Tirana e treta në Evropë për çmimet më të shtrenjta të apartamenteve, pas Moskës dhe Beogradit
Një familjeje shqiptare i duhen 16 vite për të blerë një apartament në Tiranë. Kjo e bën kryeqytetin e Shqipërisë të tretin për çmimet më të shtrenjta të banesave, pas Moskës dhe Beogradit, ku familjet atje duhet të punojnë për 16 vjet e 3 muaj.
Të dhënat e përditësuara nga agjencia Numbeo, marrin për bazë të ardhurat neto të disponueshme të një familje, çmimin mesatar të një metri katror të qendrës dhe periferisë, si dhe koston e një kredie për 20 vjet.
Sa më i ulët të jetë ky raport, aq më të lehtë e kanë familjet për të blerë një shtëpi.
Në raport me vendet e rajonit shteti më i lirë rezulton Mali i Zi. Në vitin 2022, Shqipëria renditej e pesta në këtë indeks, por rritja e shpejtë e çmimeve ndryshoi renditjen.
Çmimet e apartamenteve në kryeqytet për vitin 2022 sipas agjencive imobiliare në vijën e verdhë të ndërtimit u shitën mbi 1,000 euro për metër katror.
Çmimet në disa zona të kryeqytetit pësuan rritje të fortë, ku një metër katror arriti deri në 3500 euro në zonën e ish-Bllokut. Në zonën e Komunës së Parisit çmimet maksimale arritën 2,300 euro nga 1,700 -1,800 euro që ishin më parë. Ndërkohë, Fresku mbetet zona më e lirë me çmim maksimal të apartamenteve 700 euro për metër katror.
Rruga Press