Sveçla publikon emrat e të arrestuarve në veri: Kanë foto me zyrtarë të lartë serbë, dhe sulmonin Policinë e Kosovës
Policia e Kosovës, përmes një aksioni në veri gjatë ditës së diel shkatërroi tre laboratorë të hashashit, si dhe arrestoi disa persona të dyshuar.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, përmes llogarisë në Facebok, ka thënë se të arrestuarit janë të implikuar me zyrtarë serbë, pasi kanë edhe fotografi me ta.
“Të dielën Lista Srpska dhe Petkoviq janë acaruar nga disa reagime. Çështja është e thjeshtë: me laboratorët, trafikantët e drogës dhe kriminelët që përdoren si mjete politike, fasada false nuk zgjat më shumë se deri në aksionin e radhës të policisë. Tetë laboratorë droge u zbuluan brenda 24 muajve dhe vetëm sot u gjetën tre laboratorë droge”, tha ai.
Sveçla shtoi se pronarët e tyre janë: Miljan Deleviq, Ivan Slaviq, Dushan Slaviq dhe Nikola Filgjokiq, të cilët më herët ishin të gjithë të përfshirë në sulmet ndaj Policisë së Kosovës.
“Ata vendosin barrikada dhe frikësojnë qytetarët serbë që refuzuan të bashkëpunojnë me ta. Pas këtyre sulmeve, ata u vizituan nga ministri i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq dhe Petkoviq, ndërsa u mbështetën dhe mbroheshin nga Vuçiq, Lista Serbe dhe Milan Radojçiq”, u shpreh më tej.
Tutje Sveçla theksoi se ministrat serbë të përfshirë në këto instrumentalizime me bandat kriminale do të donin që këto foto dhe video të mos ekzistonin, por e kanë dhe japin prova të forta se çfarë fshihet pas të ashtuquajturës “politikë” të tyre.
Ndërkaq, Lista Serbe i ka reaguar Sveçlës, duke e akuzuar se po mundohen që ta politizojnë aksionin në veri.
Sipas Listës Serbe, asPetkoviq dhe Vuçiq nuk mbështetin aktivitetet kriminale të asnjë personi, “por veprimtaria e paligjshme e një personi nuk mund të jetë arsyetim për veprimet e njësive speciale të Policisë së Kosovës në veri”.
Rruga Press