Si vepron opozita e Kosovës nëpër kohë?
Nga Elvis Hoxha
Historia e opozitës në Kosovë është rrënim i Kosovës. Por ajo prapë bën zhurmë e nuk ka ide. Si vepron opozita e Kosovës nëpër kohë?
E bëjnë Gjykatën Speciale dhe pastaj bëjnë përpjekje ta zhbëjnë. Jo për parim, por për interes.
Japin toka dhe nuk marrin viza. Nuk pendohen, sepse nuk kanë humbur as paret e as tokat e tyre.
E pajisin Beogradin me parti mu në Kuvend të Kosovës, por nuk trishtohen sepse nuk kanë humbur bizneset.
Privatizojnë pasuritë publike dhe premtojnë në çdo fushatë zgjedhore 300 mijë vende pune, por nuk i shqetëson rinia që shkon.
I japin me marrëveshje Zajednicë Serbisë dhe pastaj njëri shef i tyre ia hedh shefit tjetër fajin dhe deklaron se asociacioni është kancer.
E rrëzojnë qeverinë për më ia dhënë Ujmanin Serbisë, por rëndësi ka edhe ajo copë pushtet që nuk e mbajnë as ca muaj.
E kthejnë në problem të rëndë për Kosovën manastirin e Deçanit dhe e kalojnë edhe me Kushtetuese. Por nuk e kanë problem.
Paguajnë lobime për shkëmbime territoriale, por jo me paret e tyre. Jo, me paret e Kosovës e dëmtojnë Kosovën.
Bëjnë marrëveshje për pastrimin e Veriut nga strukturat e krimit serb, por vriten policët tanë. Nuk ndjejnë asnjë faj e asnjë turp.
E zbrazin Mitrovicën, por na mashtrojnë edhe për Preshevën.
Sjellin sekserin e Beogradit për të kërcënuar qeverinë në Kosovë dhe takojnë Putinin. Por, nuk janë problematic guys.
Na thanë se pas marrëveshjeve teknike do të vijë njohja, por pas të gjitha marrëveshjeve me të cilat kënaqën Beogradin, doli Thaçi dhe tha se nuk mund të bindet Serbia ta njohë Kosovën. Por pushtetin Thaçi e donte me çdo kusht.
Në tërë dekadën Kosova u dobësua, por edhe këta. Këta nuk humbën pare, por humbën votat. Humbën fytyrë e moral. Dhe prapëseprapë pushtetin e duan, qoftë edhe pa vota. E duan si alternativë civile. Prapë duke u rrekë me marrë peng Kosovën.
Tani po kërkojnë të jetë njohja reciproke në qendër të dialogut. Harrojnë që kur Albin Kurti fliste për reciprocitet, Skënder Hyseni na tregonte se reciprociteti nuk ka kurrfarë rëndësie.
Ka ardhur koha që në Kosovë të ketë vërtetë opozitë. Një opozitë e mirë sot do të ishte një mbështetje e fuqishme kundër përpjekjeve të Serbisë për shkëmbime mes njohjes dhe asociacionit. Këtë opozitë nuk mund ta bëjnë partitë e vjetëruara që e trishtuan Kosovën. Nuk mund ta bëjë Lumiri që po trashëgon politikën e Isës, e as i biri i Milazimit. As Limaj që mendon se pronësinë e Kosovës e meriton për 400 vjet.
Rruga Press