Historiku i marrëdhënieve Shkup-Sofje
Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria, dy shtete fqinje, kanë një të kaluar me ngritje dhe rënie në marrëdhëniet e tyre, që nga periudha para Luftës së Dytë Botërore.
Sofja në vazhdimësi e ka kontestuar identitetin, gjuhën dhe të kaluarën historike të maqedonasve duke pretenduar se ato kanë “rrënjë bullgare”, por maqedonasit thonë se kanë identitetin e tyre kombëtar, të njohur ndërkombëtarisht, që nga periudha e ish-Jugosllavisë, dhe të konfirmuar me shpalljen e pavarësisë nga shteti komunist në vitin 1991.
Raportet ndërmjet dy vendeve janë përcjellë me tensione gjatë periudhave të ndryshme.
2 gusht 2017
Për herë të parë dy shtetet arrijnë një marrëveshje për fqinjësi të mirë.
Por, kjo marrëveshje, në vend të afrimit, thelloi ndarjet mes dy vendeve, kryesisht lidhur me dallimet e tyre për të kaluarën historike.
Nëntor 2019
Bullgaria, si shtet anëtar i BE-së, vendosi veton për hapjen e negociatave mes BE-së dhe Maqedonisë së Veriut duke e kushtëzuar heqjen e saj me një marrëveshje të re për gjuhën, identitetin, historinë dhe të drejtat e bullgarëve në Maqedoni të Veriut.
Prill 2022
Hapet klubi bullgar në Manastir me emrin “Vanço Mihajllov” me praninë e kryeministrit bullgar, Kiril Petkov. Kjo nxiti reagime të shumta në Shkup, pasi Vanço Mihajllov konsiderohet një figurë nga e kaluara që luftonte për bashkimin e tokave bullgare që përfshinin edhe Maqedoninë e Veriut.
Qershor 2022
Maqedonia e Veriut pranon atë që njihet si “propozim francez”, apo marrëveshjen me Bullgarinë që parasheh përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutën maqedonase. Sofja heq veton ndaj Shkupit.
Tetor 2022
Në qytetin e Ohrit hapet klubi i dytë bullgar “Car Borisi i Tretë”. Tensionet mes dy vendeve sërish rriten pasi Borisi i Tretë, sipas maqedonasve, ishte një perandor bullgar që mohonte identitetin dhe shtetin maqedonas.
Nëntor 2022
Kuvendi i Maqedonisë së Veriut merr vendim për ndryshimin e ligjit, me të cilin ua ndalon shoqatave dhe partive të mbajnë emra fashistë, siç konsiderohen t’i kenë dy klubet bullgare.
14 janar 2023
Disa shtetas bullgarë të udhëhequr nga eurodeputeti Angel Xhambaski marrin pjesë në një manifestim në Shkup, ku u dëgjuan deklarata anti-maqedonase si “Maqedonia është tokë bullgare”.
19 janar 2023
Sulmohet fizikisht në anëtar i një klubi bullgar në Ohër. Sofja doli me akuza për dhunë shtetërore ndaj pjesëtarëve të pakicës bullgare në Maqedoninë e Veriut.
20 janar 2023
Zyrtarë bullgarë, përfshirë eurodeputetin Angel Xhambaski paralajmëruan ardhjen në Shkup më 4 shkurt për të shënuar ditëlindjen e Goce Dellçevit, një personaliteti nga e kaluara, identitetin e të cilit e pretendojnë të dyja shtetet.
23 janar 2023
Këshilli i Sigurimit doli me paralajmërimin se ardhja e bullgarëve në Shkup më 4 shkurt është me “rrezik të lartë sigurie”. Presidenti Pendarovski kërkoi që të ndalohet hyrje e tyre në Maqedoni të Veriut.
25 janar 2023
Eurodeputeti bullgar, Angel Xhambaski, duke komentuar deklaratën e Pendarovskit për ndalimin e vizitës së tij në Shkup, foli për atentatin ndaj mbretit serb, Aleksandar Karagjorgjeviq, që u interpretua si kërcënim me atentat ndaj Pendarovskit.
Për tensionet ndërmjet dy shteteve, presidenti Pendarovski akuzoi shërbimin inteligjent rus, se qëndron pas strukturave në Bullgari që bëjnë fushatë antimaqedonase.
26 janar 2023
Sofja vendos të tërheqë ambasadorin e saj në Shkup dhe të ndërpresë bashkëpunimin mes dy vendeve.
26 janar 2023
Ambasada e SHBA-së dhe Zyra e BE-së në Shkup kërkuan nga Sofja dhe Shkupi uljen e tensioneve, ndërsa i vlerësuan si të rrezikshme dhe të papërgjegjshme deklaratat për dhunë dhe kërcënime.
Rruga Press