Lufta në Ukrainë dhe rikthimi i çështjes shqiptare
Aleanca gjermano-ruse që po gatitej në heshtje për disa dekada rresht, të cilës i paraprinte gjeoekonomia, do ta shfuqizonte rolin udhëheqës të SHBA-së në sistemin ndërkombëtar. Shih për këtë, lufta në Ukrainë shpejt e ka shnëdrruar BE-në në një pozicion varësie të plotë ndaj SHBA-së. Ndërkaq dështimi i kësaj aleance dhe lufta në Ukrainë, ndërkohë e ka rikthyer në vëmendje çështjen shqiptare.
Nga Sadri RAMABAJA
Në fjalimin e tij programatik të vitit 2017 presidenti i Francës, Emanuel Makron, e kishte shpërfaqur hapur objektivin politik të BE-së për ecje drejt një autonomie më të plotë politike, duke dhënë sinjalizime të qarta për gjakimin gjeopolitik dhe “shkëputje” nga SHBA-të. Ky koncept shkonte një hap tutje atij gjerman që bazohej në konceptin për forcimin ekonomik të BE-së nën udhëheqjen e Gjermanisë. Por ky objektiv binte ndesh me interesat gjeostrategjike të SHBA-së, prandj si i tillë ishte i gjykuar të mos kishte sukses.
Nën hijen e luftës në Ukrainë dhe në kontekstin e rrethanave gjeopolitike të ndryshuara tej mase, çështja shqiptare po rishfaqet sërish si një nga përcaktuesit kryesor të rendit të ri të sigurisë në Europë.
Në këtë kuadër insistimi i diplomacisë perendimore për përmbylljen e të ashtuquajturës marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, duke imponuar Bashkësinë e Komunave Serbe, si Republika Sërbska 2, nuk ka marrë në konsideratë faktin se këstu hapet sipari i rinovimit të plotë të çështjes shqiptare. Rihapja e saj, në këto rrethana, prandaj ka një ndërlidhje të theksuar jo vetëm me luftën në Ukrainë, por edhe me rikthimin e çështjes gjermane.
Dështimi i planit frënko-gjerman dhe rinovimi i çështjes shqiptare
Në vitin 2019, një nga intelektualët konservatorë amerikanë më me ndikim, Robert Kagan, në artikullin “The New German Question: What Happens When Europe Comes Apart”, të publikuar në gazetën me ndikim Foreign Affairs, deklaronte se “dështimi i projektit evropian, ose fundi i BE-së, në mënyrë të pashmangshme çon në rinovimin e çështjes gjermane, e cila në shtatë dekadat e fundit pati një ndikim vendimtar në Evropën bashkëkohore, si dhe në marrëdhëniet transatlantike…”
Por fill pas Luftës së Dytë Botërore politika amerikane qe angazhuar për të krijuar një rend ndërkombëtar shumëpalësh të bazuar në rregullat amerikane, jo vetëm për të kundërshtuar ndikimin sovjetik, por edhe për të adresuar sfidën ekzistuese gjermane. Madje, siç thotë Kagan, “një formë e bashkimit evropian ishte e vetmja zgjidhje e imagjinueshme për problemin e marrëdhënieve të Gjermanisë me pjesën tjetër të Evropës”.
Konform me këtë koncept, atbotë shihej se integrimi evropian ishte i mundur vetëm nën kujdesin e garancive amerikane të sigurisë. Gjermania demokratike në këtë projekt kishte vendin e vet qenësor.
Duket se përpjekja e diplomacisë perendimore për ta tërhequr Serbinë nga pozicioni aktual pro rus, duke bindur atë për përparsitë dhe dobitë që do të ketë, në rast se rreshtohet pro rendit ndërkombëtar liberal nën ombrellën e Shteteve të Bashkuara, ka dhënë produktin që tashmë njihet me emrin plani frënko-gjerman. Kagan shtjellon disa aspekte të atij rendi që mundësoi evolucionin e shpejtë demokratik të Gjermanisë. Por për dallim nga Gjermania, Serbia as që ka hyrë në hullinë e evolucionit demokratik.
Aspekti i parë i paralajmruar i transformimit serb është rikthimi i plotë i interesimit të SHBA-ve tok me BE-në për sigurinë evropiane. Ky rikthim duhet t’i përngjajë angazhimit amerikan për transformimin e Gjermanisë pas Luftës së Dytë Botërore. Atbotë synimi kishte për bazë mbrojtjen e Francës, Britanisë së Madhe dhe fqinjëve jerë të Gjermanisë Perëndimore, ndërkaq aktualisht synimi është të mbrohet nga Serbia: Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja. A mund të bëhet ky hap historik pa integrimin e plotë të Serbisë brenda arkitekturës së sigurisë europiane? Ky mision nuk mund të kryehet pa presionin real ndaj Beogradit, atëherë a ka ardhur koha të rimendohet procesimi i aderimit të Kosovës në procedurë të përshpejtuar në NATO dhe armatimi i FSK-së?
Dështimi i planit frënko-gjerman pashmangëshëm shpie tek rinovimi i plotë i çështjes shqiptare.
Strategjia shqiptare: marrëdhënie të mira me SHBA-të dhe bllokun transatlantik
Në kontekstin e stabilitetit politik të vendosur të Perëndimit pas çlirimit të Kosovës nga pozicioni kolonal (1999), pala shqiptare hoqi dorë nga vullneti politik për bashkim me Shqipërinë, duke pranuar si kompromis statusin e Republikës, pa mohuar që bashkimi në trajtën e një Federate Shqiptare nuk është i përjashtueshëm në kuadër të rendit të ri të sigurisë në Europë.
Shqipëria politike dhe Republika e Kosovës në planin strategjik tashmë kanë orjentim të qartë perednimor; i përkasin demokracive liberale që politikën e jashtme e ndërtojnë bazuar në dy shtylla: marrëdhënie të mira me SHBA dhe Bllokun transatlantik, dhe integrim evropian.
Rezultat i këtij pozicionimi është aderimi i Shqipërisë politike në NATO dhe çlirimi i Kosoëvs.
Integrimi i shteteve të rajonit, sidomos i Rumanisë dhe Bullgarisë në prag të luftës në Kosovë, kishte rol të madhë për “izolimin demokratik” të Serbisë, që gjatë luftës, do të shërbejë si ledh mbrojtës nga zbarkimi i mundshëm rus në rajon. Siç dihet, Rusia pati bërë një sprovë për këtë zbarkim, duke dislokuar një batalion nga Bosnja në Kosovë në prag të hyrjes së trupave të NATOs dhe duke bërë çmos që të pozicionohet në veriun e Kosovës si palë e barabartë me NATO-n.
Dislokimi i forcave të NATO-s në Kosovë (qershor 1999), por edhe prezenca e BE-së përmes dy shtyllave qenësore në kuadër të UNMIK-ut, i mundësoi Kosovës të mos zhytet në anarki dhe të ndërtojë ngadalë institucione stabile, duke ecur drejt shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt 2008.
Por, pas fillimit të luftës në Ukrainë, duket se vetëm aderimi në NATO dhe në BE, ia mundëson Kosovës të shndërrohet në faktor gjeostrategjik real, duke u bërë pengesa serioze e rikthimit të garës gjeopolitike për rajonin, në të cilën Rusia, rrjedhimisht edhe Serbia, mund të shndërrohet në lojtar me peshë. Siç po e dëshmon koha, nacionalizmi serb nuk është i vetmi nacionalizëm agresiv në rajon, por asnjë nacionalizëm tjetër nuk luajti një rol kaq shkatërrues në të kaluarën e përgjakshme të Europës Juglindore, sa ky serb.
Procesi i dekolonizimit të Kosovës, krijimi i Republikës së dytë shqiptare në rajon, prania e fuqishme e NATO-s, vlerat demokratike që po promovohen në Republikën e Kosovës [me theks në këto dy vitet e fundit të qeverisjes nga Qeveria Kurti], marrë së bashku, e bëjnë të parealizushme ëndrrën e nacionalizmit serb për rikthimin e Serbisë në kushte të reja gjeopolitike si lokomotiva hegjemone në rajon, siç prisnin ideologët serb që ajo të promovohet përmes Ballkanit të hapur.
Megjithatë, edhe përpara se të shpërthente lufta në Ukrainë, menjëherë, me t’u paraqitur shenjat e para të shembjes graduale të liberalizmit botëror si rend, në qarqet elitare të popujve të Ballkanit, ishte e pranishme gjithmonë pyetja se, a ka gjasa që gjatë procesit integrues në BE, Serbia të bëhet një vend/komb normal, siç e shtronte po këtë pyetje Kagan për Gjermaninë pas LDB.
Duket se ky proces do të zgjasë edhe për së paku një dekadë. Nga ana tjetër, nëse shumica e gjermanëve pas LDB ishin thellësisht të vetëdijshëm për të kaluarën e tyre, e rrjedhimisht kjo ishte arsyeja pse ata ishin shumë të kujdesshëm dhe të gatshëm të tolerojnë kufizimet në pavarësinë e tyre, Serbia dhe shumica dërmuese e popullit serb, vazhdojnë të nanuriten në ëndrrat e romantizmit serb që kishte promovuar tezën se “aty ku është një varr serb, aty është, respektivisht duhet të jetë Serbi”!
Duket se për ta mbajtur nën kontroll këtë qasje emocionale të nacionalizmit serb, Grupi i Kontaktit [1999] kishte aprovuar kornizën që do të pamundësonte ribashkimin e Kosovës me Shqipërinë për një periudhë të pakufizuar. Por ato kushëtzime të Grupit të Kontaktit, sado që ishin inkorporuar madje edhe në tekstin e Kushtetutës, nuk mund të imponojnë krahas përafrimit drejt aderimit të të dy republikave shqiptare në kuadër të BE-së, tok me shtetet tjera të rajonit, edhe integrimin e tyre me njëra-tjetrën. Sidoqoftë ky pozicionim i qendrave vendimmarrëse të Perendimit në raport me vullnetin politik të shqiptarëve, nuk do ta shtyjë dot për në kalendrat greke kthimin e plotë të çështjes shqiptare. Lufta në Ukrainë e ka hapur tashmë siparin e këtij rikthimi. Shqiptarët ndërkohë shihen si faktor real në Europën Juglindore dhe tok me rikthimin e gjeopolitikës, kjo çështje do të marrë trajtimin serioz edhe nga diplomacia perendimore.
Paradoksi i fuqisë shqiptare po vërehet sidomos tani kur shpërtheu lufta në Ukrainë. Në kohën kur funksionalizimi i Republikës së Kosovës, po ia mbyllë dyert Serbisë dhe po ia pamundësonë asaj që tutje të veprojë në rolin e heshtur të bashkëqeverisësit përmes Listës Serbe, ai, pra funksionalizimi i Republikës dhe pozicioni i qartë i Qeverisë Kurti, ka prishur ekuilibrin që po tentohej të ndërtohej përmes “Ballkanit të hapur”, si projekt që po i kundërvihej sa interesave shqiptare, po aq edhe atyre gjermane (Procesit të Berlinit).
Fundi i vizionit për një hapësire të përbashkët euroaziatike
Lufta në Ukrainë ndër të tjera i dha fund vizionit gjeopolitik të një hapësire të përbashkët euroaziatike, në të cilin kishin investuar jo vetëm emocionalisht gjermanët dhe një pjesë e mirë e kombeve të Europës Perendimore.
Lufta në Ukrainë i dha fund vizionit gjeopolitik që përafronte BE-në me Federatën Ruse dhe madje edhe me Kinën, duke krijuar kështu një trekëndësh të gjeoekonomisë, në qendër të të cilit rol të dorës së parë do të kishte Gjermania. Ndërkaq fillimi i luftës në Ukrainë, do ta shtrëngojë jo vetëm Gjermaninë, po edhe shtetet tradicionalisht neutrale (si Suedia, Finlanda etj.) të rishikojnë politikat e veta në raport me Rusinë.
Zëvendësimi i zonës së madhe të tregëtisë së leverdishme me Rusninë, që kishte krijuar bazat e ndikimit gjeopolitik të BE-së në botë, megjithatë nuk është i mundur të bëhet shpejt e shpejt. Prandaj BE-ja tashmë ndodhet në prag të recesionit të paparë ekonomik.
Lufta në Ukrainë gjithashtu i dha fund projektit për një aleancë gjermano-ruse që do ta përmbyste rendin unipolor të pas Luftës ës Ftohtë, të dominuar nga SHBA-të.
Kjo është arsyeja përse lufta në Ukrainë e ka rikthyer BE-në në një pozicion nënshtrimi ndaj SHBA-ve, por edhe Europën Juglindore në qendër të përplasjeve të reja për dominom gjeostrategjik. Këtu ka bazën edhe përshpejtimi i procesit dialogues mes Kosovës dhe Serbisë, duke i krijuar parakushte manovrimi Serbisë përmes planit frënko-gjerman, për shkëputje të saj nga ndikimi formal rus dhe pozicionimi properendimor konform parakushteve të saj.
Pranvera e vonuar
Por, ngjashëm siç mori fund koncepti i Gjermanisë që përmes forcimit ekonomik të BE-së të udhëheqë atë, duke mos respektuar interesat gjeostrategjike të SHBA-së, ashtu mund të dështoj edhe plani frëngo-gjerman, nëse me çdo kusht Kosovës pretendohet t’i imponohet Bashkësia e Komunave Serbe alias Republika Sërbska, si hap drejt aneksimit të veriut nga Serbia. Shih për këtë, pranvera e këtij viti, tok me rrjedhën e luftës në Ukrainë, po e rikthen çështjen shqiptare në vëmendjen e plotë të diplomacisë perendimore. Ajo, pranvera, edhe mund të jetë e vonuar, por gjitësesi do të jetë në përputhje me idealet e pranverës studentore të vitit 1981, në themel të së cilës është ngritur Republika e Kosovës.
Pushtimi rus i Ukrainës shënoi një pikë kthese në politikën e jashtme gjermane (Zeitenwende), që de fakto është një thyerje radikale me politikën tradicionale lindore të Gjermanisë (Ostpolitik).[1] Në një fjalim të mbajtur në shkurt 2022, kancelari Sholc [Scholtz] u angazhua për krijimin e një fondi special prej 100 miliardë eurosh për modernizimin e ushtrisë, duke vazhduar të investojë shumë në mbrojtje.
Zeitenwende përfaqëson kthesën më të madhe në politikën e jashtme gjermane, që nga bashkimi në vitin 1990, madje edhe para kësaj, kur kancelari i Gjermanisë Perëndimore Willy Brandt (1969–72) prezantoi konceptin e Ostpolitik-ës, i cili ende konsiderohet modifikimi më i rëndësishëm i politikës së jashtme të Gjermanisë pas luftës. Brandt-i më pas intensifikoi lidhjet ekonomike, të sigurisë dhe ato politike me BRSS dhe pranoi parimin e mosndërhyrjes në punët e brendshme të Republikës Demokratike të Gjermanisë dhe BRSS.[2]
“Kthesa e madhe serbe” si iluzion
Projekti që i parapriu Ostpolitikës gjermane është tani në themel të planit
frënko-gjerman, që pretendohet të pregadisë edhe “kthesën e madhe serbe”. Ky iluzion i ri i politikës gjermano-frënge, si duket është i bazuar në fuqinë e racionalitetit politik që dominon mendimin politik gjerman, pa marrë në konsideratë se në Serbi racionaliteti politik ka marrë arratinë nga kokat e qeveritarëve serb që kur është instaluar trekëndshi Politikë-Ushtri-Kishë në piramidën e shtetit, që do të thotë me krijimin e Shtetit serb modern (1878).
Tashmë është e qartë se shtetet bosht të BE-së — Gjermania dhe Franca, janë përfshirë pa vullnet në rivalitetin e hapur për Ballkanin Perendimor. Në këtë rivalitet SHBA-të, respektivisht shkolla e realizmit në lëmin e marrëdhënieve ndërkombëtare që aktualisht ndiqet nga një pjesë e mirë e administratës së J.Biden-it, në krye të të cilëve janë Sekretari i Shtetit Antony J.Blinken, Ambasadori amerikan në Beograd,Christopher Hill, Gabriel Escobar i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor…, duan ta kenë nën kontroll të plotë Ballkanin, si zonë me peshë të theksuar gjeopolitike, ndërkaq Serbinë ta tërheqin në sferën e interesit europian.
Në këtë plan, sidoqoftë, puqen interesat gjermane dhe franceze me ato amerikane. Por, lufta në Ukrainë e ridëshmoi se, për Shtetet e Bashkuara, “Evropa e Re” [Shtetet e Europës Lindore dhe Juglindore] janë aktualisht partner më të dobishëm të SHBA-ve se fuqitë tradicionale dhe ndoshta konkurruese të “Evropës së Vjetër”. Rasti i Polonisë dhe Serbisë është shumë ilustrativ në këtë kuadër.
Pozicionin e Serbisë fare lehtë do të mund ta kishte Shqipëria, respektivisht ne dy republikat tok si reprezentuese të interesave tona si Komb. Deklarata e së mërkurës e ambasadorit Kristofer Hill për dobitë e Ballkanit të Hapur, dëshmon se SHBA-të vazhdojnë ta shohin si tërësi këtë hapësirë, ndërkaq pjesë të veçanta të akcilit komb edhe mund të sakrifikohen, në rastin tonë veriu i Kosovës, pavarësisht se ajo është pjesa që paraqet interes jetik për Republikën.
