Bota

Për sirianet, tërmeti më i zi se lufta

“Jemi lodhur”, është shprehur Aysha. “Për 12 vjet ne nuk kemi fjetur asnjë natë nga frika e bombardimeve, nga sulmet ajrore apo nga zhvendosja. Tani kemi zhvendosje të përjetshme. Po përjetojmë tragjedinë e të gjitha tragjedive”

(AP) – E mbështjellë me shall të trashë leshi kundër të ftohtit, Ayesha tërhiqte zvarrë këmbët, teksa mbesa e saj e vogël e ndiqte pas, pas 15 minutash rrugë në këmbë nga tenda deri në banjën më të afërt në një ndërtesë aty pranë – i vetmi vend ku mund të lahen.

Shtatë ditë pasi tërmeti e rrafshoi shtëpinë e tyre në qytetin veriperëndimor të Sirisë, 43-vjeçarja Atareb ende nuk ka qasje në ujë, energji elektrike apo ngrohje për të dhe 12 anëtarët e familjes, të gjithë të vendosur në një tendë të vetme.

“Pyes veten se si doli dikush i gjallë?”

“Kur shikoj shtëpinë tonë, pyes veten se si doli dikush i gjallë?”, ka thënë Ayesha. “Ndoshta do të kishte qenë më mirë po të kisha vdekur”, ka shtuar ajo. “Kam dalë nga ato rrënoja për të mbajtur mbi supe krejt rrënojat e botës”.

Nuk e di se deri kur do të mund të durojnë ajo e sirianë të tjerë. Gratë në veçanti kanë marrë përgjegjësinë për t’i mbajtur së bashku familjet e shkatërruara gjatë 12 vjetëve të fundit të luftës civile. Konflikti dhe kolapsi ekonomik kanë lënë miliona njerëz të varur nga ndihma ndërkombëtare. Tashmë listës së vështirësive i shtohet edhe shkatërrimi nga tërmeti, i cili ka lënë të vdekur dhjetëra mijëra njerëz e ka lënë edhe miliona të pastrehë në Turqinë jugore dhe Sirinë veriore.

Me spitalet e stërmbushura nga viktimat e tërmetit, Ayesha nuk mund të marrë shërbime mjekësore për ta trajtuar dhe monitoruar sëmundjen e saj të mëlçisë. Ajo dhe bashkëshorti i saj humbën burimet e të ardhurave nga tërmeti. Taksia e tij u shkatërrua dhe stoku i saj i rrobave që dikur ua shiste fqinjëve u shkatërrua.

Nuk kanë asgjë për të siguruar për gjashtë fëmijët e tyre dhe pesë nipërit e mbesat e tyre, përfshirë dy që ajo i mori pasi një nga djemtë e saj u vra në luftë. Ata madje duhet t’i ndajnë edhe dyshekët për të fjetur në tendën e tyre.

“Në qoftë se vështirësitë janë shenjë e dashurisë së Zotit, do të thotë se Zoti me të vërtetë po i dashka sirianët”, ka thënë Ayesha duke shpërthyer në lot. Sikurse shumica e grave në këtë vend konservator, ajo foli me kusht që mos t’i zbulohej mbiemri.

Luftë në luftë!

Tenda e tyre është në një kamp për viktimat e tërmetit në Atareb, pjesë e territorit të fundit të kontrolluar nga opozita në veriperëndim të Sirisë, që ka përjetuar bombardime dhe luftime për vite me radhë. Duke ecur mes rrugicave të shtëpive të shkatërruara në qytet, është e vështirë të dallosh se cilat u shembën nga tërmeti dhe cilat nga operacionet intensive ushtarake në kulmin e luftimeve.

Lexo më shumë  Shefi i shërbimit sekret britanik paralajmëron: Rusia po kryen fushatë sabotuese në Evropë

Lufta e Sirisë ka shtuar barrën dhe izolimin mbi gratë, me kaq shumë burra që u vranë, u ndaluan, u gjymtuan ose u detyruan të largoheshin nga vendi. Numri i familjeve me kryefamiljare femra në të gjithë Sirinë u rrit me rreth 80% për të përbërë më shumë se një të pestën e familjeve në vitin 2020, sipas OKB-së.

Edhe para tërmetit mbi 7 milionë gra dhe vajza në të gjithë Sirinë kishin nevojë për shërbime shëndetësore kritike dhe mbështetje kundër dhunës fizike dhe seksuale. Martesat e fëmijëve ishin në rritje dhe qindra mijëra vajza nuk ishin më pjesë e shkollës.

Ndikimi i menjëhershëm i tërmetit vuri në rrezik të paktën 350 mijë shtatzëni në Siri dhe Turqi, sipas shifrave të OKB-së.

Gratë në veriperëndimin e mbajtur nga opozita janë veçanërisht të ndjeshme. Shumica e popullsisë prej 4 milionë banorësh të territorit u larguan pasi u zhvendosën nga pjesë të tjera të Sirisë. Kujdesi shëndetësor tashmë ishte dobësuar dhe ishte i varur nga ndihma e huaj. Tashmë shërbimet mjekësore jourgjente janë pezulluar për të përballuar tërmetin.

