Lajme

Mbledhja e Qeverisë në Kosovë. Këto janë të gjitha vendimet që u morën

Qeveria e Kosovës sot ka mbajtur mbledhjen e radhës, në të cilën kanë miratuar disa vendime.

Në mbledhjen e 127-të të ekzekutivit u miratua kërkesa e Ministrisë së Shëndetësisë për pagesën e specializantëve me vetëfinancim prej datës 1 janar 2023 deri më datë 31 dhjetor 2023.

“Vendimi siguron pagesën e 580 specializantëve në programin e Aftësimit Specialistik dhe EVM në vlerë 4 milionë e 129 mijë eurove prej datës 1 janar deri më 31 dhjetor të vitit 2023 nga kategoria ekonomike e subvencioneve”, thuhet në njoftim.

Po ashtu u miratua kërkesa e Ministrisë së Shëndetësisë për pagesën e specializantëve me vetëfinancim nga Republika e Shqipërisë, Malit të zi dhe Maqedonia e Veriut.

Lexo më shumë  Shënohet Dita Botërore e Fëmijëve, Kurti: Fëmijët janë themelet e jetës

Me këtë vendim përfitojnë dhjetë specializantë në vlerë prej 71 mijë euro e njëqind e nëntëdhjetë eurove prej datës 01 janar deri më 31 dhjetor të vitit 2023.

Ekzekutivi i vendit po ashtu miratoi nismën për lidhjen e Marrëveshjes Ndërkombëtare për Transferim të Personave të Dënuar ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Kroacisë.

“Me këtë marrëveshje Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Qeveria e Republikës së Kroacisë bien dakord që të thellojnë aspiratat e tyre të bashkëpunimit juridik në çështjet civile me qëllim të sigurimit dhe të mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe interesave të të dyja vendeve dhe qytetarëve të tyre duke synuar në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe rritjes së bashkëpunimit të tyre të përgjithshëm”, thuhet në komunikatën e Qeverisë.

Lexo më shumë  Ekonomia, peng i ndërtimit, mori 73.5% të investimeve të brendshme

Kabineti qeveritar miratoi edhe Projektligjet për ratifikimin e Marrëveshjeve të nënshkruara në kuadër të Procesit të Berlinit për Lëvizjen e Lirë me Letërnjoftime në Ballkanin Perëndimor, për Njohjen e Kualifikimeve Profesionale të Mjekëve, Stomatologëve dhe Arkitektëve dhe Njohjen e Kualifikimeve të Arsimit të Lartë në Ballkanin Perëndimor.

Në këtë mbledhje u miratua edhe kërkesa e Ministrisë së Ekonomisë për mbulimin e vlerës së subvencionimit të tarifave të energjisë elektrike për muajin janar 2023 dhe kërkesa e Doganave të Kosovës për përditësimin e  listës së tarifave të transportit të mallrave që importohen në vend. 

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *