Kuriozitete

Sipas studimit, mbjellja e pemëve në qytete mund të ulë vdekjet nga nxehtësia e verës

Mbjellja e më shumë pemëve mund të nënkuptojë se më pak njerëz vdesin nga temperaturat gjithnjë e më të larta të verës, sipas një studimi të fundit, shkruan The Guardian.

Rritja e nivelit të mbulesës nga pemët nga mesatarja evropiane prej 14.9% në 30% mund të ulë temperaturën në qytete me 0.4C, gjë që mund të reduktojë vdekjet nga nxehtësia me 39.5%, sipas modelimit të parë të këtij lloji të 93 qyteteve evropiane nga një ekip ndërkombëtar studiuesish.

“Kjo po bëhet gjithnjë e më urgjente pasi Evropa përjeton luhatje më ekstreme të temperaturës të shkaktuara nga ndryshimet klimatike”, ka thënë autorja kryesore, Tamara Iungman, nga Instituti i Barcelonës për Shëndetin Global.

“Ne e dimë tashmë se temperaturat e larta në mjediset urbane shoqërohen me rezultate negative shëndetësore, si dështimi kardio-respirator, shtrimi në spital dhe vdekja e parakohshme”, ka shtuar ajo.

Ekipi i saj dëshiron të ndikojë në politikanët për t’i bërë qytetet më të gjelbra, “më të qëndrueshme, elastike dhe të shëndetshme”, si dhe reduktimin e prishjes klimatike, pasi sëmundjet dhe vdekjet e lidhura me nxehtësinë pritet të paraqesin një barrë edhe më të madhe për shërbimet shëndetësore gjatë viteve të ardhshëm.

Duke përdorur të dhënat e vitit 2015, ata vlerësuan se nga 6.700 vdekje të parakohshme atë vit që i atribuohen temperaturave të larta urbane, 2.644 mund të ishin parandaluar nëse do të ishte rritur mbjellja e pemëve.

Qytetet që kanë më shumë gjasa të përfitojnë nga rritja e mbulimit me pemë janë në Evropën Jugore dhe Lindore, ku temperaturat e verës janë më të larta dhe pemët priret të jenë më të pakta.

Në Cluj-Napoca në Rumani – e cila kishte numrin më të madh të vdekjeve të parakohshme për shkak të nxehtësisë më 2015, me 32 për 100 mijë njerëz – ka pemë vetëm 7%. Në Lisbonë të Portugalisë është deri në 3.6% dhe në Barcelonë 8.4%. Kjo krahasohet me 15.5% në Londër dhe 34% në Oslo.

Bashkautori i studimit Mark Nieuwenhuijsen, një studiues në Institutin e Barcelonës për Shëndetin Global, ka thënë se nuk kishte nevojë që ndërtesat të rrafshoheshin dhe të zëvendësoheshin me parqe, pasi ka hapësirë të mjaftueshme për të mbjellë më shumë pemë në të gjitha qytetet që shikoi ekipi. Ai vlerësoi iniciativat si plani i BE-së për 3 miliardë pemë dhe propozimi i qeverisë së Britanisë së Madhe për të siguruar që çdo shtëpi të jetë brenda 15 minutash në këmbë nga hapësira e gjelbër, megjithëse ai vuri në dukje se politikëbërësit duhet të sigurojnë që pemët të shpërndahen në mënyrë të barabartë midis lagjeve më të pasura dhe të varfra.

Ai shtoi se qytetet që janë “shumë të dominuara nga veturat” duhet të konsiderojnë zëvendësimin e rrugëve të asfaltuara, të cilat thithin nxehtësinë, me pemë.

“Mbjellja e më shumë pemëve në qytete duhet të jetë prioritet sepse sjell një gamë të madhe përfitimesh shëndetësore përtej reduktimit të vdekjeve të lidhura me nxehtësinë”, ka thënë ai, duke përfshirë reduktimin e sëmundjeve kardiovaskulare, demencës dhe shëndetit të dobët mendor.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *