Lajme

Figura e Skënderbeut shpaloset si kalorës e strateg unik në Evropë

Në ekspozitën me titull “Gjergj Kastrioti Skënderbeu-kalorësi i lirisë së shqiptarëve”, personaliteti i heroit kombëtar vjen si burrë shteti, strateg e mjeshtër i artit ushtarak që dallonte nga mbretërit dhe princat evropianë të kohës. Në ndërgjegjen e popullit shqiptar, figura e tij është kujtim i luftës me fitore legjendare dhe u bë simbol krenarie

Në kuadër të 555-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, Muzeu Historik Kombëtar në Tiranë ka hapur ekspozitën me titull “Gjergj Kastrioti Skënderbeu-kalorësi i lirisë së shqiptarëve”, e cila përmban faksimile, gravura të autorëve të ndryshëm dhe portrete, me anën e të cilave vizitorët njihen me momente nga jeta dhe betejat e heroit kombëtar të shqiptarëve, Gjergj Kastrioti Skënderbeut.

Në fjalën e tij, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi, citohet të ketë thënë se personaliteti i Skënderbeut si burrë shteti, strateg e mjeshtër i artit ushtarak dallonte nga mbretërit dhe princat evropianë të kohës.

Lexo më shumë  Kurti mirëpret në një takim Afrim Gashin, kryetarin e Kuvendit të RMV-së

“Ndryshe nga veprimtaria e tyre ushtarake, që bazohej mbi trupat mercenare të armatosura rëndë, Skënderbeu u mbështet mbi një ushtri të armatosur lehtë, me lëvizshmëri të madhe e aftësi të lartë goditëse, të formuar kryesisht nga vullnetarë që kishin gatishmëri luftarake dhe shpirt vetëmohimi”, ka thënë ai, raportojnë mediat në Shqipëri. Ka thënë se këto janë disa prej fakteve që formësuan kujtesën për Skënderbeun.

“Figura e Skënderbeut mbeti e gjallë në ndërgjegjen e popullit shqiptar, si kujtim i luftës me fitore legjendare dhe u bë simbol krenarie”, ka thënë Koçi në vernisazhin e ekspozitës.

Në po këtë ceremoni Andi Seferi, nënkryetar i Bashkisë së Tiranës, ka theksuar se “bashkimi shpirtëror i të gjithë popullit shqiptar dhe forcimi i vetëdijes kombëtare të tij, shënuan fitoren më të madhe të epopesë së lavdishme të shekullit XV dhe të tërë veprës së Skënderbeut”.

Përshkrimi i Arbërisë para pushtimit osman pasqyrohet në këtë ekspozitë nëpërmjet hartës me principatat shqiptare të kohës, bashkë me emblemat e tyre, si dhe fisnikët që morën pjesë në Besëlidhjen e Lezhës, e që përbënte bashkimin politik dhe ushtarak më të rëndësishëm në historinë e shqiptarëve. Një kapitull i veçantë në ekspozitë janë edhe stendat që pasqyrojnë veprimtarinë dhe betejat e Gjergj Kastriotit./Koha.net

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *