15 vjet shtet – Urimet për Kosovën nga presidenti Biden, Macron, Steinmeier e Mattarella
Në shënimin e 15 vjetorit të pavarësisë së shtetit, Kosova ka marr urime nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, nga presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, presidenti francez, Emmanuel Macron, presidenti italian, Sergio Mattarella.
Presidenti amerikan në letrën drejtuar presidentes së shtetit të Kosovës, Vjosa Osmani ka uruar më të mirat për popullin e Kosovës.
Në letrën për homologen Osmani, presidenti Biden mirëpret pranimin e propozimit të BE-së nga Kosova me qëllimin përfundimtar të njohjes reciproke.
“Në emër të popullit të Shteteve të Bashkuara, ju dërgoj urimet tona më të mira për ju dhe popullin e Kosovës, gjersa shënoni 15 vjetorin e pavarësisë së vendit tuaj. Përgjatë viteve të fundit, Kosova dhe Shtetet e Bashkuara kanë forcuar institucionet demokratike për të ofruar në mënyrë të barabartë efektive qeverisje të mirë, sundim të ligjit dhe mundësi për qytetarët në të dy vendet tona”, ka thënë Presidenti Biden në letrën e tij.
Ndër të tjera, Biden ka shprehur mbështetje për integrimin e Kosovës në institucionet euroatlantike, si dhe për dialogun me Serbinë.
“Ne mirëpresim miratimin tuaj të propozimit të BE-së për normalizimin, me qëllimin përfundimtar të njohjes reciproke, e cila do të ndihmonte në sigurimin e një të ardhmeje më të qetë dhe më prosperuese për popullin e Kosovës dhe Serbisë”, ka shkruar Biden.
Kosova urime për 15 vjetorin e shtetësisë ka pranuar edhe nga presidenti i Republikës Federale të Gjermanisë Frank-Walter Steinmeier.
Në letrën e tij, presidenti Stenimeier ka përmendur angazhimin e Kosovës për vlera evropiane dhe në këtë kontekst ka vlerësuar partneritetin në raport me luftën e paprovokuar të Rusisë në Ukrainë.
“Jam i lumtur që vitin e kaluar gjatë samitit të Procesit të Berlinit në Berlin me nënshkrimin e tre marrëveshjeve rajonale të mobilitetit mundëm të arrijmë një sukses dhe të hedhim një hap të mirë përpara për krijimin Tregut të Përbashkët Rajonal domethënës për zhvillimin ekonomik të rajonit. Qëllim i përbashkët i Kosovës dhe Gjermanisë mbetet integrimi i vendit tuaj në bashkësinë ndërkombëtare. Gjermania e mbështet perspektivën evropiane të Kosovës”, ka theksuar në letër presidenti Steinmeier.
Edhe presidenti francez, Emmanuel Macron ka uruar shtetin e Kosovës, duke thënë se Franca mbështet Kosovën në përpjekjet e saj për forcimin e sundimit të ligjit.
“Situata e re gjeopolitike e krijuar nga lufta e agresionit rus në Ukrainë ka bërë që Bashkimi Evropian të forcojë angazhimin e tij politik, ekonomik dhe të sigurisë në Ballkanin Perëndimor […] Në këtë drejtim, përshëndes solidaritetin e treguar nga Kosova për pritjen e refugjatëve dhe gazetarëve ukrainas”, ka thënë Presidenti Macron.
Ndër të tjera, Presidenti Macron ka bërë thirrje për forcim të marrëdhënieve dypalëshe, ndërsa ka inkurajuar Kosovën që të vazhdojë me vendosmëri përpjekjet e ndërmarra për forcimin e sundimit të ligjit, në mënyrë që ta lehtësojë integrimin evropian, duke thënë se mund të llogaris në përkrahjen e Francës.
Të enjten shtetin më të ri në Evropë që shënon tashmë 15 vjet shtet e ka uruar edhe presidenti i Italisë, Sergio Mattarella.
Siç njofton Presidenca, në letrën e tij, presidenti Mattarella ka uruar presidenten Osmani dhe popullin e Kosovës, duke potencuar marrëdhëniet e mira ndërmjet të dy shteteve.
“Konteksti aktual evropian e bën gjithnjë e më urgjente arritjen e një normalizimi të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Uroj sinqerisht që propozimi evropian për marrëveshje ndërmjet palëve të mund të pranohet.
Kjo është edhe në dobi të perspektivës së Kosovës për integrim evropian, të cilën Italia e mbështet bindshëm”, thuhet në letrën e urimit të presidentit Mattarella.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar letër urimi për 15-vjetorin e pavarësisë dhe nga Mbreti Charles III i Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës Veriore.
Kosova ka pranuar letër urimi edhe nga shtetet tjera në 15-vjetorin e shënimit të pavarësisë.
Rruga Press