Universitetet në Tiranë nuk kalojnë bursat, studentët: Kemi 4 muaj që presim
Ema Mecaj, është studente në vitin e parë në fakultetin e mjekësisë. Ajo është një ndër shumë të rinjtë përfitues së bursave.
Por edhe pse kanë kaluar më shumë se 4 muaj që nga nisja e vitit të ri akademik, në llogarinë e saj, nuk është depozituar asnjë shumë.
“Na është thënë nga sekretaria e shkollës se do të hidhen në shkurt, ende nuk i kemi marrë për të gjithë muajt. Bëjnë një vlerësim sa studentë kanë marrë pjesë ne seminare, kështu na kanë thënë,” – u shpreh Ema.
Në Universitetin Politeknik të Tiranës, disa studentë i kanë marrë paratë, por jo siç atyre u takon.
“Jam përfitues i bursës prej 10 mijë lekësh të reja. Duhet të kalojë në fillim të muajit, por jemi në fund të muajit janar dhe është hedhur vetëm një muaj bursë. Muajt e tjerë jemi ende në pritje. Jemi interesuar pranë sekretarisë së shkollës, por nuk jepen shpjegime,” – tregoi Mateo Yskollari.
Qëndresa Qytetare, ka kryer një raport sa i takon bursave, për të paktën tre vitet e fundit. Në të thuhet se ka pasur parregullsi, duke u kaluar paratë në llogaritë e studentëve, me disa muaj vonesë.
Rruga Press