Kosova përfiton 75 milionë euro nga Bashkimi Evropian
Qeveria e Kosovës dhe Bashkimi Evropian kanë nënshkruar një marrëveshje financiare në vlerë prej 75 milionë eurosh në kuadër të programit të Instrumentit të Asistencës së Para-anëtarësimit në Bashkimin Evropian, i njohur me akronimin IPA, i cili financohet nga BE-ja për vendet e Ballkanit Perëndimor
Marrëveshja është nënshkruar mes zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe shefit të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog.
Fondet e përfituara të premten nga Kosova, përmes kësaj marrëveshjeje, do shfrytëzohen për sektorin e energjisë.
Marrëveshja hyn në fuqi nga 24 shkurti, tha Bislimi, duke shtuar se këto mjete do ndihmojnë në adresimin e ndikimit të krizës energjetike që Kosova, sikurse shtetet e tjera të Evropës, është duke e përjetuar.
“Ne menjëherë do të bëjmë kërkesë për disbursim të 90 përqind të fondeve të parapara me këtë marrëveshje. Pra për 67.5 milionë euro, të cilat pritet të disbursohen shpejtë në buxhetin e shtetit. Ndërkaq pjesa tjetër prej 7.5 milionë eurove do të shpërndahet gjatë vitit të ardhshëm pas plotësimit të kushteve të caktuara në marrëveshjen financiare”, tha Bislimi.
Edhe shefi i zyrës së BE-së, Tomas Szunyog, u shpreh se me këto mjete Kosova do ruajë qëndrueshmërinë e furnizimit me energji elektrike.
“Kjo është pjesë e 500 milionëshit si ndihmë partnerëve të Ballkanit Perëndimor. Arsyeja pse BE-ja ka mobilizuar këtë është sepse agresioni rus ndaj Ukrainës, ka pas ndikim në tregun botëror, posaçërisht në atë energjetik,” theksoi ai.
Që nga korriku i vitit të kaluar, Qeveria ka vendosur masa emergjente të energjisë për shkak të krizës energjetike të Kosovës.
Për të kursyer energjinë elektrike, Qeveria e Kosovës, në tetor të vitit të kaluar ka ndarë gjashtë milionë euro për subvencionimin e pajisjeve efiçiente për ngrohje, ndërkaq subvencionohen edhe faturat e konsumatorëve të cilët kursejnë energjinë elektrike.
Rruga Press