Unifikimi i armatave gjermano-holandeze si model
Në krejt këtë përplasje rreth Ballkanit, modernizimi i forcave të armatosura të dy republikave tona (Shqipërisë politike dhe Kosovës), është imediat dhe urgjent. Për shkak të ngritjes së shkallës së kërcnimeve nga ana e Serbisë, dy armatat tona do të duhej të ndiqnin modelin holandezo-gjerman. Holanda, ndërkohë, pikërisht duke parë rrezikun nga Rusia, po përgatitet të integrojë brigadat e saj luftarake në ushtrinë gjermane. Dy aleatët tani po punojnë për të integruar forcat ushtarake holandeze në Divizionin e 10-të Tankist të Ushtrisë Gjermane. Plani do të rezultojë në një forcë të përbashkët prej rreth 50,000 trupash (rreth 8,000 vijnë nga Holanda).[3]
Në rrugën drejt një bashkimi mbrojtës pritet që e gjithë forca e Holandës do të integrohet në Bundeswehr. Tashmë armata gjermane është duke shkuar drejt unifikimit me ushtrinë holandeze. Nëse politikanët japin dritën gjelbërt, “integrimi i thellë” do të nisë në prill.[4]
Ky do të ishte modeli më i mirë i unifikimit të dy armatave të dy republikave tona, duke rritur buxhetin në nivelin që ka paralajmruar se do ta bëjë Polonia — 4% të PBB-së, që është përqindja më e lartë e të gjithë anëtarëve të NATO-s. Në vitin 2022, Polonia shpenzoi 2.4% të PBB-së të saj për ushtrinë (përqindja e tretë më e lartë midis vendeve të NATO-s). Këtë nivel ndërkohë — në pjesën e dytë të këtij viti, mund ta arrijë Republika e Kosoëvs, pa logaritur Fondin e Sigurisë.
Në këto rrethana rritja e shpenzimeve të dy republikave tona për rigjallërimin dhe forcimin e aftësive tona mbrojtëse, duhet shikuar si pjesë përbërëse e Sigurisë Kombëtare dhe garancë e vetme për forcim të pozicionit tonë gjeopolitik si komb.
Ne nuk mund ta dorëzojmë tërësisht projektin e mbrojtjes nacionale tek NATO, siç kishte zëra naiv një kohë si në Tiranë edhe në Prishtinë, kur dominonte fryma neoliberale në politikën shqiptare. Ne duhet ta kemi parasysh faktin se SHBA-të shumë shpejt pritet ta përqëndrojnë vëmendjen tek Kina, të cilën e shohin si sfiduesen kryesore, respektivisht konkuruesen për dominim global. Strategjia e re e sigurisë kombëtare e SHBA-ve, e miratuar në tetor 2022, pritet se do të praktikojë një izolacionizëm të ri amerikan (Friedman, 2022). Kjo do të thotë se SHBA-të nuk pritet të përfshihen ushtarakisht në konfliktet rajonale. Duket se këtë fakt e kanë lexuar strategët serb, prandaj duan ta zvarrisin marrëveshjen franko-gjermane dhe në çastin e përshtatshëm, të hidhen në veprim. Në këtë kontekst u theksua roli i NATO-s në arkitekturën e sigurisë evropiane, që do të thotë se industria ushtarake evropiane, si dhe të gjitha konceptet e krijimit të një ushtrie evropiane apo integrimi ushtarak, do të zhvillohen ekskluzivisht në kuadër të Aleancës Veriatlantike.[5] Prania e Shqipërisë politike brenda kësaj strategjie, meqë ajo është pjesë e NATO-s, flet shumë në dobi të tezës për rikthimin e çështjes shqiptare dhe faktorizimit të Kombit tonë në rajon.
____________________________
1. https://www.geopolitika.news/analize/dr-sc-j-polovic-ukrajinska-kriza-i-obnova-njemackog-pitanja-u-europi/
2. Po aty
3. https://translate.google.al/?hl=sq&sl=de&tl=sq&text=Auf%20dem%20Weg%20zur%20Verteidigungsunion%3A%20Die%20gesamte%20Truppe%20der%20Niederlande%20soll%20in%20die%20Bundeswehr%20eingebunden%20werden&op=translate
4. Po aty
5. https://www.geopolitika.news/analize/dr-sc-j-polovic-ukrajinska-kriza-i-obnova-njemackog-pitanja-u-europi/
Rruga Press