Ekonomia gjermane ‘shkëputet’ nga Kina
Ekonomia gjermane pësoi një tkurrje të papritur në tremujorin e katërt, një shenjë që paralajmëron se vendi mund të jetë duke hyrë në një recesion të mundshëm si pasojë e agresionit ushtarak rus në Ukrainë.
Sipas të dhënave të Zyrës Federale e Statistikave, Produkti i Brendshëm Bruto u ul me 0.2 për qind, ku në tremujorin e tretë 2022, ekonomia gjermane u rrit lehtë me një rishikim në rritje prej 0.5 për qind.
Tkurrja në tremujorin e katërt do të thotë se një recesion – i përcaktuar zakonisht si dy tremujorë të njëpasnjëshëm të tkurrjes – është bërë më i mundshëm, pasi shumë ekspertë parashikojnë se ekonomia do të tkurret edhe në tremujorin e parë të vitit 2023.
Ministria e Ekonomisë ka deklaruar se situata në Gjermani pritet të përmirësohet nga pranvera e tutje. Qeveria gjermane rishikoi javën e kaluar parashikimin e saj ekonomik për vitin 2023 dhe tani parashikon një rritje të PBB-së me 0.2 për qind nga parashikimi i vjeshtës për një rënie prej 0.4 për qind.
Ndërkoh kancelari gjerman po zhvillon një vizitë në vende të Amerikës Latine në përpjekje për të nxitur bashkëpunimin energjetik mes palëve. Olaf Scholz, vizitoi Kilin në kuadër të turneut të tij në vendet kryesore të Amerikës Latine. Qeveria gjermane shpreson të reduktojë varësinë e saj ekonomike nga Kina dhe të forcojë marrëdhëniet me demokracitë në mbarë botën.
Berlini gjithashtu shpreson të rrisë bashkëpunimin me Amerikën Latine në sektorin e energjive të rinovueshme dhe hidrogjenin e gjelbër. Bizneset gjermane po kërkojnë gjithashtu mundësi të reja jashtë vendit pas goditjes ekonomike të shkaktuar nga pushtimi rus në Ukrainë. Scholz ishte dhe në Argjentinë, ku ai dhe presidenti Alberto Fernandez pohuan rëndësinë e përfundimit të një marrëveshjeje tregtare midis BE-së dhe bllokut tregtar Mercosur, i cili përfshin Argjentinën, Brazilin, Paraguain dhe Uruguain.
Ndalesa tjetër e Scholz është Brazili, ku ai do të bëhet lideri i parë perëndimor që do të takohet me presidentin e ri Luiz Inacio Lula da Silva që nga inaugurimi i tij.
Rruga Press