Trauma të reja

“Ne mund t’i trajtojmë gratë pas traumës ose pas lindjes, por ato duhet të kthehen në një mjedis të sigurt me strehim minimal, ushqim dhe ujë të pastër. Fatkeqësisht, kjo në përgjithësi mungon në veriperëndim”, ka thënë Basel Termanini, kryetar i Shoqatës Mjekësore Siriane Amerikane, e cila ka dhjetëra objekte në veriperëndim.

Gjatë gjithë luftës Ayesha dhe familja e saj u larguan vazhdimisht nga shtëpia e tyre në Atareb gjatë kohës së bombardimeve në zona më të sigurta, ku do të qëndronin për muaj të tërë derisa të ktheheshin. Një nga djemtë e saj u vra në vitin 2019 dhe që atëherë ajo kujdeset për dy fëmijët e tij të vegjël.

Por, tha ajo, “në 12 vjet luftë nuk e kemi përjetuar kurrë tmerrin dhe dhimbjen si atë natë” të tërmetit.

Kur tërmeti goditi para agimit të 6 shkurtit, Ayesha dhe familja e saj arritën të dilnin nga ndërtesa pasi një pjesë e saj u shemb. Ata qëndruan në të ftohtë, duke rënë shi, duke parë shkatërrimin e duke mos iu besuar syve.

Ndërtesa ngjitur ishte plotësisht e rrafshuar duke lënë të vdekur shumë nga ata brenda – përfshirë një grua që sapo kishte lindur foshnjën, shtatë fëmijët e saj të tjerë dhe nënën e saj, e cila kishte mbërritur vetëm disa orë më parë për të ndihmuar me të porsalindurin.

Të vdekurit e ndërtesës tani shtrihen në një varr masiv në skajin më të largët të një toke bujqësore fqinje. Pronari i parcelës e ka dhuruar tokën për shkak se varrezat janë mbushur me viktima të tërmetit.

Lexo më shumë  Qeveria pro-ruse gjeorgjiane pezullon negociatat me BE-në, shpërthejnë protestat në Tbilisi

Gjërat ishin tashmë të vështira para tërmetit. Në territorin e kontrolluar nga opozita, 90% e popullsisë është e varur nga ndihma humanitare.

Nuk ka pasur punë për burrat dhe shumë nga ta ishin gjymtuar në luftë, ka thënë ajo. Disa gra gjejnë punë në shërbimin e komunitetit dhe me grupet e ndihmës. Të tjerat bëjnë zanate shtëpiake. Janë qindra femra vullnetare të mbrojtjes civile, shumë prej të cilave morën pjesë për herë të parë në misionet e shpëtimit dhe kërkimit.

“Jemi lodhur”

Por në komunitetin kryesisht konservator, të dominuar nga një grup dikur i lidhur me “Al-Qaidan”, vendet e punës për gratë nuk janë të lehta për t’u gjetur.

Halima, 30-vjeçare, nënë e dy fëmijëve, humbi bashkëshortin në ditët e para të luftës. Për vite me radhë ajo ka lëvizur mes strehimoreve për të zhvendosurit në veriperëndim në kërkim të pakove ushqimore të dhuruara. Tërmeti shkaktoi çarje në vendin ku ajo po qëndron aktualisht dhe ajo ka frikë të qëndrojë atje, por nuk ka ku të shkojë.

“Lutem, për hir të Zotit. Ndoshta dikush mund të kujdeset për fëmijët e mi”, ka theksuar ajo teksa zgjodhi rrobat e dhuruara në një magazinë të Gjysmëhënës së Kuqe Turke.

Ndihma ndërkombëtare ka ardhur vetëm për viktimat e tërmetit në veriperëndim duke rritur zemërimin ndaj Kombeve të Bashkuara.

Ndihma humanitare për Sirinë, e mbyllur në një nga krizat më komplekse të botës prej vitesh, ka qenë ndër më të mirat e financuara nga donatorët. Por, boshllëku midis financimit dhe nevojës është rritur dhe apelet e OKB-së për përgjigje emergjente kanë mbetur më shumë se 50% pa përgjigje. Në vitin 2021, sektori i shëndetësisë në Sirinë veriperëndimore ishte 60% i nënfinancuar, me vetëm 6.4 milionë dollarë nga 23.3 milionë dollarë të mbuluar.

Kur tërmeti goditi, spitalet jo vetëm që u dëmtuan nga lëkundjet, por edhe u mbushën me të lënduar e viktima, me furnizimet e kompleteve thelbësore të urgjencës duke mbaruar. Maternitetet ballafaqoheshin me lindje të hershme dhe komplikime në shtatzëni.

“Nënat ende jetojnë në rrugë”, ka treguar Ikram Haboush, drejtor i maternitetit në Atareb. “Ne nuk kemi inkubatorë të mjaftueshëm për dërgesa të hershme. Situata është larg të qenit e qëndrueshme”.

Gjatë viteve të konfliktit, gratë siriane i kanë shterur strategjitë e tyre të përballimit. Një fatkeqësi natyrore është gjëja e fundit për të cilën ato ishin përgatitur.

“Jemi lodhur”, është shprehur Aysha.

“Për 12 vjet ne nuk kemi fjetur asnjë natë nga frika e bombardimeve, nga sulmet ajrore apo nga zhvendosja. Tani kemi zhvendosje të përjetshme”, ka thënë ajo. “Po përjetojmë tragjedinë e të gjitha tragjedive”./Koha.net

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *