Bashkësia e Komunave Serbe – një oksimoron politik sui generis
Imponimi i Bashkësisë së Komunave Serbe si parakusht i Serbisë për pranimin e draftmarrëveshjes franko-gjermane, minon sovranitetin e Republikës.
Ky proces mund të hyjë në histori si një kronikë e një luftë të re të paralajmruar serbo-shqiptare.
Nga Sadri Ramabaja
Turni i fundit i peshes së diplomatëve perendimor në Prishtinë dhe Beograd e ka futur në një ngërç procesin e dialogut Kosovë-Serbi , duke tensionuar gjendjen në terren dhe sidomos në skenën politike kosovare tej mase. Plani franko-gjerman siç ishte prezentuar në shtator të vitit të kaluar në Prishitnë nuk përmbante fare çështjen e Bashkësisë së Komunave Serbe. Ajo u imponua nga Beogradi si parakusht, të cilin diplomatët perendimor e tumirën pa çarë kokën se po e fusnin dialogun në rrugë pa krye!
Dialogu në rrugë pa krye
Procesi i dialogut futet kështu në një rrugë pa krye pikërsht në një vjetorin e fillimit të agresionin rus ndaj Ukrainës dhe krijimit të rrethanave krejtësisht të reja, me mundësi shpërthimi edhe të një lufte të re serbo-shqiptare. Kërkesa e parashtruar nga pala serbe drejtpërdrejt KFOR-it, për dislokmin e njëmijë forcave ushtarke në Kosoëv, pa përfillur proceduart e njohura ndërkombtarisht, duke anashkaluar OKB-në, madje duke keqintepretuar skajshmërisht Rezolutën 1244, e duke mos përfillur fare faktin se Republika e Kosovës e shpallur më 17 shkurt 2008 tanimë është realitet politik i ri, fliste më shumë për mentalitetin militareskt të qeverisë klerofashiste të Serbisë, që ishte përcaktuar për hapjen e frontit të jugut, në shërbim të agjendës ruse.
Në fakt gjatë vitit 2022 Serbia kishte bërë gjithësejt katër ultimatume me karakter lufte, por ai i dhjetorit, kur kishte dislokuar forca të tëra të armatës rreth kufijve të Kosovës, duke shpallur gjendjen e gadishmërisë për luftë në nivel të Republikës, e bënte gjendjen edhe më alarmante. Me këtë akt Serbia de fakto po paralajmronte përshkallëzimin e shpejtë të situatës në Ballkanin Perendimor.
Lëvizjet poltike të presidentit serb Aleksandar Vuçiq shih për këtë, i ngjajnë shumë atyre të presidentit turk Tajip Rexhep Erdogan. Ai vazhdon tutje të praktikojë aktin e tij balancues midis SHBA-së dhe Rusisë. Erdogani dërgon ministrin e tij të jashtëm që demonstron gadishmëri për avancimin e marrdhënieve me SHBA-të, me ç’rast bëri të ditur se dorëzimi i avionëve amerikan të luftës F-16 Turqisë, si vend i NATO-s, Turqinë, duhet parë plotësisht në mënyrë të pavarur nga Ankaraja që bllokon pranimin e Suedisë. [1] Nëdrkaq po të njejtën kohë në Moskë, ministri turk i mbrojtjes takohet me sirianët dhe hulumton bashkëpunimin turko-ruso-sirian në kurriz të kurdëve sirianë, të cilët mbështeten nga SHBA kundër “Shtetit Islamik”.[2]
Presidenti serb Aleksander Vuçiq derisa kishte imponuar parakushtet e tij [me theks krijimin e Bashkësisë së Komunave Serbe alias Republikës Srbska 2 në Kosovë), pesshes së diplomatëve perendimor, duke e shpërfytyruar në themel planin frëngo-gjerman, në fjalimin përmes të cilit i drejtohet kombit, dëshmon se çfarë rezistence ka bërë për t’shmangur sanksionet ndaj Rusisë, aleates së çmuar të Serbisë. Nuk ishte e rastësishme që fjalimi i tij u emetua nga SPUTNIK-u në tërësi, duke i dhënë jehonë këtij akti të Vuçiqit. Por, fundja, kjo është çështje e tij.
Fatkeqësia në krejt këtë proces ndërlidhet me oksimoronin politik të diplomacisë perendimore që rikthehet tek qëndrimet e saj në zanafillën e Luftës së Ftohtë.
Në një editorial ë përbashkët të publikuar tek Koha ditore, dy diplomatët amerikan, Derek Chollet, këshilltar i Departamentit Amerikan të Shtetit dhe Gabriel Escobar, i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, shprehen taksativisht se:
“Ndër qëllimet tona më të rëndësishme në Ballkanin Perëndimor është të ndihmojmë në krijimin e kushteve për marrëdhënie të shëndetshme, paqësore dhe të qëndrueshme ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.”
Ndërkaq më tej ata pohojnë:
“Ne e kundërshtojmë rreptësisht krijimin e çfarëdo etniteti që i përngjan Republikës serbe në Bosnjë dhe Hercegovinë (BH); Bashkësia ndërkombëtare nuk po kërkon të imponojë një zgjidhje.”[3]
Fundja diplomatët amerikanë, si edhe përfaqësuesit tjerë nga bota perendimore janë miq të vendit e popullit tonë, rrjedhimisht nuk japin ultimatume. Për këtë nuk ka dyshim askush. Por a është BKS me këta statute që po qarkullojnë konform qëllimit tuaj fisnik? A nuk i ngjanë ajo pikërisht Republikës Srbska që po mban edhe sot e kësaj dite Bosnjën e Hercegovinën larg mundësive reale për integrim në institucionet euroatlantike.
Duket se jo.
Bashkësia e Komunave Serbe përmes statuteve në qarkullim po synon pikërisht atë që në editorial diplomatët e nderuar amerikan shprehen se nuk do ta dëshironin. Shtresa e re e pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ e inicuar si pushtet administrativ është pikërisht oksimoroni politik që po promovohet sot.
Gjuha ka një karakteristikë të magjishme: kur ne flasim apo shkruajmë ne i japim formë asaj që kemi për të thënë për ta përputhur me situatën apo kontekstin me të cilin komunikojmë. Por, njëkohësisht, sesi flasim apo shkruajmë krijon pikërisht atë situatë apo kontekst’, – thotë Paul Gee.
Gjuha dhe stili i teksteve, respektivisht dokumenteve që ka prodhuar byrokracia e diplomacisë perendimore që nga Konferenca e Rambujesë e deri tek këto për Bashkësinë e Komunave Serbe që po pretendohet të imponohet ndërkohë, ka shfrytëzuar instrumentet e ‘ambiguitetit politik, duke e shndërruar BKS de fakto në një oksimoron politik sui generis. Si i tillë dokumenti bie ndesh me Doktrina e paqartësisë (ang. Vagueness doctrine).
Oksimoroni si formë ekstreme e paradoksit ndërtohet nga dy fjalë apo shprehje që e mohojnë njëra tjetrën. Në letërsi ajo do të ishte një figurë shprehëse e parapëlqyer, ndërkaq në politikë mund të interpretohet si mundësi reale shtesë për defunksionalizimin e Republikës së Kosovës dhe ecjen e saj drejt ndarjes së pashmangshme ose luftës së re.
Diplomacia e vendeve mike, që kanë njohur pavarësinë e vendit tonë, e cila është konfirmuar de jure edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, e pritshme do të ishte që të kishim trajtim të mirëfilltë, të barabartë në marrëdhëniet tona ndërkombëtare. Nuk ka gjasa që, duke sakrifikuar funksionalitetin e Republikës së Kosovës dhe duke krijuar parakushtet për ndarjen e saj, rrjedhimisht duke përmbushur parakushtet e Serbisë si partnere lokale e Moskës, i shërbehet demokracisë dhe stabilitetit në rajon.
Marrëveshjet e 2013 dhe 2015 nuk mund të imponohen si “Marrëveshje me karakter të obligueshëm ndërkombëtar”
Ka kohë që e ashtuquajtura marrëveshje e prillit 2013 e njohur zyrtarisht si Marrëveshja e Parë e Parimeve që Rregullojnë Normalizimin e Marrëdhënieve, e nënshkruar në prill 2013 nga ish-kryeministrat Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq dhe ajo e vitit 2015 në vokabularin politik, juridik e diplomatik na imponohen si “Marrëveshje me karakter të obligueshëm ndërkombëtar”.
Kjo e ashtuquajtur marrëveshje më pas u definua me marrëveshjen e gushtit 2015 (zyrtarisht e titulluar: Asociacioni/Bashkësia e komunave me shumicë serbe në Kosovë – Parimet e përgjithshme/Elementet kryesore) që u nënshkrua nga ish-kryeministrat Isa Mustafa dhe Aleksandër Vuçiq.
Njohsit e mirë të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe ata të të drejtës ndërkombëtare këto dokumente nuk i vlerësojnë fare si të tilla. Ato duket se nuk janë asgjë më shumë se një eksperiment i diplmacisë që e ka cilësuar Bashkësinë e Komunave Serbe si “marrëveshje ndërkombëtare” pa i përmbushur elementet qenësore të një marrëveshjeje me karakter obligativ ndërkombëtar.
Shih për këtë derisa Kosova nuk është shtet i pranuar në OKB, rrjedhimisht nuk ka pas si ta regjistrojë atë “marrëveshje” pranë Sekretariatit të OKB-së, siç kërkohet me nenin 21) të Ligji Nr. 04/L-052 për Marrëveshjet Ndërkombëtare e poashtu edhe sipas nenit 102) të Kartës së Kombeve të Bashkuara, ku, traktatet dhe marrëveshjet ndërkombëtare, duhet të regjistrohen dhe publikohen, për t’i vënë në fuqi.[4]
Ndërkaq Serbia, marrëveshjen në fjalë nuk e ka ratifikuar fare në Parlament, rrjedhimisht as nuk e ka regjistruar pranë Sekretariatit të OKB-së, sepse nuk e njeh Republikën e Kosovës. Po ta bënte këtë veprim, ajo de fakto dhe de jure do ta njihte Kosovën si shtet.
Prandaj duket se qëndron konkluzioni se përtej, përkufizimeve ligjore, kjo “marrëveshje ndërkombëtare” mbi Asociacionin/Bashkësinë … është e paprecedentë, mbase për shkak të karakterit eksperimental juridik-administrativ.[5]
Në debatin e ringjallur dhe imponuar nga faktorët ndërkombëtar rreth Bashkësisë së Komunave Serbe, sikur harrohet aktgjykimi i nxjerrë nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës! Le të kujtojmë shkurt se ajo pat konstatuar se përcaktimet specifike të marrëveshjeve të atëhershme lidhur me »Bashkësinë…« janë jokushtetuese në shumë aspekte, respektivisht se marrëveshje është në kundërshtim me frymën kushtetuese.[6]
Diplomacia perendimore e ka të qartë se çfarë kërkon Serbia të arrijë në Kosovë duke imponuar “Bashkësinë e Komunave Serbe”. Ajo fillimisht pretendon që mbi bazën e pushtetit real që kanë 10 komunat me shumicë serbe, të konsolidojë dhe zgjerojë autonominë e administratës serbe në nivel lokal me një përfaqësim të interesave në nivel nacional. Në anën tjetër pavarësisht se trumpetohet se BSK-ja do të krijohet dhe për rrjedhojë edhe do të veprojë brenda kornizave të ligjeve ekzistuese të Kosovës, duke i garantuar asaj përfshirjen në sistem si strukturë paralele, e paisur me pushtet ekzekutiv, si të tillë realisht e shndërron atë [BKS] në një shtet në shtet.
Qëndrimi i opozitës – për keqardhje
Në mediat tona elektronike dhe në studiot televizive, e më pak aty ku duhet – në Parlament, asnjëheër nuk na ka rastisur të dëgjojmë e lexojmë as ndjesin më të vogël të kërkimfaljes nga ana e atyre që kanë nënshkruar marrveshjet në fjalë. Përkundrazi, në kor shtrojnë pyetje banale për gjoja përgjegjësinë e lidershipit të qeverisë se pse na serviret sot një draftmarrëveshje e tillës si është kjo franko-gjermane?! Kjo kategori kalemxhinjësh e kuazipolitikanësh as që marrin erë nga fusha e marrëdhënieve ndërkombtëare, e aq më pak nga gjeopolitika dhe ndryshimet që ka imponuar lufta në Ukrainë. Duket se kjo shtresë e hollë e bazës gjenetike të kolaboratorëve tanë gjatë gjithë historisë, nuk kanë mësuar asgjë nga gabimet e etërve të tyre ideologjik e politik. I ashtuquajturi pragmatizëm politik i pararendësve të tyre që votonin pro ndryshimeve kushtetuese në 23 mars 1989 konform kërkesës së Serbisë për heqjen e autonomisë së Kosovës, ishte prologu i luftës dhjetë vite më vonë. Sërish është po ajo sortë e “liberalëve tanë” me ca injorantë politik që prodhoi periudha e luftës së lavdishme të UÇK-së së vegjëlisë, që sot tumirin aprovimin nga Kuvendi të Bashkësisë së Komunave Serbe si Kalë Troje, respektivisht si Republika Serbska që ka për intencë imanente politike federalizimin e Kosovës dhe pregaditjen e terrenit për ndarjen e saj.
Ata që nuk kanë mësuar kurrë leksionin e historisë, nuk kanë si të jenë të rreshtuar në shërbim të Republikës sot. Kjo sortë nuk e ka kuptuar kurrë ligjërimin e rezistencës së vegjëlisë, madje as atëherë kur lufta bëhej në Drenicë e Dukagjin. Nëdrkaq rezistencën e Shtetit ajo e kupton edhe më pak.
Por edhe më trishtues është qëndrimi I asaj pjese të opozitës që vije nga një mileum tjetër – ai I rezistencës së shkëlqyer gjatë luftës së lavdishme të UÇK-së së vegjëlisë.
Në një intervistë dhënë Zërit të Amerikës ish gjenerali nga më të lavdishmit të UÇK-së këto ditë pohoi se “krijimi i Asociacionit është rruga e vetme për të arritur tek marrëveshja finale.”[8]
Luftrat dhe revolucionet (këta të fundit qoftë edhe të heshtur, si ky i 14 shkurtit të vitit 2021 në Kosovë), prodhojnë trandje të thella shoqërore. Si luftrat edhe revolucionet shoqërore nxjerrin në sipërfaqe figura historike mjaft komplekse. Jo rrallë këto figura marrin përmasat e legjendave.
Lufta e UÇK-së së vegjëlisë nxori në sipërfaqe një figurë të tillë me përmasa legjende – Ramush Haradinajn. Por, çfarë t’i thuhet këtij (vet)devalvimi të legjendës sonë?
Si kalorës fisnik ai lë Kështjellën e Lirisë [Dukagjinin], pa disiplinuar mirë as hapin, defilon n’parketin e diplomacisë, përvetëson gjuhën e oportunitetit ekstrem të “këshilltarëve të tij” dhe pa çarë kokën as për historinë personale, deklarohet kështu si është deklaruar! Keqardhje!
Imponimi i BKS-së – shpërblim për gjenocidin serb në Kosovë
Imponimi i Bashkësisë së Komunave Serbe është në përputhje të plotë me agjendën e Beogradit për rikthimin e influencës së Serbisë në ish republikat si Bosnja e Hercegovina, Mali i Zi dhe Maqedonia, pa përjashtuar me këtë rast as Shqipërinë politike, duke mos logaritur fare Kosovën.
Përmes Konferencës së Dejtonit (1995) Bosnjës i ishte imponuar Republika Srbska, ky produkt I gjenocidit serb mbi boshnjakët, që vazhdon ta mbajë peng shtetin, duke pamundësuar zhvillimin dhe prosperimin ekonomik, por edhe duke e cilësuar si objekt trajtimi nga ideologët seb që shestojnë për krijimin e “Botës Serbe” dhe përfshirjen e të gjithë serbëve në një Shtet.
Imponimi i BKS de fakto do të përkthehej si shpërblim për gjenocidin serb në Kosovë. Si një lloj aksimoroni politik BKS do t’i paraprijë ndarjes së Kosovës si projekt i ideologëve serb që për fat të keq nuk është dënuar si duhet nga bashkësia ndërkombëtare. Përkundrazi me krijimin e BKS diplomacia perendimore po kontribuon në krijimin e “Rusisë së vogël” në Europën Juglindore!
Fakti që krijimi i kësaj bashkësie defunksionalizon në themel Kosovën dhe i hap rrugë shpërbërjes së Maqedonisë , Bosnjës dhe Malit të Zi, nga diplomacia perendimore aktualisht nuk merret edhe aq në konsideratë. Përkundrazi, Qeveritë perëndimore po vazhdojnë ta “trajtojnë vazhdimisht Beogradin si lojtarin e domosdoshëm në çështjet kryesore me të cilat përballet Ballkani Perëndimor”[7], krejt ngjashëm siç e trajtonin Jugosllavinë në prag të fillimit të Luftës së Ftohtë dhe shkëputjes së saj nga ndikimi i Rusisë staliniste.
Në përbërjen e përgjithshme të popullsisë në Kosovë, minoriteti serb ka vetëm 4% të përbërjes totale. Ndërkaq 92 % e popullsisë është e përkatësisë etnike, rrjedhimisht edhe kombëtare shqiptare. Në këtë kuadër imponimi i BKS po i mbivendoset 96% -shit të popullësisë jo serbe.
Duke Ia imponuar Kosovës BKS diplmacia perendimore po fuqizon shtetin klero-fashist serb, duke sinjalizuar se ai mund të ecë tutje me politikat e tij hegjemoniste në Bosnjë, Mal të Zi e Maqedoni, pa kursyer as Shqipërinë politike që tashmë e ka futur nën mengenet e Ballkanit të Hapur!
Ndërmjetësit ndërkombëtar sikurse edhe gjithë bashkësia ndërkombëtare e involvuar në dialogun Kosovë Serbi, pa vonesë lypset ta detyroj Serbinë që vendosmërisht t’ia vëjë sanksionet Rusisë ekspansioniste me të cilën koketon dhe bashkëpunon si asnjë shtet tjetër evropian. E pastaj të ecet tutje me dialogun për çështjet ekskluzivisht shtetërore reciproke mes dy shteteve, sepse në të kundërtën, Serbia do të vazhdoj lojën e saj mashtruese ndaj të gjithë neve; nuk do të tërhiqet nga përqafimi rus dhe për pasoj as nuk do të zbatoj asnjë kapitull, dispozitë, shtojcë apo shkronjë të marrëveshjes eventuale, e cila domosdoshmërishtë duhet të jetë përfundimtare, me njohje reciproke brenda saj, e jo një lojë apo tallje diplomatike siç po bën ajo tani me ne; me ndërmjetësit ndërkombëtar dhe me hemisferën perëndimore përgjithësisht.
Epilogu i dialogut i reprezentuar dhe transponuar në planin franko-gjerman dhe çfarëdo marrëveshje qoftë me Serbinë, sa i përket Kosovës, përfundimisht dhe meritorisht duhet të miratohet përmes referendumit qytetar.[9]
Imponimi i Bashkësisë së Komunave Serbe si parakusht i Serbisë për pranimin e draftmarrëveshjes franko-gjermane, minon sovranitetin e Republikës. Si i tillë ai cenon rënd interesat kombëtare, rrjedhimisht jo vtëm të Kosovës.
Ky proces prandaj në histori mund të hyjë si një kronikë e një luftë të re të paralajmruar serbo-shqiptare.
- https://www derstandard.at/story/2000142802625/schweden-und-tuerkei-in-der-sackgasse
- Po aty
- https://www.koha.net/veshtrime/363448/eshte-koha-per-themelimin-e-asociacionit-te-komunave-me-shumice-serbe/
- https://sot.com.al/opinion-editorial/eksperimenti-asociacioni-bashkesia-i565664?fbclid=IwAR2dx4BWLQhzilphasI8fyn475SKtetLNnIxVanC_Hpj7cMVX39Xq88PTQA
- Po aty6.https://gjk-ks.org/en/decision/concerning-the-assessment-of-the-compatibility-of-the-principles-contained-in-the-document-entitled-associationcommunity-of-serb-majority-municipalities-in-kosovo-general-principlesmain/
- https://ecfr.eu/article/how-to-kill-four-birds-with-one-stone-the-wests-foreign-policy-challenge-in-serbia/
- https://www.zeriamerikes.com/a/6941986.html
- Shih më gjerësisht qëndrimin e ISHGJ për këtë çështje: https://www.ishgj.org/aktualiteti/institutit-shqiptar-per-gjeopolitike/
Rruga Press