“Kosovë: ‘Asociacioni serb’ paraqet kërcënim për integrimin dhe paqen”
Nga Frank Hantke
Aktualisht »Asociacioni serb« po dominon të ashtuquajturin dialog mes Kosovës dhe Serbisë. Me këtë nënkuptohet një asociacioni politik i komunave të Kosovës me shumicë serbe.
Tema e radhës, loja e njëjtë?
Ashtu siç ka ndodhur shpesh edhe me tema[1] të tjera, një temë që më parë nuk luante një rol kaq të rëndësishëm vjen papritur në fokusin e politikës kombëtare dhe ndërkombëtare dhe medias. Tani sërish thuhet: nëse mund të bini dakord për këtë, atëherë … Deri më tani, veçanërisht kosovarët u kanë besuar këtyre deklaratave, të cilat po përsëriten thuajse si mantra, sidomos nga ana e përfaqësuesve të BE-së. Kur edhe SHBA-ja iu bashkua këtij kori, atëherë dikush mund të ketë menduar se “kjo më në fund duhet të jetë një pikë kthese” në negociatat, përndryshe të amullta ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ndërkohë, kosovarët kanë kuptuar se premtimet për sukses në dialog dhe avancim të shpejtë në proceset e integrimit i ngjajnë më shumë karotës së famshme para gojës së gomarit. Besimi në përmirësim dhe besimi në mbështetjen e BE-së në procesin e integrimit kanë pësuar shumë viteve të fundit, sepse gjatë gjithë këtyre viteve pak ka ndryshuar për Kosovën në arenën ndërkombëtare. Sot, Kosova ende nuk njihet si shtet sovran nga të gjitha shtetet e BE-së. Sot, Kosova është i vetmi vend në rajonin e Ballkanit Perëndimor që ende nuk ka qasje pa viza në BE dhe Kosova nuk ka përparuar as në përpjekjen e saj që të paktën të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës.
Marrëveshja e prillit 2013 – dhe moszbatimi i deritanishëm
Formimi i »Asociacionit serb« në Kosovë është pjesë e marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila u nënshkrua nga të dyja palët më 19 prill 2013 në kuadër të negociatave të moderuara nga BE-ja. Pjesë e marrëveshjes ishte edhe sigurimi i Serbisë se nuk do të pengonte më procesin e njohjes ndërkombëtare dhe integrimit të Kosovës. Kjo marrëveshje u ratifikua nga Kuvendi i Kosovës disa javë pas nënshkrimit. Kurse në Serbi nuk gjendet një ratifikim i qartë parlamentar. Prandaj mund të supozohet se një marrëveshje e 10 vjetëve më parë, e cila as nuk ishte ratifikuar nga të dyja palët, vështirë se mund të ketë rëndësi të madhe, veçanërisht pasi Serbia deri më tani ka qenë mjaft aktive dhe ndonjëherë me kërcënime të ashpra ka siluruar[2] të gjitha përpjekjet e Kosovës për të fituar më shumë njohje ndërkombëtare dhe për të përparuar në proceset e integrimit. Pra, Serbia vepron diametralisht kundër kësaj marrëveshjeje. Gjykata Kushtetuese në Kosovë, nga ana tjetër, konstatoi se përcaktimet specifike të marrëveshjeve të atëhershme lidhur me »Asociacionin serb« janë jokushtetuese në shumë aspekte.[3] Një organizatë e tillë monoetnike me kompetenca ekzekutive në thelb shkel frymën e Kushtetutës, e cila shoqërinë kosovare e kupton si multietnike. Prandaj kjo pjesë e marrëveshjes deri më tani nuk ka gjetur zbatim. Pra – mund të mendohet – se kjo marrëveshje, e cila nuk është zbatuar nga asnjëra palë, vështirë se mund të ketë një rëndësi të veçantë. Me moszbatim kjo marrëveshje thjesht pëson një fat të ngjashëm me një sërë marrëveshjesh të tjera që gjatë viteve janë arritur në të ashtuquajturin dialog dhe nuk janë zbatuar asnjëherë.[4] Njëzet vjet pasi Serbia sulmoi Kosovën dhe pas përfundimit të luftës përmes ndërhyrjes së NATO-s, në të vërtetë shumë pak ka ndryshuar për të mirë në marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve fqinje – dhe kjo pavarësisht se BE-ja vazhdimisht e shtyn dhe promovon dialogun! Dhe vështirë se ka një pretendim në historinë e fundit të Ballkanit Perëndimor që është bërë më shpesh sesa që »dialogu« do të rezultonte së shpejti me sukses, i cili nënkuptonte përmirësim të marrëdhënieve fqinjësore, avancim në proceset integruese dhe rrjedhimisht jetë më të mirë për qytetarët, etj. Kontradiktat midis deklaratave politike të të gjithë pjesëmarrësve në dialog (dhe shumë jopjesëmarrësve) dhe realitetit të kësaj fqinjësie ende armiqësore vështirë se mund të ishin më të mëdha!
Disa fjalë kyç mbi shpërndarjen aktuale të grupeve etnike dhe të drejtat e tyre në Kosovë
Plani i Ahtisaarit dhe zbatimi i tij përcaktonin se Kosova duhet të jetë një »shtet multietnik« në Kushtetutën e saj. Në fakt, Kosova nuk ishte kurrsesi një shtet multietnik atëherë dhe aq më pak është sot; si nuk janë as vendet fqinje dhe as p.sh. Gjermania. Në vitin 2020, UNMIK-u vlerësoi se shqiptarët tani përbëjnë pothuajse 95% të popullsisë në Kosovë dhe serbët rreth 4.5%, ndërsa katër grupet e tjera etnike vështirë se kanë luajtur ndonjëherë ndonjë rol në aspektin e numrave. Por ky konstruksion i »multietnicitetit« bëri të mundur që minoriteteve t’u jepeshin të drejta dhe privilegje të konsiderueshme në Kushtetutë. Megjithatë, kryesisht janë serbët e Kosovës ata që përfitojnë nga kjo, ndërsa pakicave të tjera pothuajse nuk u është kushtuar vëmendje. Prandaj, një vështrim më i afërt mund të kufizohet në të drejtat dhe privilegjet tashmë ekzistuese të pakicës serbe në mënyrë që të krijohet një përshtypje se çfarë do të thoshte në praktikë formimi i një »Asociacioni serb«.
Disa shifra dhe të dhëna hedhin dritë mbi situatën aktuale. Sipas planit të Ahtisaarit, Kosova u rajonizua në 38 komuna. Dhjetë prej tyre janë të banuara kryesisht nga serbët dhe për këtë arsye administrohen edhe nga serbët e Kosovës. Pra rreth 25% e të gjitha komunave administrohen nga një grup etnik, i cili përbën më pak se 5% të të gjithë popullsisë së shtetit. Disa komuna të vogla u krijuan me qëllimin e vetëm për t’i dhënë komunitetit serb komunën e tyre, pasi ato nuk mund të formonin shumicën në një komunë më të madhe.
Në veri të Kosovës jeton një shumicë e qartë e popullsisë serbe, ndërsa komunat e tjera të drejtuara nga serbët shfaqen si spërkatje të vogla në 80% të pjesës tjetër të vendit të banuar me shqiptarë.
Të drejta të avancuara të pakicave në nivel kombëtar
E gjithë Kosova sot ka përafërsisht aq banorë sa p.sh. Hamburgu[6], edhe pse një pjesë që nuk mund të llogaritet saktësisht duhet të hiqet nga ky numër për shkak të emigrimit të vazhdueshëm (disa vëzhgues të huaj flasin për vetëm 1.5 milionë banorë).
Vendi ka dy gjuhë zyrtare, gjuhën shqipe dhe atë serbe. Kjo »ndarje« korrespondon me shumë fusha të tjera të jetës në nivel kombëtar dhe komunal në Kosovë, në nivel kombëtar në mediat publike apo rajonalisht në izolimin e përditshëm të të dy grupeve etnike. Kuvendi i Kosovës ka 120 ulëse. Nga këto, serbëve u garantohen 10 vende (rreth 8%) – pavarësisht nga rezultati i zgjedhjeve. 10 vende të tjera u shkojnë katër grupeve të tjera etnike. Pavarësisht nga rezultati i zgjedhjeve, çdo qeveri e Kosovës ka të paktën një ministër nga pakica serbe dhe një nga grupet e tjera etnike. Nëse ka më shumë se 12 ministri, pakicat kanë të drejtën e një posti të tretë ministror. Kur bëhet fjalë për ndryshime kushtetuese, sipas Kushtetutës mjaftojnë vetëm 7 deputetë nga pakicat (një e treta e minimumit 20) për të bllokuar çdo ndryshim. Në asnjë vend tjetër të Evropës të drejtat e pakicave nuk janë aq të avancuara sa në Kosovë. Kjo edhe për shkak se Kushtetuta e Kosovës është përgatitur nga bashkësia ndërkombëtare. Megjithatë, ose ndoshta për shkak të kësaj, gatishmëria e pakicës serbe për t’u integruar në shoqërinë kosovare është shumë e ulët.
Pothuajse pa përjashtim, partitë në Kosovë janë të përbëra nga grupe etnike. Lista Serbe (SL) u themelua në vitin 2014 dhe që atëherë ajo jo vetëm që është mbështetur nga Beogradi, por gjithashtu ka qenë e kontrolluar qartë në orientimin dhe punën e saj politike në Kosovë. Serbët, të cilët ndjekin një politikë tjetër, më të orientuar drejt integrimit, u vunë gjithnjë e më shumë nën presion të fortë nga SL, disa përfaqësues të shquar u persekutuan, madje njëri prej tyre u vra (Oliver Ivanoviç, në fillim të 2018, që atëherë pa asnjë rezultat të hulumtimit! ). Pas zgjedhjeve të fundit, SL ishte në gjendje të zinte 10 vendet e pakicës serbe në Kuvend. Në këtë mënyrë, Beogradi ka gjithmonë një krah si në Parlamentin e Kosovës, ashtu edhe në Qeverinë e vendit dhe kështu ndikon në proceset politike në Kosovë.
Të drejta të mëtejshme të pakicave në nivel komunal
Të gjitha komunat e Kosovës kanë sovranitet mbi buxhetin e tyre, mbi zhvillimin lokal ekonomik, planifikimin urban dhe rural, ofrimin e shërbimeve publike dhe shërbimeve komunale, arsimin fillor dhe të mesëm, kujdesin parësor shëndetësor, etj.[7] Në komunat e mëdha me shumicë serbe (p.sh. Mitrovicë Veriore), komunat kanë edhe më shumë kompetenca në arsim dhe kujdes shëndetësor (terciar). Në komunat ku së paku dhjetë për qind (10%) e qytetarëve u përkasin grupeve pakicë, së paku një përfaqësues i këtij grupi etnik ka të drejtë të mbajë post në Kuvendin Komunal. Në komunat e banuara me shumicë serbe, serbët kanë të drejtë të emërojnë edhe komandantin e Policisë.[8]
Një vështrim mbi përgjegjësitë aktuale në sistemin arsimor e bën të qartë se në cilin drejtim po lëviz vendi. Në komunat me shumicë serbe në shkolla flitet dhe mësohet serbishtja, ndërsa gjuha shqipe nuk ofrohet as si lëndë zgjedhore. Në komunat e dominuara nga shqiptarët është pikërisht e kundërta. Tashmë mund të thuhet se brezat e ardhshëm të këtij vendi të vogël në rastin më të mirë mund ta kuptojnë njëri-tjetrin nëpërmjet një gjuhe të tretë (p.sh. gj. angleze). Kundërthënëse janë edhe përmbajtjet edukative, sidomos ato të shkencave sociale. Historia e Kosovës sigurisht që paraqitet dhe mësohet ndryshe nga shqiptarët në klasat shkollore sesa nga serbët… veçanërisht në një sistem izolimi të grupeve etnike që tashmë duket i çimentuar.
Çfarë tjetër duhet të sjellë »Asociacioni serb«?
Në mënyrë të përmbledhur, mund të thuhet se një »Asociacion serb« siç po e kërkon Serbia në Kosovë do të konsolidonte dhe me do të zgjeronte autonominë tashmë të gjerë të administratës serbe në nivel lokal me një përfaqësim të interesave në nivel nacional. Njëkohësisht kërkohet që ky asociacion të rregullohet sipas ligjeve ekzistuese të Kosovës dhe në anën tjetër të përfshihet si strukturë paralele, si nivel shtesë ekzekutiv, gjë që nuk e parasheh Kushtetuta e Kosovës. Prandaj, sipas gjykimit të Gjykatës Kushtetuese, një strukturë e tillë është antikushtetuese. Kjo do të rriste më tej ndikimin e Beogradit dhe do të shpërbënte më tej politikën kosovare. Marrëveshja e vitit 2013 madje parasheh që të zgjerohet sovraniteti i policisë dhe gjykatave në komunat e banuara nga serbët. Një vështrim në praktikën e përditshme bën të qartë se në kushtet aktuale të ndarjeve etnike në Kosovë vështirë se mund të vendoset ligjshmëri. Serbët e Kosovës në veri nuk kanë paguar faturat e energjisë elektrike për 20 vjet. Deri më tani, shpenzimet është dashur të përballohen nga pjesa tjetër e shoqërisë. Në anën tjetër, po t’iu fiknin energjinë konsumatorëve që nuk paguajnë, siç do të ndodhte në çdo shtet tjetër, do të ndodhnin sërish trazira nga komuniteti serb apo të iniciuara nga Serbia, etj. Debati për targat e veturave për shembull, i cili duket aq qesharak për të huajt, tregon qartë se sa e fortë është status quo-ja e refuzimit që Serbia i bën Kosovës. Vetëm ata që kanë tentuar ndonjëherë të kalojnë kufirin Kosovë – Serbi me një automjet të regjistruar në Kosovë mund ta imagjinojnë »çmendurinë e përditshme« (kurrë mos trego pasaportën, se nuk lejohet; hiqi targat RKS; vendosi targat e Serbisë; paguaj tarifat administrative…). Përveç targave RKS, ekzistonte edhe një lloj i targave në Kosovë që u pranua nga serbët sepse ato jepeshin nga Serbia dhe nënkuptonin dhe simbolizonin mosnjohje të shtetit kosovar. Serbët e Kosovës këmbëngulën për këto targa speciale, gjë qe nuk ka gjasa të ketë ekuivalente në ndonjë vend tjetër. Kur Kosova donte t’i jepte fund kësaj marrëzie vitin e kaluar, pati trazira dhe barrikada dhe komuniteti ndërkombëtar sërish duhej t’i »qetësonte« të dyja palët. Edhe kjo temë që duket qesharake është larg përfundimit. Kështu që kush në Kosovë duhet t’u besojë ende deklaratave të politikanëve ndërkombëtarë që kanë më shumë se 10 vjet që flasin për zgjidhje të shpejtë në të ashtuquajturin dialog?
Roli i BE-së në Ballkanin Perëndimor duket ambivalent
Ndër të tjera, BE-ja e ka bërë veten moderatore të të ashtuquajturit dialog mes Kosovës dhe Serbisë me përfaqësuesit e lartë të Bashkimit për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, por në fakt pa pasur një mandat të qartë nga të gjitha shtetet anëtare. Si mund të ketë mandat BE-ja nëse pesë shtete anëtare të BE-së ende nuk e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur? Pra, si përputhet kjo me »pranimin e Republikës së Kosovës në bashkësinë e shteteve të BE-së«? A nuk do të ishte qartësimi i brendshëm në BE urdhri i ditës përpara se dikush të ngjitet në moderim, i cili vetëm mund të duket se është neutral? Komisioni këndej, vendet anëtare andej, kosovarët kanë vuajtur në mënyrë të përsëritur nga ambivalenca e politikës së BE-së, shumë më shumë sesa qytetarët e Serbisë. Serbia ka vite që është kandidate zyrtare për anëtarësim në BE, ashtu si Shqipëria dhe të gjitha vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, madje edhe Bosnjë-Hercegovina. Serbia dhe shtetet e përmendura sigurisht që nuk i përmbushin kriteret e anëtarësimit më mirë sesa Kosova. Vetëm shikoni lirinë e shtypit, pavarësinë e gjyqësorit dhe shumë çështje të tjera thelbësore të integrimit.[9] Krahasuar me Serbinë, por edhe me vendet e tjera fqinje, raportet e organizatave ndërkombëtare tregojnë përparim në fushën e sundimit të ligjit dhe demokratizimit, veçanërisht qëkur Vetëvendosje mori pushtetin në Kosovë.[10] [11] [12]
Serbia madje mori statusin e kandidatit, edhe pse kishte mosmarrëveshje të pazgjidhura kufitare me fqinjët e saj. Sipas perceptimit të shtuar kosovar, BE-ja nuk përdor kritere dhe standarde të njëjta matëse për të gjithë. Në vend të kësaj, mbizotërojnë interesat e veçanta të shteteve dhe/apo të ashtuquajturat gjeopolitike, të cilat e mbajnë BE-në dhe disa nga shtetet e saj anëtare në sjelljen e tyre ambivalente. Serbia po luan hapur me »kartën e Putinit« dhe ndoshta në të ardhmen edhe me »kartën Xi« nëse nuk merr »bonbonet« – pra trajtimin e veçantë që kërkon. Ka edhe interesa ekonomike, sepse Serbia është (përsëri) një partner ekonomik i kërkuar për disa vende të BE-së dhe ka »më shumë për të ofruar« se Kosova, e cila që në ish-Jugosllavi mbeti/u la prapa industrialisht dhe ekonomikisht. Fatkeqësisht, për shumë kosovarë Gjermania duket se i përket këtij lloji të vendeve partnere, të cilat kanë interesa më të mëdha në Serbi.
Integrimi – apo »shërimi« i gabimeve të vjetra me gabime të reja?
Pra, nëse shikoni situatën aktuale në Kosovë dhe marrëdhëniet e saj me Serbinë, ka pak vend për optimizëm. Komuniteti ndërkombëtar ka bërë mjaft dëme në Ballkan në tërësi duke bërë një sërë gabimesh serioze. Bosnjë-Hercegovina e sotme mund të shërbejë vetëm si shembull. Histeria aktuale për domosdoshmërinë absolute të krijimit të një »Asociacioni serb«, që po mbahet nga Serbia edhe po mbështetet nga BE-ja mund të çojë te gabimi i radhës që do t’i jepte një kah të dëmshëm zhvillimeve të mëtutjeshme. Kjo do t’u jepte pakicave të vogla në një shtet (po, kështu e quajnë shumica e shteteve të BE-së Republikën e Kosovës!) aq shumë privilegje sa që vetëm do t’i mbështeste tendencat e mëtejshme dhe më të forta drejt ndarjes në baza etnike – dhe jointegrimin shoqëror. Kosova do të bëhej një vend edhe më i ndarë – në gjuhë, histori, politikë dhe gjithashtu në jetën e përditshme.
Kushdo që mendon për bashkëjetesë paqësore dhe integrim social në rrethana të tilla duhet të jetë ëndërrimtar irracional, sepse një politikë e tillë e njëanshme nuk ka çuar kurrë në një mirëkuptim të qëndrueshëm dhe një identitet të përbashkët dhe stabil të një shteti dhe qytetarëve të tij./KOHA.net
(Frank Hantke ka qenë drejtor i fondacionit Friedrich Ebert Stiftung në Kosovë për rreth 15 vjet)
Rruga Press