Inteligjenca e NATO-s: Rusia humb 2000 ushtarë për çdo 100 metra territor të fituar
Sipas inteligjencës së NATO-s, Rusia po humb deri në 2000 njerëz në Ukrainë për çdo 100 metra territor të pushtuar në sulmet e “valës njerëzore”, si ato të Luftës së Parë Botërore.
Shifrat erdhën pasi ministrat e Mbrojtjes të NATO-s u zotuan të pajisnin Ukrainën kundër një ofensive ruse, veçanërisht kundër një kërcënimi ajror, pas raportimeve se Kremlini po grumbullon avionë luftarakë, bombardues dhe helikopterë sulmues në kufijtë e tij perëndimorë, raporton British Times.
Lloyd Austin, sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, ka thënë se NATO ishte “plotësisht i fokusuar” në sigurimin e pajisjeve që do të ishin vendimtare në fushën e betejës, duke i dhënë Kievit aftësinë për të zmbrapsur Rusinë në tre muajt e ardhshëm.
“Forcat tokësore ruse janë goxha të vogla, të çorganizuara dhe shumë të demoralizuara, që është treguesi më i mirë se ata do të përpiqen të kalojnë në luftime ajrore”, ka thënë Austin.
Shtetet e Bashkuara, Gjermania dhe Hollanda po përpiqen të përshpejtojnë dërgimin e baterive të raketave Patriot në Ukrainë, ndërsa Franca dhe Italia po furnizojnë me raketa SAMP/T ose Mamba.
Rruga Press