Lajme

Byroja për Konfiskimin e Pasurisë – Roli dhe mandati i saj dhe kujt mund t’i merret pasuria në Kosovë?

Me 66 vota për dhe asnjë abstenim dhe asnjë kundër Kuvendi i Kosovës ka miratuar të enjten Ligjin për themelimin e Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Kështu është finalizuar rruga drejt krijimit të këtij institucioni që konsiderohet si një ndër shtyllat kryesore në luftimin e korrupsionit në Kosovë.

Të gjithë zyrtarët publikë në Kosovë mund të jenë subjekt i verifikimit të pasurisë nëse ekzistojnë dyshime se ajo është fituar në mënyrë të kundërligjshme. Përveç tyre, verifikimi dhe konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme do bëhet edhe për anëtarët e familjes së tyre dhe palëve të treta, që nënkupton personat te të cilët dyshohet se është bartur pasuria e zyrtarëve publikë.

E gjithë kjo tani mund të fillojë të bëhet me t’u themeluar Byroja Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Për krijimin e kësaj byroje, tashmë është hapur rruga me miratimin e ligjit sot nga shumica e deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Kujtojmë se nga koha kur Qeveria e Kosovës e ka miratuar në dhjetor të vitit 2021, Projektligji mandej në muajin shkurt të vitit 2022 është dërguar për miratim në lexim të parë Kuvendin e Kosovës.

Pas kësaj, zyrtarë të Ministrisë së Drejtësisë kohë më parë projektligjin e dërguan në Komisionin e Venecias për opinion.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media më 18 qershor të vitit 2022 bashkë me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, folën për opinionet e Venecias.

“… vettingu është i domosdoshëm, porsi edhe konfiskimi i pasurisë i fituar në mënyrë të paligjshmë. Sot fillojmë me jetësimin e punës një vjeçare të Ministrisë së Drejtësisë, në realizimin e këtyre proceseve jetikike për Kosovën, me përkrahjen e Komisionit të Venecias”, tha Kurti.

Lexo më shumë  Dita e Forcës, Kurti: Kemi shumëfishim të pajisjeve nga Turqia, Gjermania, Kroacia...

Kështu më 18 korrik 2022 në Kuvendin e Kosovës është votuar në lexim të parë projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. E taani më 9 shkurt 2023  Kuvendi e ka bërë miratimin edhe në lexim të dytë, duke finalizuar rrugën për themelimin e Byrosë.

Çfarë parasheh Ligji?

Siç thuhet në Ligj, ai zbatohet ndaj pasurisë së fituar në mënyrë të pajustifikueshme nga personat zyrtarë, personat e ekspozuar politikisht, anëtarët e tyre të familjes dhe palët e treta.

Ligji përfshin periudhën nga data 17 shkurt 2008, dhe periudhën brenda dhjetë vjetësh nga momenti kur zyrtarët publikë pushojnë së ushtruari funksionin e tyre.

Persona të ekspozuar politikisht nënkupton personat fizikë të huaj apo vendorë, të cilët janë ose kanë qenë të ngarkuar me funksione të larta publike.

Pasuria do t’iu verifikohet edhe anëtarëve të familjes, bashkëshortit/es, fëmijëve, prindërve, vëllezërve, motrave dhe palëve të treta.

Sipas legjislacionit, byroja ka kompetencat dhe përgjegjësitë për të zhvilluar procedurën e verifikimit të pasurisë dhe parashtron propozimin për konfiskim të pasurisë në gjykatë.

Fuqia e drejtorit të Byrosë Shtetërore për Konfiskimin e Pasurisë

Ligji thotë se byroja udhëhiqet nga drejtori i Përgjithshëm që votohet nga Kuvendi i Kosovës me shumicën e votave të deputetëve të pranishëm. Votimi për zgjedhjen e drejtorit bëhet në mënyrë të fshehtë. Mandati i drejtorit është shtatëvjeçar.

Sipas Ligjit, për fillimin e procedurës për verifikim vendos drejtori i byrosë, dhe pastaj byroja vazhdon me mbledhjen dhe hulumtimin e dokumentacionit relevant për rastin.

Lexo më shumë  Sveçla: Filloi punën grupi punues që do të hartojë Strategjinë Nacionale kundër krimit të organizuar

Në rast se nga të dhënat e mbledhura dëshmohet mospërputhje në mes të hyrave dhe pasurisë që tejkalon vlerën prej 25,000 eurosh, atëherë zyrtari i byrosë propozon dërgimin e çështjes për konfiskim në Gjykatën Themelore të Prishtinës. Ky propozim i dorëzohet drejtorit të Përgjithshëm, i cili më pas parashtron propozim për konfiskim.

Konfiskimi i pasurisë shtylla kryesore në luftimin e korrupsionit

Konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme konsiderohet si një ndër shtyllat në luftimin e korrupsionit në Kosovë.

Në Kosovë që nga viti 2018, ekziston Ligji për kompetencat e zgjeruara për të konfiskimit të pasurisë së fituar me vepër penale.

Sipas këtij ligjit, prokurori duhet të dëshmojë se pasuria e listuar për verifikim është pasuri e të pandehurit, ndërsa i pandehuri duhet të dëshmojë se atë pasuri e ka përfituar me burime të ligjshme, për të cilat duhet të ofrojë prova, në të kundërtën, ajo konfiskohet nga gjykata.

Sipas ligjeve aktuale, konfiskimi i pasurisë nënkupton marrjen e përhershme të pasurisë që është fituar në mënyrë të kundërligjshme, sipas urdhrit të formës së prerë nga gjykata kompetente apo organi tjetër kompetent, kurse sekuestrimi nënkupton marrjen e pasurisë nga organi kompetent deri në vendimin e prerë të gjykatës.

Rreth 1.6 milion euro është vlera e aseteve të sekuestruara dhe të konfiskuara në vitin 2020 dhe të cilat janë në Agjencinë për Administrimin e Pasurisë së Konfiskuar dhe Sekuestruar.

Vlera totale e pasurisë se administruar nga kjo agjenci, që nga themelimi i saj një dekadë më parë, është afërsisht 40 milionë euro. /kosovanews/

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *