset e parasë informale për blerjen e tyre. Në të kundërt ekspertë të tregut parashikojnë rënie të çmimeve, sidomos të pronave luksoze/monitor
Rruga Press